Deputetja e Partisë Demokratike, Fatbardha Kadiu ka reaguar pas publikimit të audio-përgjimit, që zbulon shantazhin e bërë nga ish-kryetari i KQZ-së, Denar Biba ndaj gjyqtarit Ledi Bianku në Strasburg për çështjen e pronave.
Përmes një reagimi në profilin e saj në Facebook, duke iu referuar bisedës kompromentuese të bërë publike tashmë në media, deputetja demokrate thotë se ky është fiks realiteti që ndesh gjithkush në jetë dhe se në një vend të lirë njeriu me kapacitet nuk bën kompromise.
“Në një vend demokratik, në një vend që duam të jetojmë të gjithë, kapaciteti nuk bën kompromise, sepse është i aftë vetë. Sepse vendi i jep atij mundësinë të jetojë i lirë mbi forcën, punën, shkollimin, mundimin dhe eksperiencën e tij. Shqipëria e Ramës është vendi ku dhe të aftit i imponohet kompromisi”, – deklaron ndër të tjera Kadiu.
Statusi i Kadiut në Facebook
Njeriu bën kompromise, thotë ish-kryetari i KQZ-së.
Një herë të vjen treni, i thotë në vazhdimësi.
Pas rasteve “Tahiri” dhe “Xhafa” do ta konsideroja këtë situatë të tretën nga një pikë këndvështrimi i dëmit politik për qeverinë dhe një avantazhi politik për opozitën.
Fatkeqësisht, kjo duket sa një bisedë e ndryrë e politikave të mëdha aq dhe bisedë e ndryrë për njerëzit e thjeshtë.
Ky është fiks realiteti që ndesh gjithkush në jetë. Në një vend të lirë njeriu me kapacitet nuk bën kompromise.
Në një vend demokratik, në një vend që duam të jetojmë të gjithë kapaciteti nuk bën kompromise sepse është i aftë vetë. Sepse vendi i jep atij mundësinë të jetojë i lirë mbi forcën, punën, shkollimin, mundimin dhe eksperiencën e tij.
Shqipëria e Ramës është vendi ku dhe të aftit i imponohet kompromisi.
Kjo është çmenduria e realitetit të Ramës dhe të gjithë kastës së tij.