Deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi ka dënuar ashpër sulmin me armë në shtëpinë e gazetares së kronikës Klodiana Lala.
Përmes një postimi në Facebook, Çupi shkruan se kjo ngjarje e rëndë na ka tronditur të gjithëve, duke treguar se sa e rëndë është situata në vend..
Ndërsa shton se sulmi ndaj gazetarëve është sulm ndaj fjalës së lirë.
Ja postimi i Çupit:
Një ngjarje e rëndë dhe e papreçedente, sulmi me armë ndaj familjes së gazetares Klodiana Lala.
Kjo ngjarje na ka tronditur të gjithëve si shoqëri duke vënë në pikëpyetje sigurinë e secilit prej nesh.
Sulmi ndaj një gazetari është sulm ndaj lirisë , sulm i krimit të organizuar që tenton të mbyllë gojën profesionistëve përmes mjeteve që ata njohin, armëve.
Një akt mafioz i dënueshëm që duhet të marrë përgjigje me forcën e ligjit.
Si nënë, si grua, si drejtuese e Aleancës së Grave Deputete dua të inkurajoj Klodianën për të përballuar këtë ngjarje në këtë ditë të vështirë për të dhe familjen e saj.
Jam e bindur që ajo me profesionalizmin e palëkundur do të vijojë misionin e saj për informimin e publikut , por po ashtu u kërkojme organeve kompetente të zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë.