Debatit tashme të gjerë pas inisiativës së Presidentit të Kosovës per një marrëveshje për shkëmbim territoresh me Serbinë i është bashkuar edhe shkrimtari shqiptar Kim Mehmeti
Publicisti i njohur shqiptar nga Maqedonia Kim Mehmeti ka deklaruar në ‘Fax News’ se ideja e shkëmbimit të territoreve me Serbinë është një plan serb dhe në dëm të interesave kombëtare.
Sipas tij në vend që Serbia të mbahej në temat e të pagjeturve të luftës dhe krimet që ka shkaktuar ndaj shqiptarëve, tani po bisedohet për shkëmbim territoresh. Kjo për Kim Mehmetin është të kthehesh në kohën e Sllobodan Millosheviçit në vitin 1991 i cili gjithë luftën gjakatare e bëri për kufij.
Fajin për këtë Mehmeti ua vë elitave politike të korruptuara në Kosovë dhe në Shqipëri që nuk kanë qenë asnjëherë të interesuara për interesin kombëtar por thjeshtë mendonin si të grabisnin.
Sipas publicistit, Thaçi këtë ide e ka marrë nga laboratorët serbë.
“Ai e vodhi nga laboratori serb. Kur Serbinë duhet ta mbanin në tema se ku janë të pagjeturit e tjerë Serbia bisedon si të dojë duke ia mbuluar gjithë këtë mëkat.
Kur tërë bota bën rreshtim të forcave, ti del me këtë ide, si mund të jetojë me këtë frikë një shqiptar në Preshevë apo serb në Kosovë.
Si mund të dilni me këtë ide kur shqiptarët e Maqedonisë janë 30% dhe nuk thua se çfarë do bëhet me ta. Por popujt që nuk kanë koka shumë lehtë u vidhet toka. Ti jep toka shqiptare dhe merr toka shqiptare. Ideja për shkëmbim territoresh është ide e vjetër sebe, është folur edhe gjatë socializmit se Kosova duhet të ndahet.
Ndërkombarët janë duke bërë gabimin që bënë me Millosheviçin, duan zgjidhje me njerëzit që shkaktuan problemin. Dhe me një president, presidentin e Kosovës që më shumë hallin e ka si të shpëtojë veten se shtetin.
Nëse diçka që përdorin mirë politikanët shqiptarë është që gjithë vlerat perëndimore që proklamonin i përdorin për hajdutokracinë.
Këta i lëpihen të huajit dhe kafshojnë të vetin. Këta vjedhin vota, ku ka hajdutëri më të madhe se kjo. Dhe tani këto flasin se ne duhet të shkojmë në NATO.
Do të ishte shumë normale që me këtë propozim të dilte presidenti i Serbisë dhe jo i Kosovës. Shqiptaria nuk ka asnjë koncept për të ardhmen e vet.
Me koncepte për ndarje territoresh shqiptarët nuk kanë pasur favore. Me çfarë do ta sfidojmë Serbinë që të marrim Preshevën dhe të mos japim veriun.
Ç’do të bëjnë shqiptarët në Maqedoni, do të hapet precedenti. Pas kësaj republika Srpska ikën me Serbinë, dhe kjo ide shkatërron dy shtete të tjera, Bosnjën dhe Maqedoninë, është e pamundur pastaj të mbahen këto shtete në këto kushte.
Serbia ka ardhur aty ku ishte në fillimin e 1991, Vuçiçi e ktheu atje ku ka filluar. Jemi kthyer ku ishim me Millosheviçin, tek kufijtë. Millosheviçi i filloi luftërat për shkak të territoreve. Por pse ndodhi, sepse me njerëz që shtetin e ndiejnë si pronë të vet nuk mund të ndërtohet shtet”, tha Kim Mehmeti.
I pyetur për reagimin e faktorit shqiptar pas deklaratave të Hashim Thaçit, Mehmeti deklaroi se mungesa e një reagimi të fuqishëm tregoi se ne fatkeqësisht po bëhemi të pandjeshëm për fatin tonë. Pasi në rast të kundërt sipas tij më sa paku 100 mijë shqiptarë do duhej të kishte në sheshin e Prishtinës për ti thënë “Livadhet e gjyshit po shkëmben?”
“Mendoj se kjo zhurma pas deklaratës, pak më mirë e shpalosi se ku qëndrojmë ne shqiptarët, që nuk ka asnjë bashkëpunim të faktorit shqiptar, përveç nëntokës së politikës. E keqja është se nga të gjithë këto Shqipëri që i kemi asnjëra nuk është normale, këta të Tiranës bashkëpunojnë me ata të Maqedonisë, të Kosovës po ashtu. Pas një zhurme të tillë duhet të mblidheshin 100 mijë vetë në Prishtinë dhe t’i thonin Hashim Thaçit: Je duke shkëmbyer livadhin e gjyshit?
Tek ne çfarë do që të thuash nuk ka dallim mes gënjeshtrës dhe të vërtetës. Ku janë elitat tjera? Akademia Serbe ka 100 projekte për Kosovën, ku është Akademia Shqiptare?
Nuk është demokracia për vendet e varfra, nuk mund të jetë i pavaruar një akademik me 500 euro rrogë. Prandaj nuk është problemi që elitat politike janë të korruptuara por gjithë ne u korruptuam. Për shtetet e varfra është iluzion të thuash se ka demokraci.
Një shtet e çon para truri dhe guximi rinor, por këta ikën jashtë. Sot jetojmë në një diktaturë të çuditshme ku nuk të vret pse kalon në kufi por të vret nëse qëndron në Shqipëri”, tha Kim Memeti.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit Rama. Kim Mehmeti e cilësoi si historike faktin që Prishtina dhe Beogradi po flasin vetë mes tyre. Ai tha se për politikanët shqiptarë takime historike janë të gjitha ato që u mundësojnë qëndrimin në pushtet.
Sipas publicistit, edhe Rama ka diskutuar me Vuçiçin për ndarjen e Kosovës, këtë ai e argumentoi duke thënë se Serbia dhe Vuçiçi nuk pranojnë të diskutojnë për ndonjë temë tjetër përveç se kësaj teme se si të marrin më shumë territore nga Kosova, prandaj kur ulesh të bisedosh me të, rrjedhimisht do të flasësh për këtë temë.
“Për politikanët tanë mundësi historike janë të gjitha ata që ua mundëson tmbetjen në pushtet.
Ne kemi arritur në një periudhë shumë të rrezikshme ku jemi bërë të pandjeshëm për fatin tonë. Edhe sot në Kosovë brezi që ishte djepi i rezistencës dhe atdhetarisë nuk ngrihet. Nuk është shans historik që të ndahet Kosova se është propozuar ndarja që në vitet 70’.
Qendrat e kryekriminelëvë janë në Tiranë dhe Prishtinë. A e dinë ju se bashkëpunëtorët më të mirë të Gruevskit ishin disa burrështetas në Tiranë dhe Prishtinë. Problemi jonë tani edhe në Maqedoni nuk janë më maqedonasit, por elitat tona politike.
Me Vuçicin, Kryeministri i Shqipërisë ka biseduar për shkëmbim teritioresh se ai vetëm këtë temë të lë ta bisedosh, pasi nuk të lejon të bisedosh për të pagjeturit e probleme të tjera. Serbët janë ulur me shqiptarët, përfshirë kryeministrin e Shqipërisë vetëm për t’i shkëputur territore Kosovës”, ka deklaruar ndër të tjera Kim Mehmeti.