“Ramës nuk i zihet besë” Ja 15 pyetjet e KE për Teatrin Kombëtar

0
280

Komisioni Europian i kërkon qeverisë shpjegime për ligjin “Fusha”, që parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e godinave 17-21 kate.

Burime diplomatike bëjnë të ditur se Komisioni Europian u vu në lëvizje pas një letre të 4 deputetëve të PD në datën 11 Korrik, si dhe pas kundërpërgjigjes nga qeveria për këtë letër në datën 13  Korrik.

Të njëjtat burime konfirmojnë se kundërpërgjigja e qeverisë, një dokument prej 3 faqesh, iu dorëzua komisionerit Hahn nga vetë kryeministri Rama gjatë vizitës në Bruksel, një javë më parë.

Mësohet se sqarimet e dhëna nga qeveria në përgjigje të argumentave në letrën e 4 deputetëve të opozitës nuk ka bindur ekspertët në Komisionin Europian. Kjo i ka detyruar ata të sjellin në Tiranë një kërkesë shtesë për qeverinë, e cila përmban 15 pyetje konkrete, të firmosura nga Michela Matuella, shefe e Njësisë për Shqipërinë në Komisionin Europian.

15 pyetjet e Komisionit Europian fokusohen tek arsyet e qeverisë shqiptare për të bërë një ligj të posaçëm, si dhe kërkon të dijë për ligjin konkret që lejon qeverinë të paracaktojë pa garë një kompani private për realizimin e një projekti publik-privat.

Gjithashtu, qeveria shqiptare duhet t’i shpjegojë Komisionit arsyet e caktimit të një kompanie private, kriteret ligjore të përzgjedhjes së kësaj kompanie  dhe sesi caktimi i drejtëpërdrejtë i saj siguron trajtimin e barabartë, mosdiskriminimin dhe konkurrencën dhe sesi ligji I posaçëm nuk I siguron Fusha shpk pëfitime ekonomike preferenciale.

Ajo çfarë bie në sy mes 15 pyetjeve të Komisionit Europian për qeverinë shqiptare është pikëpyetja që ngre Komisioni nëse ligji i posaçëm  për caktimin e një kompanie përputhet me detyrimin e sanksionuar në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit për konkurencën në kontratat publike.

PYETET E KOMISIONIT EUROPIAN PËR QEVERINË SHQIPTARE

1. Ju lutemi jepni një përshkrim të detajuar të projektit të parashikuar dhe transaksioneve përkatëse midis palëve të përfshira duke përfshirë të dhënat financiare themelore.

2. Në mungesë të tenderit publik, ju lutemi shpjegoni sesi autoritetet do të sigurojnë që asnjë përfitim ekonomik selektiv nuk do t’i jepet Fusha sh.p.k si rezultat i kontratës së parashikuar.

3. Duke iu referuar letrës që jep kundër-argumentat në lidhje me ndikimin e tregtisë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë (pjesa nr.1) përmendet se ligji vetëm përcakton kushtet e një procedure të posaçme për negocimin dhe nënshkrimin e kontratës për zhvillim në zonën e Teatrit Kombëtar. Megjithatë, ju lutem kini në konsideratë se nëse ligji zbatohet dhe kontrata përfundon, duhet të merret parasysh efekti mbi tregtinë ndërmjet BE-së dhe Shqipërisë. Në këtë drejtim, në përputhje me jurisprudencën e BE-së nuk është e nevojshme të përcaktohet se ndihma ka një efekt real mbi tregtinë, por vetëm nëse ndihma mund të ndikojë në tregtinë e tillë. Ju lutemi referojuni Njoftimit të Komisionit mbi nocionin e ndihmës shtetërore për shembuj konkretë dhe ofroni argumente relevante në këtë rast në lidhje me efektin e mundshëm në tregti si në nivelin e kompanisë të zgjedhur për të kryer punët, dhe operatorin e teatrit.

4. Cila është arsyeja e caktimit të një kompanie private për të kryer projektin pa konkurrencë?

5. Pse bëhet kjo në formën e një ligji specifik?

6. Meqenëse ligji parasheh një “Komitet Negociues” kryesisht për përcaktimin e kushteve të kontratës me kompaninë private të përzgjedhur, përse ky Komision nuk është ngarkuar edhe me përzgjedhjen e vetë kompanisë?

7. Duket nga dispozitat e ligjit se shumë elemente themelore të kontratës dhe performancës janë ende për t’u përcaktuar. Duke marrë parasysh këtë, a mund të shpjegoni elementet që janë marrë parasysh gjatë përzgjedhjes së kompanisë private të propozuar nga ligji për kryerjen e projektit?

8. Duke iu referuar letrës që jep kundër-argumenta (nr. 2) duke theksuar se “Ligji i miratuar jo vetëm që nuk ka zgjedhur paraprakisht ndonjë entitet privat, por ndërmjet kushteve të tjera ligjore në fuqi, gjithashtu ka parashikuar disa kërkesa shtesë që entiteti privat duhet të përmbushë (…) “, ju lutemi sqaroni se cilat ishin kriteret e përzgjedhjes së kompanisë private që e drejtoi këtë projekt?

9. A ishte vetëm fakti se ai ka titull ligjor mbi një tokë dhe një ndërtesë (selinë e kompanisë së tij) në një zonë pranë teatrit?

10. Nëse po, ju lutem shpjegoni se si këto kritere përzgjedhëse sigurojnë që parimet bazë të prokurimit publik (trajtimi i barabartë, mosdiskriminimi dhe konkurrenca) janë ndjekur?

11.Duke iu referuar kundër-argumentave (nr.4) ku thuhet: “Rregullimi i kësaj situate atipike ligjore nuk mund të realizohet perms procedurave dhe rregullave të përcaktuara në legjislacionin e koncesionit / partneritetit publik privat për shkak të arsyeve të mëposhtme (…) “Ju lutem sqaroni cilat dispozita në legjislacionin shqiptar të prokurimit publik lejojnë një zgjidhje të tillë ligjore?

12. Zgjidhja ligjore e dhënies së drejtpërdrejtë si përputhet me parimet themelore të prokurimit publik, pra trajtimi i barabartë, mosdiskriminimi dhe konkurrenca?

13. Një zgjidhje e tillë ligjore si përputhet me nenin 74 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri për kontratat publike duke lejuar qasje jodiskriminuese për kompanitë e palëve në tregjet e njëri-tjetrit përsa i përket prokurimeve publike?

14. Për më tepër, duke qenë se pala private nuk do të marrë asnjë kompensim financiar nga buxheti i shtetit, ju lutemi shpjegoni se cili është lloji i kompensimit që do të marrë përpërfundimin e punimeve?

15. Cilat janë të drejtat dhe detyrimet e publikut dhe të palës private në kontratë?

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here