Është liruar nga burgu Ermal Hoxha. Nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, ka lënë qelinë plot tre ditë më parë.
Ermal Hoxha u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda në korrik të 2017 me 10 vite burgim me gjykim të shkurtuar, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit ‘Xibraka’. Nga gjykimi i shkurtuar dënimi zbriti në 6 vite dhe 8 muaj burgim.
Operacioni u zhvillua katër vite më parë në Elbasan.
Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda me një vendim në nëntor të vitit 2017 pranoi kërkesën për gjykim të shkurtuar për grupin e Xibrakës, duke i ulur 1/3 e dënimit për të gjithë të akuzuarit. Një kërkesë e tillë ishte refuzuar më parë nga Gjykata e Shkallës së parë. Nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha do të vuajë vetëm 6 vite e 8 muaj dënim me burg, nga 10 që kishte vendosur Gjykata e Shkallës së Parë.
Nipi i Enver Hoxhës, Ermal Hoxha, ishte mes 9 të arrestuarve të akuzuar për “Trafik droge” dhe pjesë e grupit të strukturuar kriminal. Ai u arrestua pasi më parë ishte filmuar nga agjentët e policisë në laboratorin e drogës në Xibrakë të Elbasanit. Ai kishte vizituar vendin ku përpunohej pluhuri i bardhë dhe kjo e ka implikuar. Në shtëpinë e vjehrrit në Durrës, u gjendur edhe automjeti i tij tip “Volvo” me ngjyrë blu, e cili iu nënshtrua një kontrolli të imtësishëm nga ana e specialistëve të antidrogës.
Dosja e Prokurorisë për Krimet e Rënda
Hetimi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda mësohet se ka nisur në bazë të një informacioni të mbërritur në Drejtorinë e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme në datë 17.12.2014 nga ana e autoriteteve gjyqësore gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të lëndëve narkotike. Ky informacion iu përcoll Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila në dt. 18.12.2014, regjistroi me iniciativë (kryesisht) procedimin penal për “trafikim të lëndëve narkotike” dhe vijoi hetimet lidhur me personat e dyshuar si të përfshirë në këtë grup të strukturuar kriminal.
Në bazë të të dhënave të përfituara gjatë hetimeve paraprake, të zhvilluara në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, në datë 14.01.2015, prokuroria njofton se u organizua operacioni për arrestimin në flagrancë të disa shtetasve, të cilët gjendeshin në ambjentet e një ish-magazine, e cila rezultoi që ishte shndërruar nga të dyshuarit në një laborator për përpunimin e lëndës narkotike të llojit kokainë. Po ashtu, në vijim të operacionit, në bazë të të dhënave të përftuara gjatë hetimeve paraprake të Prokurorisë për Krime të Rënda, u arrestuan edhe disa persona të tjerë në zona të ndryshme, në total u arrestuan 9 persona.
“Në bazë të veprimeve paraprake dhe provave materiale të zbuluara gjatë operacionit, personat e arrestuar, dyshohen se kanë konsumuar elementët e veprave penale të “trafikimit të narkotikëve”, të mbetur në tentativë, “prodhimit dhe fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope, “prodhimit, tregtimit dhe përdorimit të paligjshëm të prekursorëve”, “mbajtjes, prodhimit dhe transportimit të substancave kimike” si dhe “grupit të strukturuar kriminal” të parashikuara nga nenet 283/a-22, 284/c, 284/ç, 285 dhe 333/a. Ndërkohë, dy prej tyre akuzohen edhe për veprën penale të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit” të parashikuar nga nenet 278/2 dhe 278/4 të Kodit Penal. Në bazë të të dhënave të siguruara deri në këtë fazë të hetimit, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon caktimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” për 9 personat”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria për Krimet e Rënda ka krijuar dyshimet e para mbi rolet e të arrestuarve nga operacioni policor që zbuloi të mërkurën një laborator të drogave të forta në Xibrakë të Elbasanit.
Nga hetimet paraprake ka rezultuar se bëhet fjalë për një grup të strukturuar kriminal me role të ndara. Burime të Prokurorisë bënë me dije se i arrestuari Ilir Hyseni realizonte kontaktet me furnitorët dhe blerësit fundorë në Gjermani.
I arrestuari Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, dyshohet se siguronte mjetet financiare. Pjesa tjetër e të arrestuarve dyshohet të jenë korrierë, ndihmës dhe bashkëpunëtorë të niveleve më të ulëta.
Burime pranë organit të akuzës konfirmuan që grupi i trafikut ka të paktën një vit që vepron në Shqipëri, por aktiviteti i dy muajve të fundit është monitoruar.
Haki Çako, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë, tha mbrëmë në programin “Opinion” se kokaina nuk vinte e pastër në Shqipëri, por në forma të ndryshme, kryesisht e shkrirë në një solucion për lëkurat. Sipas të dhënave nga hetimi, i arrestuari Ilir Hyseni është personazhi kryesor që mbulonte sigurimin e drogës jashtë vendit dhe sjelljen e saj në Shqipëri.
Në vijim ishte po ai që survejonte kalimin e saj në vende të Europës, kryesisht në Gjermani. Sipas hetimeve, i arrestuari tjetër i këtij operacioni, Ermal Hoxha, ka pasur rolin e financuesit dhe të financierit. Ai dyshohet se ishte personi që mbulonte likuidimin e drogës kur hynte në Shqipëri dhe që merrte paratë nga marrësit kur nxirrnin kokainë jashtë vendit.
Vendimi për 9 të pandehurit
6 vite e 8 muaj burg për Ermal Hoxhën
12 vite burg për Ilir Hysenin
10 vite burg për Arjan Dalipin
13 vite burg për Genci Xhixhën
11 vite burg për Gentin Gjonajn
12 vite burg për kolumbianin Cesar Avila
12 vite burg për kolumbianin Valter Moreno
11 vite burg për Klemend Dalipin
13 vite burg për Sajmir Batkun