Zhupa sulme ndaj procesit të vetingut. Po vepron me dy standarde…

0
187

Partia Demokratike ka vijuar dje me sulme ndaj procesit të vetingut. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa lëshoi sulme ndaj Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në lidhje me emërimin në detyrë të gjyqtares Brikena Ukperaj. Sipas demokratëve, vetingu ka vepruar me dy standarde ndaj rastit të gjyqtares Ukperaj. “Prej të paktën një muaji, shqiptarët janë bërë dëshmitarë sesi vetingu është shndërruar në një proces që nuk pastron Pallatin e Drejtësisë, por mban në sistem gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të lidhur me krimin e organizuar. Brikena Ukperaj, gjyqtarja e Apelit në Vlorë është një nga rastet kur vetingu ka vepruar me dy standarde, duke ligjëruar pasuri të pajustifikuara të gjyqtares Ukperaj. Mosjustifikimi dhe mungesa e një hetimi të thelluar nga organet e vetingut për një shtëpi në emër të bashkëshortit; Problemet për blerjen e një automjeti, për të cilin organet e vetingut nuk hetuan me vëmendje, si dhe mosverifikimi i plotë i ankimit të familjes Bodo kundër vendimit të dyshimtë për aferën e 200 hektarëve tokë në Karaburun, që favorizoi deputetin socialist Fidel Ylli; Këto janë tre pikat e errëta të vendimit të organeve të vetingut, që po mban në sistemin e drejtësisë gjyqtarë të korruptuar”, tha Zhupa.

Zëdhënësja e PD, tha gjithashtu se arsyeja se pse e kaloi gjyqtarja vetingun është për faktin se kryeministri po kontrollon reformën. “Arsyeja përse Brikena Ukperaj ka kaluar shkallën e parë të vetingut, pavarësisht problemeve me pasurinë dhe vendimit për aferën e 200 hektarëve në Karaburun, shpjegohet me skemën e Edi Ramës për të kontrolluar Këshillin e Lartë Gjyqësor. Që skema e Ramës për kapjen e qeverisë së gjyqësorit të realizohet, gjyqtarja e Apelit të Vlorës duhet të shpallë kandidaturën për në KLGJ”, deklaroi ajo. PD më tej akuzoi kryeministrin se me këto veprime ka si synim kapjen e Gjykatës Antikorrupsion. “Brikena Ukperaj është person kyç në skemën e Edi Ramës, dhe po nxitet prej tij të aplikojë për ta zgjedhur anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Me shumë gjasë, gjyqtarja e Apelit të Vlorës, me pasuri të pajustifikuar, por e konfirmuar në detyrë, do të mbetet e vetmja kandidate potenciale për në KLGJ, duke qenë kështu një kamikaze në këtë Këshill dhe zbatuese e qartë e skemës së Edi Ramës për të kapur sistemin gjyqësorë, veçanërisht Gjykatën Antikorrupsion”, tha zëdhënësja e PD.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here