Partia Demokratike ka reaguar gjatë orëve të vona të mbrëmjes për ndalimin nga policia të kreut të degës së PD në Gramsh, Elmas Harunin.
Deputeti Luçiano Boçi, shprehet se zyrtari i PD-së është arrestuar me urdhër politik nga Edi Rama. Ai thotë se Haruni është arrestuar vetëm pse nuk ka vendosur rripin e sigurimit.
“Ditën e zhvillimit të aktivit të degës së Partisë Demokratike, me pretekstin e mosvënies së rripit të sigurimit, policia private e Edi Ramës dhe Fatmir Xhafajt arreston Kryetarin e PD Gramsh Elmas Harunin dhe sekretarin organizativ të kësaj dege. Ndërkohë që kriminelët, trafikantët, tutorët nderohen dhe bëjnë ligjin kudo, shqetësimi i policisë së kriminalizuar na qenkan drejtuesit politike të PD, të dy me profesionin e mësuesit. Ky është një arrestim i pastër politik dhe dëshmi e dorëzimit të policisë para krimit dhe trimërimit të saj pa arsye para qytetarit”,- shprehet Luçiano Boçi në reagimin e tij.