‘Presidenti e ktheu për rishqyrtim në Kuvend ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar.
Ky është lajm në kohët e sulltanatit.
Por lexoni e rilexoni 9 pikat si 9 arsyet pse kreu i shtetit nuk e dekretoi ligjin në fjalë, nga shkeljet kushtetuese, cenimet e rënda të ligjeve, standardeve dhe parimeve demokratike deri tek ato të konventave e vlerave europiane.
Dhe mendoni masakrën e kryer, mendoni ata që ende gjejnë kurajon për ta mbrojtur dhe faktin se sërish Kuvendi ka fuqinë e kartonave për ta kaluar ligjin në fjalë.
Ndërsa qytetarët janë të pambrojtur ndaj qeverisë në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.
Sot Presidenti na dha 9 herë pasqyrën për të parë shtetin ku jetojmë, sulltanatin ku marrim fryme. Kaq ka në dorë. Kush pas kësaj do mundet të japë argumente pro shembjes së teatrit?
Në emër të përveçëm a rreshtuar diku në peticione? Le të na argumentojë 9 herë pse shkelja e kushtetutës, ligjit e vlerave europiane e lejon të vijojë i qetë punën dhe jetën, madje i garanton të ardhmen e fëmijëve të vet…dhe si për ironi të fatit, 9 si numër biblik simbolizon finalen, gjykimin e fundëm për njeriun dhe punën e tij. Në numerologji, numrin e fundit përpara një epoke të re. Paçim mend në kokë, e në s’mjaftonte, besim e në s’mjaftonte ende qofshim supersticiozë mos ngecim në aktin e fundit të rezistencës së shtetit dhe nisjen e epokës së antishtetit’, shkruan Sonila Meço në një status në Facebook.