Akuzat kundër 69-vjeçarit janë formalizuar përmes kallëzimit në polici nga një 22-vjeçare franceze gjatë së hënës, siç raportojnë mediet në Francë.
Akuzat për ngacmime seksuale ndaj aktorëve s’kanë fund dhe preja e radhës është bërë aktori francez, Gérard Depardieu. Sipas disa burimeve gjyqësore, ai është akuzuar për përdhunim dhe agresion seksual nga një aktore e re në moshë.
Depardieu mohon kategorikisht të ketë bërë diçka të tillë, përmes avokatit të tij mbrojtës që ka folur për agjencinë e lajmeve “AFP”.
Akuzat kundër 69-vjeçarit janë formalizuar përmes kallëzimit në polici nga një 22-vjeçare franceze gjatë së hënës, siç raportojnë mediet në Francë.
Depardieu është një nga aktorët më të shquar të Francës, teksa ka luajtur role në filma si “Cyrano de Bergerac” dhe “Jean de Florette”.
Shkeljet e pretenduara prej tij thuhet të kenë ndodhur këtë muaj, në një nga rezidencat e Depardieu në Paris. Aktorja, emri i së cilës nuk identifikohet, e dorëzoi kallëzimin në policinë e Lambescut, në jug të Francës, e pas kësaj çështja u kaloi prokurorëve në kryeqytet.
Akuzuesja e Depardieu është aktore dhe autore e cila ka pasur njohje me aktorin në fjalë përpara se të ndodhnin ngacmimet e pretenduara. Ajo “është tronditur” nga sulmet në fjalë, është cituar të ketë thënë agjenti i saj për medien franceze “BFMTV”.
Avokati i Depardieu, Hervé Temime tha se është i bindur që klienti i tij do të shfajësohet në fund të hetimit.
“Kam pasur një takim të gjatë me Depardieu dhe jam tërësisht i bindur se pafajësia e tij do të vërtetohet”, tha ai për radion “France Info”. Edhe aktori, sipas avokatit, është “tronditur” nga akuzat, që shkojnë kundër gjithçkaje “që ai respekton”.