Ilir Meta ka kryer këtë të premte një akt të denjë për postin që mban. Ai e ktheu në kuvend ligjin skandaloz për shembjen e teatrit, por më shumë sesa ky vendim politik, presidentit i bëjnë nder 9 argumentat që renditi për t’a përligjur zgjedhjen e tij.
Me një gjuhë të përkorë dhe me kujdesin për të qene “i qetë dhe i dashur me të gjithë”, Ilir Meta ka theksuar gjëra shumë të rënda. Të thjeshtëzuara për këdo që bezdiset nga fjalori i koklavitur juridik, ato mund të përmblidhen kështu:
•Marrëveshja okulte Edi Rama – Shkëlqim Demir Fusha për të ndërtuar kulla në mes të kryeqytetit shkel barazinë para ligjit dhe lirinë ekonomike. Pra, nëse kryeministri ka një truall për të nxjerrë në treg, ai nuk mund t’a bëjë këtë pa garë dhe tender.
•Shembja e Teatrit Kombëtar nuk respekton konventat për trashigiminë kulturore që ka nënshkruar Shqipëria dhe parimet e mbrojtjes së kësaj trashëgimie.
•Rrëmbimi i një trualli që i përket qytetarëve të Tiranës pa kaluar sipas ligjit në Këshillin Bashkiak, ku shumica i mungon socialistëve, është cënim i decentralizimit dhe legjislacionit për autonominë vendore.
Duke përmendur përkrah tyre dhe problemet që ky ligj special hap me marrëveshjet e nënshkruara me BE, si dhe me pronat e privatëve në zonën ku do të ngrihen grataçielat, presidenti bën ftesë për reflektim, aq më tepër që miratimi po bëhet në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.
Po t’i lexojë më kujdes, qoftë edhe një njeri që është neutral për çështjen e teatrit, e kupton se këtu ka vërtet diçka për të debatuar. Prandaj me siguri shumëkush ka pritur me kërshëri kundër argumentat e socialistëve për këtë arsyetim ligjor.
Po kë nxorri të përgjigjej Rilindja?
Natyrisht kryekllounin e saj, Erion Veliaj. Ishte njësoj si të dërgoje Gaz Pajën të të mbronte përpara komisionit vettingut.
Madje dhe më keq.
Mjafton të lexosh të plotë reagimin e kryebashkiakut, që të kuptosh se nuk ka asgjë të ndryshme nga mendësia e njeriut që për propagandë përdhos dhe ditën e vet të dasmës.
Asnjë fjalë për shkeljen e barazisë në biznes, asnjë fjalë për përçudnimin e autonomisë vendore, asnjë fjalë për shpërfilljen e marrëveshjeve ndërkombëtare, asnjë fjalë për trashëgiminë kulturore.
Në vend të tyre, një loghore e denjë për një njeri që është mësuar të flasë pa i drejtuar kush pyetje dhe që komunikimin publik e koncepton si shpërndarje kasetash të gatshme.
Të njëjtat fjalë për veprat e mëdha që ka bërë në Tiranë, të njëjtat sharje për kundërshtuesit e punëve të tij, të njëtat batuta shterp me ShQUP-in, Kamzën, Zogun e Zi etj.
Mjafton edhe ky ballafaqim i thjeshtë mes argumentave ligjorë dhe injorancës rrezatuese të atij që u përgjigj, për të kuptuar se nga cila anë qëndron e drejta për temën aq shumë të debatuar të teatrit.
Por ky episod i fundit, fatkeqësisht tregoi më tepër sesa kaq.
Përmes cekësisë dhe banalitetit të Veliajt, që foli këtë herë në emër të socialistëve, nuk është e vështirë të kuptosh se deri në c’pikë ka degraduar Rilindja. Po, po, deri në pikën që i jep mundësinë Ilir Metës, që të duket si burrë shteti. Lapsi.al