“Heroina” që përshkoi pyllin dhe i shpëtoi jetën 15- vjeçarit të kafshuar nga gjarpri

0
295

Mund të cilësohet padyshim si “heroina” e ditës. Meriton nderim dhe respekt të thellë. E pakursyer, e palodhur, me shpirt human, kjo grua i shpëtoi djet jetën një 15 vjeçari që rrezikonte me jetën. Quhet Rruzhdie Xheka. Punon si infermiere në Njësinë Administrative Tunjë të Gramshit.

Dje  në fshatin e thellë malor të Gramshit, Jançe Verri, ndodhi një ngjarje e rëndë. Nepërka kafshoi 15 vjeçarin Ledio Dollani. Gjendja e tij u përkeqësua në pak minuta ndërsa helmi avanconte në organizëm.

Për ngjarjen u njoftua infermierja e cila është nisur menjëherë në këmbë drejt fshatit duke e përshkuar e vetme rrugën në pyll në më pak se një orë.

Sapo ka mbërritur infermierja i ka çarë plagën e kafshimit të gjarpërit, ka thithur helmin dhe ka kryer mjekimet e nevojshme. Gjendja e tij është përmirësuar, ndërsa është monitoruar personalisht nga infermierja me një eksperiencë 20 vjeçare dhe që gëzon respekt në të gjithë zonën.

Pas punës profesionale të kryer familjarët kanë falënderuar infermieren, që u shpëtoi djalin. Ndërsa ajo me modesti është shprehur se ka kryer detyrën, se është vëtë nënë dhe se nuk do të kursehet duke u ardhur në ndihmë gjithkujt që kanë nevojë.

Rruzhdie Xheka shpëtoi nga vdekja 15 vjeçarin pasi nuk kishte kohë për ta transportuar për në spital. Ajo kreu punën e një ekipi të tërë mjekësor që raste të tilla janë mjaft delikate edhe në spitalet më të specializuara. Por në fshatrat e Njësisë Administrative Tunjë banorët shprehen se ajo ka shpëtuar mjaft jetë njerëzish duke iu gjendur në çdo kohë. Rruzhdia e meriton urimin tonë: Shëndet dhe jetë të gjatë “heroinë” e ditëve të sotme” Infoelbasani.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here