Sektori i ndërtimit është para një perspektive pozitive për shkak te numrit të madh të lejeve që po jepen në qytetet kryesore për të ndërtuar. Sipas të dhënave të INSTAT në gjashtëmujorin e parë të vitit numri i lejeve të dhëna për ndërtim arriti në 498 me një rritje prej 65 për qind në krahasim me 6-mujorin e vitit të kaluar.
Rritja më e madhe shihet të jetë në Bashkinë e Tiranës, ku u dhanë gjithsej 164 leje në gjashtëmujorin e parë, me një rritje 61 për qind në raport me vitin e kaluar. Ato zunë 33 për qind të numrit të përgjithshëm të lejeve të dhëna në të gjithë territorin e vendit.
Vetëm në tremujorin e dytë 2018 janë miratuar gjithsej 270 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 197 leje të miratuara në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rritje prej 37,1 % .
Sipas INSTAT, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e dytë 2018, është rreth 292.895 m 2 , nga rreth 229.387 m2 miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rritje prej 27,7 %.
Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike, në tremujorin e dytë 2018, është 11.4 miliardë lekë, nga 14.1 miliardë lekë miratuar në tremujorin e dytë 2017, duke shënuar një rënie prej 19,1 %.
Sektori i ndërtimit i është rikthyer ciklit rritës përgjatë dy viteve të fundit, si rrjedhojë e rigjallërimit të lejeve të ndërtimit. Në vitin 2017, në total, në gjithë vendin në 2017-n janë dhënë 819 leje ndërtimi, me një rritje prej 88.3% ose 384 leje më shumë.
Por kjo rritje e lejeve të ndërtimit nuk po shoqërohet nga zgjerimi i huas për këtë sektor, në një tregues indirekt se lulëzimi i ndërtimit nuk po financohet në pjesën më të madhe nga kreditë bankare. Të dhënat e fundit të Bankës së Shqipërisë tregojnë se në maj 2018, stoku i huas për ndërtimin
Më herët bankierët kanë pohuar për Monitor se e shohin me shumë optimizëm rendjen e sipërmarrësve drejt ndërtimit dhe as nuk janë shumë aktive në financimin e këtij sektori, madje janë të frikësuara se kjo mund të kthehet në një bumerang në afatin e gjatë. Ata pohojnë se për këtë kanë diskutuar dhe me autoritetet shtetërore, duke i paralajmëruar se po shtrohet rruga drejt një flluske.
Ndërtimi ka qenë historikisht një sektor problematik dhe deri në fund të vitit 2015, huaja e pakthyer në afat e ndërtuesve ishte sa 38.1% e totalit, sipas të dhënave të fundit të disponueshme të Bankës së Shqipërisë. Ndonëse pesha e huave me probleme ka rënë për shkak të fshirjeve, kjo bën që bankat të jenë shumë të kujdesshme me huan e re./Monitor