Regjistrohet rënia më madhe në 10 vjet…

0
210

Sistemi bankar ka qenë shumë i zënë me proceset e shitblerjes në 6 muajt e parë të vitit, duke “lënë mënjanë” detyrat e tij. Kredia për ekonominë mbetet e frenuar, teksa depozitat ishin në rënie për muaj radhazi, me përjashtim të qershorit. Fitimet shënuan stanjacion pas rritjes së fortë të vitit të kaluar. Zhvillim pozitiv është ulja e kredive me probleme…

Nga Ornela Liperi, Monitor

Sistemi bankar nuk ka arritur t’i kthehet rritjes në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos qenë në një linjë me përshpejtimin e rritjes ekonomike, që u zgjerua me 4.45% në tremujorin e parë të vitit, sipas INSTAT. Të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se aktivet kanë shënuar rënien më të fortë të 10 viteve të fundit, sidomos në tremujorin e parë (e ndikuar dhe nga rënia e euros), kredia ka ngecur, depozitat janë në reduktim. Në kahun tjetër, treguesit e përfitueshmërisë ishin të qëndrueshëm, teksa huatë me probleme janë në rënie të vazhdueshme.

Shitblerjet janë në kulmin e tyre dhe numri i bankave shumë shpejt pritet të reduktohet nga 16 në 14.

Përpjekjet e Bankës së Shqipërisë për të ulur nivelin e lartë të përdorimit të euros në ekonomi, të nisura në shkurt, kanë dhënë pak efekt në drejtim të kredisë, por jo tek tepozitat, ndërsa euro vijon të jetë e preferuara e kursimtarëve.

Aktivet, në rënie të fortë

Në fund të muajit qershor, totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1.43 trilionë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në raport me fundin e 2017-s, aktivet janë tkurrur me 1.3%, ose 18 miliardë lekë (reduktimi më i fortë ishte në tremujorin e parë me 13.5 miliardë lekë), duke shënuar rënien më të madhe që prej fundit të vitit 2008, kohë kur sistemi bankar vuajti një rrjedhje të depozitave si rrjedhojë e frikës së krizës financiare globale që shpërtheu në atë kohë. Efekt ka dhënë edhe zhvlerësimi i euros.

Dy janë zërat kryesorë që kanë ndikuar në këtë tendencë negative të aktiveve, apo të indikatorit që tregon se si i investojnë bankat paratë e depozituesve.

E para është “Marrëdhënie me Bankën Qendrore”, teksa bankat kanë reduktuar paratë që mbajnë në institucionin monetar qendror me 24 miliardë lekë, në 6 muajt e parë të vitit.

Së dyti, është zëri i “Veprimeve me klientët (bruto)”, i cili ka rënë me 19 miliardë lekë. Ky zë tregon ecurinë reale të kredisë për ekonominë, pasi është i zhveshur nga efekti i fshirjes së huave. Tkurrja e tij është e ndikuar më shumë nga rënia e huasë afatshkurtër.

Kreditimi real për ekonominë po shënon rënie që nga tremujori i tretë 2017.
Në të kundërt ka qenë tendenca e parave që bankat vendase vendosin jashtë në “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare”. Ky zë është rritur me 13 miliardë lekë në 6 muajt e parë të 2018-s, në raport me fundin e 2017-s.

Kredia e frenuar

Stoku i huasë për ekonominë ka shënuar rënie në gjashtë muajt e parë të këtij viti, duke mos reflektuar aspak rritjen e vendit, që në tre muajt e parë të vitit, sipas INSTAT, u zgjerua me 4.4%. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i huasë për ekonominë në muajin qershor zbriti në 530 miliardë lekë, me një tkurrje prej 9.3 miliardë lekësh, apo 1.7% në krahasim me muajin e mëparshëm.

Rënia ka qenë e pandalshme në 6 muajt e parë të këtij viti, duke u tkurrur me 20 miliardë lekë. Kjo është tkurrja më e madhe historike, të paktën që prej vitit 2002, kur Banka e Shqipërisë raporton statistikat e kredisë.
Ky është niveli më i ulët i stokut të huasë për ekonominë, që prej tetorit të vitit 2011.

Tkurrja në qershor ka ardhur si rrjedhojë e rënies së kredisë për korporatat publike, me 12 miliardë lekë, si rrjedhojë e shlyerjes së overdraft të KESH në banka, pas lëvrimit të huasë nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Ndërsa në raport me fundin e 2017-s, tkurrja e kredisë ka ardhur si rrjedhojë e rënies së huasë në valutë për bizneset, por edhe për individë. As stoku i kredisë në lekë për biznese nuk ka shënuar rritje, përkundrazi.

Të vetmit që po preferohen për t’u kredituar nga bankat janë individët në monedhën vendase, kryesisht për blerjen e pasurive të paluajtshme.
Që prej shtatorit të vitit 2017, huaja për ekonominë po rezulton me rënie të ndjeshme. Bankat janë skeptike për të dhënë hua, teksa janë përqendruar në segmentin e mesëm dhe ankohen se mungojnë projektet e mira për të financiar. Arsye të tjera që kanë ndikuar në rënien e stokut janë fshirja e kredive, që kanë më shumë se tre vjet që nuk kthehen, si dhe nënçmimi i euros.

Edhe kredia e re për 6-mujorin është në rënie, me 3.1%, në raport me janar-qershor 2017, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ku në rënie ishin overdrafti dhe kapitali qarkullues në lekë, blerje pajisjesh në euro dhe blerje banesash në euro.
Stoku i kredisë në valutë ka zbritur për herë të parë nën kufirin e 50% të totalit në qershor 2018 (49.8%), nga 50.7% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Orientimi i bankave për të nxitur kredinë në lekë, duket se ka ndikuar në këtë tendencë.

Depozitat më në fund në rritje, nga… valuta

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, totali i depozitave në sistemin bankar në fund të muajit qershor arriti në 973 miliardë lekë, duke u rritur me 5 miliardë lekë, ose rreth 0.5% në krahasim me muajin e mëparshëm. Kjo është rritja e parë pas 7 muajsh radhazi që kursimet kishin shënuar vetëm rënie.

Pavarësisht përpjekjeve të Bankës së Shqipërisë për të dekurajuar kursimet në euro, ato i janë kthyer sërish rritjes në muajin qershor, të udhëhequra nga individët. Kursimet në lekë u rritën me vetëm 860 milionë lekë në raport me majin, teksa individët vijojnë të reduktojnë kursimet me afat në lekë. Depozitat në afat në lekë kanë vijuar rritjen që ka nisur prej gati 7 vitesh, që kur Banka e Shqipërisë filloi uljen e normës bazë të interesave bazë, që u shoqërua me uljen e normës së kthimit nga depozitat, që aktualisht është më pak se 1% në vit për depozitat 12-mujore.

Kursimet në valutë, në të kundërt, në maj u rritën me 4.1 miliardë lekë në krahasim me muajin e mëparshëm, si rrjedhojë e rikthimit të depozituesve individë. Pesha e depozitave në valutë, në fund të qershorit, ishte 52.8%. Që prej muajit shkurt, Banka e Shqipërisë nisi një fushatë për deeuroizimin e ekonomisë, që të dekurajonte përdorimin e euros, por sërish monedha e përbashkët mbetet e preferuara e kursimtarëve shqiptarë.

Në krahasim me dhjetorin e vitit të kaluar, depozitat në total janë ulur me 28 miliardë lekë, ose rreth 225 milionë euro, ku gjysma e rënies ka ardhur nga valuta dhe gjysma nga kursimet në lekë.
Shqipëria vlerësohet që ka nivelin më të lartë të kursimeve në rajon. Në fund të muajit qershor, ato ishin të barabarta me rreth 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga rreth 40% që është mesatarja e rajonit. Megjithatë, në krahasim me disa vjet më parë, kur depozitat në Shqipëri ishin rreth 70% të PBB-së, ka një rënie të dukshme.

Huatë me probleme, në rënie

Kreditë e pakthyera në afat në banka kanë shënuar rënie të mëtejshme në muajin qershor, duke zbritur në 13.27%, nga 13.31% që kishin qenë në muajin e mëparshëm. Ky është niveli më i ulët i këtij treguesi që nga dhjetori 2017, kur huatë me probleme arritën në 13.23%, teksa treguesi nuk kishte zbritur poshtë 14% që nga 2010-a.

“Banka e Shqipërisë konstaton se rënia e rrezikut të kredisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm i bilanceve, sikundër ilustrohet nga rënia në nivelin 13.27% e raportit të kredive me probleme, duhet të gjejnë pasqyrim më të mirë në politikat e kreditimit të sektorit bankar”, ka pohuar guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën e fundit për shtyp. Ai shtoi se në përgjithësi, rritja e kredisë është në linjë me përmirësimin e moderuar të kërkesës për të. Megjithatë, vrojtimi i aktivitetit kreditues sugjeron se standardet dhe kushtet e kreditimit të aplikuara nga sektori bankar vijojnë të mbeten konservatore.

Në vlerë absolute, kredia e pakthyer në afat në banka në fund të muajit qershor ishte 70 miliardë lekë (558 milionë euro), nga 74 miliardë lekë në janar, me një rënie prej 5%. Pavarësisht rënies, kreditë e pakthyera në afat në sistemin bankar shqiptar mbeten më të lartat në rajon. Sipas raportit të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, në tremujorin e parë të vitit 2018, niveli i kredisë me probleme (NPL) në Shqipëri mbeti stabël në 13.4% të totalit të huasë, pas një tendence rënëse në 2017-n.

Në Serbi, e cila dikur kryesonte në rajon, NPL-të kanë zbritur në 9.2%, niveli më i ulët i dekadës. Edhe Mali i Zi i ka ulur huatë me probleme në 7.3%. Të tre këto shtete, Shqipëria, Serbia dhe Mali i Zi, e kishin deri dy vjet më parë treguesin e NPL-ve që i kalonte 20%, por pas strategjive që ndoqën për uljen e kredive me probleme, ky tregues u reduktua ndjeshëm, por me ritme më të larta në Serbi dhe Mal të Zi.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, 9.7% e huave janë të pakthyera në afat, në Maqedoni 6.5%. Në Kosovë, ky tregues është vetëm 3.1%, nga 8.7% që ishte në vitin 2013, sipas shifrave të publikuara nga Komisioni Europian.

1 / 9

Treguesit e përfitueshmërisë

Fitimi i sistemit bankar në 6 muajt e parë të vitit ishte 11 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, që raporton në bazë të standardeve kombëtare të kontabilitetit. Në krahasim me të njëjtën periudhë të 2017-s, fitimi ra lehtë me 4.2%. Një vit fitimi për të njëjtën periudhë ishte rritur me 127% si rrjedhojë e rimarrjes së shpenzimeve të provigjioneve.

Mjedisi me interesa të ulëta po ndikon në mosrritjen e të ardhurave të bankave, teksa ulja e kredive me probleme ka lehtësuar provigjionimet e bankave, që vitet e fundit kishin qenë faktori kryesor që kishin ndikuar në rënien e fitimeve. Treguesit e përfitueshmërisë u përkeqësuan lehtë në raport me 6- mujorin e parë 2017.
Kthimi nga aktivet ishte 1.2% mesatarisht për 6-mujorin e parë 2018, nga 1.4% në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kthimi nga aktivet ishte 10.96%, nga 15% që kishte rezultuar ky tregues për janar-qershor 2017.

Sipas të dhënave të Shoqatës së Bankave, që raporton sipas standardeve ndërkombëtare (në bazë të të cilave paguhen edhe tatimet), fitimi i bankave u përgjysmua në 5.6 miliardë lekë për 6-mujorin e parë 2018, në raport me janar-qershor 2017. Ndryshimi mes dy standardeve qëndron në mënyrën se si kryhen provigjionimet (shpenzimet që bankat lënë mënjanë për kreditë me probleme). Dy bankat kryesore, BKT dhe Raiffeisen, rezultojnë me përgjysmim të fitimeve, sipas Shoqatës së Bankave /Monitor

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here