Nëpërmjet një kontrate partneriteti publik privat, Bashkia e Fierit i dha kompanisë Elkos – në pronësi të deputetit kosovar Ramiz Kelmendi, 5,800 metra katrorë pronë publike në shkëmbim të ndërtimit të një kompleksi sportiv, i cili nuk u përfundua kurrë.
Nga Edmond Hoxhaj-BIRN
Një godinë që i ngjan një hangari, pjesërisht e bardhë e pjesërisht gri, pa xhama, me kangjella hekuri në vend të dyerve dhe e rrethuar me rrugë të cilave u ka mbirë bari prej kohësh, është produkti fundor i një partneriteti publik privat, të firmosur në vitin 2011 midis bashkisë Fier dhe kompanisë Elkos, për të ndërtuar një pallat sporti të lojërave me dorë me një kapacitet prej 500 spekatorësh.
Kjo ndërtesë sportive u planifikua të ngrihej si pjesë e një kompleksi në lagjen “8 shkurti” në Fier, ku përfshiheshin fusha sportive, një palestër e mbyllur, kënde shlodhëse dhe shëtitore.
Kjo zonë është menduar si “poli i ri sportiv i qytetit” dhe për zhvillimin e saj Bashkia Fier dhe Këshilli Bashkiak ideuan dhe miratuan një marrëveshje partneriteti publik privat me kompaninë Elkos.
Sipas vendimeve të miratuara nga autoriteteve vendore dhe kontratave midis palëve, të siguruara nga BIRN nëpërmjet ligjit ‘Për të drejtë informimi,’ bashkia e Fierit dhe Këshilli Bashkiak miratuan në vitin 2011 propozimin e kompanisë Elkos sh.p.k. – në pronësi të deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës,Ramiz Kelmendi, sipas të cilit, në shkëmbim të ndërtimit të kompleksit sportiv kompania kosovare shpërblehej me 7 mijë metra tokë publike për ta përdorur si parking për një nga qendrat e saj tregtare.
Elkos angazhohej se në kompleksin sportiv do të ndërtonte mini-stadiumin e lojërave me dorë, disa fusha sportive, si dhe rrugë e trotuare me vlerë rreth 84 milionë lekë – një shumë kjo e barabartë më çmimin e tokës prej 7 mijë metra katrorë.
Katër vjet pas siglimit të marrëveshjes, pak ditë para zgjedhjeve lokale në qershor 2015, bashkia e Fierit mori në dorëzim nga ‘Elkos’ sh.p.k godinat ende të papërfunduara të kompleksit sportiv, ndërsa në këmbim të investimit të përllogaritur në rreth 69 milion lekë, i transferoi kompanisë 5800 metra katrorë tokë për ta përdorur si parking.
E pyetur nga BIRN mbi të ardhmen e kompleksit sportiv të papërfunduar,bashkia Fier tha se do ta mbulojë me fonde publike pjesën e mbetur të investimit, duke nënvizuar se në vitin 2016 ajo ka aplikuar për një grant nga qeveria qendrore për kompleksin multifunksional, por granti nuk është miratuar ende.
Megjithatë, bashkia nuk sqaroi se përse godinat u morën në dorëzim të papërfunduara dhe janë aktualisht të braktisura si ngrehina prej të paktën tre vjetësh, ndërsa i vetmi përdorim që kanë gjetur ka qenë si magazinë e bazës ushqimore për bagëtinë e mbërritur nga Kosova në formë ndihme gjatë përmbytjeve të dimrit të fundit.
As kompania ‘Elkos’ sh.p.k nuk dha shpjegime për mënyrën se si u mbyll kontrata. I pyetur nga BIRN, Ragip Kadriaj, administrator i kësaj kompanie në Fier, u shpreh se “objektet i përkisnin institucioneve publike dhe duhet të japin ato informacione”.
Ish-kryetari i bashkisë Fier Baftjar Zeqaj, i cili ndërmori projektin dhe drejtonte bashkinë kur u morën në dorëzim godinat, gjithashtu nuk i përgjigj pyetjeve të detajuara me shkrim se përse projekti nuk u realizua dot dhe pse investimi u mor në dorëzim i papërfunduar.
Propozim i pakërkuar
Procedura pa konkurrim nisi pas kërkesës zyrtare të dorëzuar në vitin 2011 pranë bashkisë Fier nga shoqëria “Elkos sh.p.k.”, për zhvillimin urbanistik të një zone në lagjen “8 Shkurti” Bishanakë, Fier. Kompania propozonte të ndërtonte një kompleks sportiv, trotuare, parqe, kënde shlodhjeje, parkingje dhe rrugë,” në këmbim të një toke me sipërfaqe prej 7000 m2.
Trualli do të shërbente kryesisht për parking në funksion të qendrës tregtare të ndërtuar në këtë zonë nga kjo shoqëri.
Për këtë propozim të pakërkuar nga ana e kompanisë kosovare, Këshilli Bashkiak Fier mori disa vendime njëri pas tjetrit, dhe në nëntor të vitit 2011 miratoi projekt-propozimin e kompanisë Elkos.
Në pesë pika të vendimi Këshilli miratonte propozimin e paraqitur nga Drejtoria e Urbanistikës dhe ajo e Legjislacionit pranë bashkisë dhe autorizonte “ekzekutivin” që të negocionte kontratën.
“Ekzekutivi i bashkisë Fier të përcaktojë e të nënshkruaj kushtet e kontratës për zhvillimin e zonës (ndërtimin e ambienteve sportive, shlodhëse, gjelbërimit, e infrastrukturës në pronë publike) dhe dhënien e tokës truall në këmbim shoqërisë ‘Elkos’ sh.p.k që i shërben si anë funksionale e objektit të saj ‘parkim’ ”, thuhet në vendimin e Këshillit.
Gati një vit më vonë, Këshilli i Bashkisë Fier ka miratuar vendimin nr.39, të datë 30 tetor 2012, ku përcakton se vlera e investimit nga Elkos Sh.p.k në kompleksin sportiv do duhej të përcaktohej nga një komision i posaçëm i ngritur nga bashkia dhe pas kësaj kjo e fundit do bënte edhe kalimin e pronës te kompania private.
Disa javë më vonë në muajin dhjetor të vitit 2012, inagurohet qendra tregtare Elkos në lagjen “Bishanakë” në Fier. Të pranishëm kanë qenë pronari i kësaj shoqërie Ramiz Kelmendi si edhe kryeministri aktual i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Nga dokumentet që BIRN siguroi rezulton se në mars 2013, Bashkia Fier dhe kompania Elkos Sh.p.k nënshkruan kontratën e partneritetit publik privat, ku përshkruheshin ndërtimi i kompleksit sportiv në favor të bashkisë dhe përfitimi i tokës nga kompania private.
Dy vite më vonë,më datë 19 qershor 2015, Këshilli Bashkia ka vendosur të miratojë një kërkesë të re të shoqërisë “Elkos Sh.p.k”,për t’i kaluar një pjesë të tokës së parashikuar në kontratë, në shkëmbim të investimit të bërë në kompleksin e pambaruar sportiv, investim që sipas palëve nënshkruese u vlerësua në 69 milionë lekë. Në këtë vendim shkruhet se pjesa tjetër e tokës t’i kalojë kompanisë pas realizimit të plotë të kontratës.
As në këtë vendim dhe as në vendimet e mëparshme të Këshillit Bashkiak nuk specifikohet kostoja e ndërtimit të kompleksit dhe sa pjesë të kostos do të mbulonte kompania në këmbim të tokës private.
Kontrata me paqartësi dhe gabime
Në kontratën noteriale të nënshkruar më 20 mars 2013, mes ish-kryetarit të Bashkisë Fier Bafjar Zeqaj dhe shoqërisë “Elkos” sh.p.k., pasqyrohet se sipërfaqja totale e truallit që i është nënshtruar studimit urbanistik të bashkisë Fier për ndërtimin e kompleksit sportiv në shkëmbim të parkingut ishte 18,382 metra katrorë.
“Objekti i kontratës është zhvillimi i truallit në tërësinë e tij, ndërtimi mbi të i një kompleksi me destinacion sportiv, kulturor e mjedisor,” shkruhet në kontratë.
“Për këtë qëllim, Bashkia Fier vë në dispozicion të sipërmarrësit truallin prej 18 382 m2 për zhvillimin e zonës dhe sipërmarrësi ‘Elkos’ sh.p.k. do të ndërtojë me financimet e veta në favor të Bashkisë Fier, në përputhje me lejen respektive të ndërtimit që do të lëshohet nga ana e palës bashkia Fier,” shton kontrata midis palëve.
Në kontratë renditen investimet që do të kryheshin, si në funksion të bashkisë Fier, ashtu edhe në favor të shoqërisë zhvilluese.
Sipas kontratës, kompleksi sportiv do të përbëhej nga minipallati sportiv i lojërave me dorë me sipërfaqe totale 1450 m2 – me një kapacitet rreth 500 spektatorë; tre fusha sportive për lojëra me dorë me një sipërfaqe prej 646 m2 deri në 670.4 m2 secila; si dhe infrastruktura ndihmëse dhe sistemim gjelbërimi me një sipërfaqe prej 7,944.8 m2.
Ndërkohë, në kontratë përcaktohet gjithashtu se objekt i projektit zhvillues është edhe parkimi në funksion të qendrës tregtare në një sipërfaqe prej 7000 m2.
Në kontratë përcaktohet se kostoja për ndërtimin e këtij kompleksi paraprakisht do të përballohet me mjetet financiare të sipërmarrësit. Gjithashtu, është rënë dakord se përllogaritja e vlerës së truallit prej 7000 metra katrorë do të bëhej bazuar mbi një Vendim të Këshillit të Ministrave të nëntorit 2008. Bazuar mbi këtë çmim reference çdo metër katrorë e tokës që do t’i jepej kompanisë u vlerësua 12 mijë lekë, ndërsa u llogarit se investimi i saj në kompleksin sportiv do të ishte 84 milionë lekë”.
Kontrata parashikon se në momentin që investimi kapte këtë vlerë, bashkia i kalonte pronësinë e truallit kompanisë ‘Elkos.’
“Në momentin që vlera e truallit që vë në dispozicion bashkia barazohet me vlerën e ndërtimit që realizon shoqëria, palët bëjnë akordimin mes tyre” nënvizohet në kontratë.
Po aty shkruhet se në të njëjtën kohë ndërtuesi do i kalonte bashkisë ndërtimin e pallatit të sportit dhe ambjenteve të tjera.
Por kontrata nuk përmend në asnjë pikë se sa kushtonte në tërësi kompleksi sportiv dhe as nëse vlera prej 84 milion lekësh i mbulonte të gjitha shpenzimet për ndërtimin e tij.
Përndryshe brenda kontratës ka pasaktësi dhe paqartësi të tjera.
Në faqen 4 të kontratës shkruhet se minipallati i lojërave me dorë do të ketë një sipërfaqe totale 1450 m2 dhe“një kapacitet 400 spektatorë”, ndërsa në faqen 2 të së njëjtës kontratë kapaciteti i së njëjtës ndërtesë shkruhet se do të jetë 500 spektatorë.
Po ashtu kohëzgjatja e punimeve duket se nuk është respektuar nga investitori.
Në kreun 6 të kontratës, shkruhet se duke filluar nga data e fillimit të punimeve, sipërmarrësi brenda një afati gjashtë mujor duket të përfundojë punimet për ndërtimin e objektit.
Por, pavarësisht se kontrata u nënshkrua në mars 2013, dy vjet më vonë, në qershor 2015, bashkia vendosi të marrë në dorëzim projektin edhe pse ai ishte ende i papërfunduar.
Ky vendim u morr me 19 qershor 2015, pak ditë para zgjedhjeve lokale, kur Këshilli Bashkiak Fier vendosi t’i transferojë shoqërisë “Elkos” pjesën më të madhe të truallit publik të barabartë me 5800 metra katrorë, kundrejt investimit të papërfunduar të vlerësuar në 69 milionë lekë.
Vendimi i Këshillit bie ndesh me kontratën e nënshkruar mes palëve, e cila parashikonte se kalimi i pronësisë do të bëhej vetëm kur investimet e shoqërisë “Elkos ‘sh.p.k. në kompleksin sportiv të arrinin vlerën e 84 milionë lekëve.
“Në përfundim të ndërtimit të objekteve sportive, kolaudimit të tij, miratimit të lejes së shfrytëzimit dhe regjistrimit të tij në Z.Rr.P.P. Fier, ndërmjet palëve do të nënshkruhet edhe kontrata e shkëmbimit. Nëpërmjet kontratës së shkëmbimit, porositësi kalon në pronësi të sipërmarrësit truallin me sipërfaqe 7000 m2, ndërsa sipërmarrësi kalon në pronësi të porositësit objektet sportive sipas pikës 1.4 dhe 3.2, që duhej të kapnin vlerën e 84 milionë lekëve,” shkruhet në kontratë.
Investimi i braktisur
Arsyet pse Bashkia e Fierit u angazhua në një partneriteti publik privat, sipas dokumenteve që BIRN arriti të siguronte nëpërmjet kërkesave për të drejtë informimi, ishte gjendja e keqe e fushave sportive të lojërave me dorë në qytet.
Nga dokumentet duket se bashkia kishte miratuar disa plane për të ndërhyrë në këtë sektor por në fund miratoi propozimin e kompanisë “Elkos’ sh.p.k. Por transferimit i pronës publike pa u përmbushur plotësisht kontrata e kanë bërë këtë një biznes të dyshimtë.
Teknikisht kompania ka përfunduar ndërtimin e tre fushave të lojërave me dorë të parashikuara në projekt, por ambientet e mini-pallatit sportiv – ku sportdashësit fierakë duhet të ndiqnin drejtpërdrejtë lojërat me dorë nuk u realizuan, dhe ndërtesa e papërfunduar është përdorur për magazinimin e bazës ushqimore për bagëtinë gjatë dy përmbytjeve të dimrit të shkuar.
Dyert e kësaj ndërtese janë gjithmonë të mbyllura me zgara të hekurta. Betoni ndërkohë ka filluar të dëmtohet ndërsa xhamat e dritareve nuk ekzistojnë. Rreth e rrotull në ato që duhej të ishin hapësirat shlodhëse – trotuare e rrugë të asfaltuara, ka mbirë bari i cili vende – vende ka dalë edhe në rrugët e pashtruara.
Në përgjigjen që bashkia e Fierit i ktheu BIRN, ajo tha se “aktualisht janë në proces vlerësimi punimet e kryera dhe hartimi i projektit për përfundimin e plotë të ndërtimit”.
Bashkia sqaron gjithashtu se në vitin 2016 është hartuar një projekt i plotë teknik për kthimin e kompleksit të lënë përgjysmë në një qendër rekreative sportive dhe është aplikuar pranë Ministrisë së Arsimit, por nuk është financuar ende.
“Sipas projektit të miratuar kjo hapësirë është një pol i ri sportiv dhe fushat janë pjesë e këtij projekti. Ato (fushat) kanë përfunduar dhe janë në funksion të plotë. Këto fusha janë në përputhje me standardet shqiptare të ndërtimit, janë me strukturë të montueshme dhe të lehtësuar,” shprehet Bashkia Fier.
Megjithatë, në përgjigjen e saj, bashkia nuk jep shpjegime për braktisjen e punimeve për ndërtimin e ‘minipallatit’ të lojërave me dorë dhe as për sistemin e ambienteve shlodhëse.