28% e shqiptarëve, janë përgjigjur se ka gjasa se mund të humbasin vendin e tyre të punës në gjashtë muajt e ardhshëm. Pyetjes së Anketës së Cilësisë së Jetës, të kryer nga Komisioni Europian se “Sa gjasa ka që të humbisni vendin e punës në gjashtë muajt e ardhshëm?” ka marrë përqindjet më të larta në Shqipëri dhe më pas në Turqi, me 23%.
Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, Gjermania(shtet ku sindikatta janë shumë të forta) dhe Malta janë shtetet, ku përqindja e të anketuarve të cilat kanë thënë se kanë gjasa që të humbasin vendin e punës është më e ulëta, vetëm 5%. Ndërsa ndër vendet anëtare të BE-së që kanë përqindjen më të lartë të njerëzve që kanë frikë se në gjashtë muajt e ardhshëm mund të humbasin vendin e punës është Greqia me 17%. Më pas renditet Lituania dhe Qipro me 16%, si dhe Estonia me Letoninë me 15% secila.
Vendet kandidate për t’u anëtarësuar kanë përqindje më të lartë të të anketuarve që janë shprehur të pasigurte për punën e tyre. Maqedonia dhe Serbia, renditet ndër pas Shqipërisë dhe Turqisë për përqindjen më të lartë të të anketuarve që janë përgjigjur që ka gjasa që ta humbasin vendin e punës në gjashtë muajt e ardhshëm. Në të dy këto vende rreth 17% e të anketuarve janë shprehur të pasigurt, njëjtë si në Greqi. Përqindjen më të ulët në rajon e ka Mali i Zi, ku vetëm 14% e të anketuarve janë shprehur se ka gjasa se mund ta humbasin vendin e punës.
Më të pasigurtët, të rinjtë dhe ata që janë në prag të daljes në pension
Për të rinjtë shqiptarë të moshës 25-34 vjeç, pasiguria se mund të humbasin vendet e punës është e lartë. Rreth 28% e shqiptarëve të kësa grupmoshe të anketuar nga Komisioni Europian janë shprehur se kanë gjasa që ta humbasin vendin e punës, përqindja më e lartë në krahasim me të gjithë vendet e tjera anëtare të BE-së dhe atyre kandidate.
Por, edhe pse vitet e gjata dhe eksperienca në punë duhet t’iu falë një lloj sigurie individëve në prag të moshës së pensionit, në Shqipëri edhe ata janë shprehur të pasigurt. Shqiptarët e moshës 50-64 vjeç janë më të pasigurtët në të gjithë Europën. Sipas të dhënave të Anketës së Cilësisë se Jetës, rreth 26% e të anketuarve të kësaj grup moshe janë shprehur se ka gjasa që ta humbasin punën në gjashtë muajt në vijim.
Raporti “Cilësia e jetës- publikimi i të dhënave për të nxitur politika më të mira”, është hartuar nga Komisioni Europian dhe në të për herë të parë janë përfshirë edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Raporti i studimit tregon rezultatet në tre fusha kryesore: cilësia e jetës, cilësia e shoqërisë dhe cilësia e shërbimeve publike.
Anketa Evropiane e Cilësisë së Jetës është një studim unik pan-evropian që shqyrton kushtet e jetës së qytetarëve evropian në lidhje me mirëqenien individuale dhe cilësinë e shoqërisë dhe shërbimeve publike. Ai përfshin tema të tilla si shëndetësia, strehimi, ekuilibri i familjes dhe i punës dhe i jetës, si dhe besimi, pjesëmarrja në shoqëri, përjashtimi social dhe tensionet shoqërore./Monitor