Ish-ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili i ka bërë një apel publik, ministrisë së Shëndetësisë lidhur me epideminë e fruthit që ka rënë në Europë. Në mesazhin e tij në Fb, Vasili shkruan:
“Pata tërhequr fort vëmendjen e ministrisë së Shëndetësisë për mosinformimin e opinionit publik për ethet e Nilit Perëndimor, si emergjencë e shëndetit publik që është prezente prej muajsh në Ballkan dhe Europë.
Pas një reagimi nervoz, politik dhe joprofesional e të pajustifikuar, më në fund ministria reagoi dhe ka publikuar këshillat e domosdoshme për opinionin, ndonëse me shumë vonesë – gjithsesi është i mirëpritur reagimi i saj. Ndërkohë, epidemia e fruthit vazhdon të jetë një problematikë e hapur dhe këshillimi dhe informimi i opinionit publik dhe medias është i varfër.
Znj. Susanna Jakab, drejtore e OBSH-së për Europën deklaron: “Jemi përpara një rritjeje dramatike të infeksioneve dhe zgjatjes së epidemisë së fruthit në shumë shtete. Duhen marrë masa të menjëhershme për të penguar përhapjen e tij”.
Për këtë arsye, OBSH-ja do të mblidhet në 17-20 shtator në Romë për këtë emergjencë. Ndaj ministria e Shëndetësisë duhet të intensifikojë punën dhe informimin për fruthin që kjo emergjencë të kalohet sa më qetë dhe pa pasoja.
Kur është fjala për epidemi dhe për probleme të shëndetit publik është më mirë për ministrinë e Shëndetësisë që të dëgjojë sa më shumë në vend që të reagojë vend e pa vend dhe pa argumente.
Si profesionist unë do të vazhdoj të jap mendimet e mia bazuar në kritere profesionale, pasi kur bëhet fjala për epidemi dhe emergjenca shëndetësore fjalën e ka profesioni dhe jo politika; kush bën të kundërtën bëhet personalisht i padobishëm dhe publikisht, i dëmshëm.