Korrigjimi i kufijve është rrezik për shqiptarët, ja pse…

0
194

Publicisti Veton Surroi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, deklaroi se hapja e konceptit për korrigjim të kufijve ose të korrigjimeve mbi baza etnike është parim i rrezikshëm për shqiptarët, i cili, sipas tij, nuk do të prodhojë zgjidhje në normalizim në mes të shteteve por do ta lë çështjen e Kosovës si një konflikt i ngrirë. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Surroi thotë se debati për kufijtë duhet ndalur, pasi Kosova nuk ka kurrfarë interesi të vazhdojë më tej bisedimet mbi çështjen e kufijve.

Intervista:

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, në Kosovë kanë shpërthyer debatet rreth marrëveshjes përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, veçanërisht pasi presidenti Hashim Thaçi hodhi idenë e korrigjimit të kufijve. Ju e keni kundërshtuar ashpër këtë qasje. Për cilën arsye?

Veton Surroi: Arsyeja është e thjeshtë, ne nuk jemi shtete të cilat e kemi njohur njëri tjetrin dhe Serbia e Kosova së pari duhet të arrijnë nivelin e marrëdhënieve në mënyrë që të bisedojnë për gjëra tjera, por të fillosh të bisedosh për kufirin pa i rregulluar çështjet, do të thotë t’ia nisësh mbrapsht dhe të hapësh derën për konceptin e korrigjimit të kufijve ose të korrigjimeve mbi baza etnike, që është jashtëzakonisht parim i rrezikshëm për shqiptarët, na godet në shumë plane dhe është një çështje e cila gjoja duket si zgjidhje por është hyrje për një proces shumë të vështirë e të dhimbshëm, i cili nuk do të prodhojë zgjidhje në normalizim në mes të shteteve, por do ta lejë Kosovën si një konflikt i ngrirë.

Zëri i Amerikës: Por, presidenti Thaçi në fakt flet jo për ndarje të Kosovës, por bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Përse duhet kundërshtuar?

Veton Surroi: Është naive të flasësh në atë formë, do të thotë konflikti me Serbinë nuk ka mbaruar kështu siç po flet ai (presidenti) duket sikur Serbia është Luksemburgu dhe tash një shtet paqësorë me të cilin tash do të merresh vesh për një copë toke këtu apo një copë toke aty. Debati për këmbimin e territoreve është krejtësisht i gabueshëm është qasje që fillon nga bishti dhe dhe nga bishti nuk zgjidhen çështjet.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara, thanë së fundi se kërkojnë nga të dyja palët “zgjidhje krijuese dhe elastike”. Çfarë sinjalizon ky qëndrim? Mos kemi të bëjmë me një qasje të re të komunitetit ndërkombëtarë ndaj marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Veton Surroi: Duhet pyetur ata se çka mendojnë se çfarë është elastike dhe kreative por ajo çka Kosovës i duhet është një marrëveshjeje paqeje të përhershme, është një zgjidhje e qëndrueshme me Serbinë dhe nëse këtu duhet kreativitet, elasticitet dhe të tjera atëherë duhet investuar. Por parimi thelbësor është se Kosova e Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të paqes së qëndrueshme dhe të shikojnë me kreativitet dhe me elasticitet se si, dy shtete të pavarura do të krijojnë një hapësirë bashkëpunimi brenda një konteksti evropian.

Zëri i Amerikës: Sipas jush, cili mund të jetë përfundimi i këtyre debateve zoti Surroi?

Veton Surroi: Ky debat nuk mund të ecë rrugës së vet, ky debat duhet ndalur. Kosova nuk ka kurrfarë interesi të vazhdojë tutje në bisedime mbi çështjen e kufijve. Çështja reale e nevojshme e Kosovës është që të hyjë në një proces negociator serioz, me ndërmjetës serioz dhe duke prezantuar idetë e veta e jo të merret me çështje të kota të cilat, që tani i sjellin dëm. Përshembull, çështje e debatit mbi këmbimin e territoreve, mbi mundësinë e përfshirjes së luginës së Preshevës është një goditje drejtpërdrejt ndaj interesit shtetëror, kombëtar dhe të tjera, të civilizimit perëndimor që Maqedonia të integrohet në NATO. Në mënyrë që Maqedonia të integrohet në NATO duhet një referendum pozitiv në shtator dhe për ta pasur referendumin pozitiv duhet një votë e përgjithshme e të gjithë qytetarëve, por në veçanti të shqiptarëve. Nëse shqiptarët lëkunden dhe mendojnë, jo tash do të fillojnë korrigjimet e kufijve, atëherë ka gjasa që të mos fitojë ky referendum dhe atëherë ka gjasa që Maqedonia të mos hyjë në NATO. Interesi i shqiptarëve në Ballkan është që Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s natyrisht është edhe interes i qytetarëve të Maqedonisë dhe në këtë mënyrë të frenohet depërtimi strategjik i Rusisë, i cili e dimë që nuk ka qëllime të mira për këtë vend.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ka mendime se idetë janë në fakt një përgatitje e opinionit për atë që e pret vendin pas vënies në jetë të asociacionit të komunave me shumicë serbe. Si do të duket ky asociacion në fund të procesit sipas jush?

Veton Surroi: Nuk do të duhej fare të merreshim me atë sepse asociacioni/bashkësia e komunave serbe ashtu siç e ka futur në koncept zoti Thaçi, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese dhe Kosova nuk mund të tolerojë rrafsh tjetër të pushtetit, pos rrafshit komunal dhe qendror. Është humbje kohe përpjekja që të përfshihen zgjidhje brenda territorit të Kosovës pa pasur një marrëveshjeje paqeje me Serbinë, pa pasur marrëveshje të barazisë mes Kosovës dhe Serbisë dhe Kosova e barabartë dhe Serbia e barabartë mund të ulen në tavolinë të bisedimeve, të shikojnë pastaj për zgjidhje të mundshme për probleme reale të mundshme, por Bashkësia e komunave serbe është një autonomi territoriale politike, nuk është e mirë për Kosovën nuk mund të integrohet brenda sistemit kushtetues të Kosovës dhe ai që don ta fus nga dera e vogël, ai do të dal nga dera e madhe.

Zëri i Amerikës: Zoti Surroi, pavarësisht debateve të hapura, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është i domosdoshëm, dhe do të duhet të kalojë përmes bisedimeve dhe dialogut. Çfarë duhet ndryshuar në këtë proces që Kosova të shmang pasojat e mundshme për shtetësinë e saj?

Veton Surroi: Duhet një proces negociator serioz, këtë që kemi pasur deri tash ka qenë një improvizim i dobët me rezultate të këqija, rezultate të dobëta, në rastin më të mirë me rezultate të cilat nuk kanë krijuar një proces normalizimi, nuk quhet normalizim gjendja e tanishme me marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pra, rrjedhimisht duhet vendosur një proces negociator, ai proces negociator duhet të jetë mbi baza serioze dhe fillimi i atij procesi negociator është që dy shtetet nuk fillojnë të bisedojnë për kufij por pranojnë demarkacioniin çfarë është dhe mbi këto baza, baza të realitetit e një Kosove që ka shpallur pavarësinë, ne nuk mund të hyjmë në proces, në kurthin në të cilën është krijuar tani i cili do ta riproblematizonte çështjen e statusit të Kosovës. Statusi i Kosovës ka përfunduar, ai nuk është në tryezën e negociatave, atë se çka duhet të jetë në tryezën e negociatave është natyra e marrëdhënieve në mes dy shteteve të pavarura Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që t’i ndihmojmë njëra tjetrës, të kenë marrëdhënie sa më të mira brenda një konteksti evropianë dhe aty të gjejnë zgjidhjet e veta kreative, elastike dhe tjera.

© SYRI.net

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here