Deputeti i LSI Shezai Rrokaj ka reaguar pas arrestimit të djalit të deputetit të PS Rrahja. Permes nje postimi ne facebook Rrokaj shkrun se arresimi i djalit të deputetit Rrahja për ushtrim dhune dhe përndjekje tregoi se, sikundër provoi edhe ekspertiza mjekësore, ai duhej ndaluar për veprën në fjalë, qysh në momentin e denoncimit.
Postimi i plotë:
Çdo gjë është e qartë: ky kryeministër do të ndëshkohet vetëm prej të vërtetave dhe kur të gjithë bëhen bashkë në mbrojtje të tyre
Arrestimi i djalit të deputetit Rrahja për ushtrim dhune dhe përndjekje tregoi se, sikundër provoi edhe ekspertiza mjekësore, ai duhej ndaluar për veprën në fjalë, qysh në momentin e denoncimit. Njëkohësisht, arrestimi tregoi se Emiliano Nuhu, për këtë çështje, nuk është ‘horr’, sikundër e cilësoi në mënyrë të padenjë dje kryeministri, por një punonjës policie që guxoi të thotë të vërtetën për këtë çështje. Arrestimi shpërfaqi gjithashtu para shqiptarëve se policia ishte dashur të vepronte, kur viktima e dhunuar ishte drejtuar në disa komisariate policie dhe autoriteteve të larta dhe ato nuk kishin vepruar, pasi nuk ka nevojë të jesh ekspert për të kuptuar se gjëja e parë që duhet të bënte policia ishte ekspertiza mjeko-ligjore dhe të vepronte si tani qysh prej denoncimit të parë, pa pritur reagimin e nënkomisarit dhe atë politik e publik, e ca më pak prononcimin e kryeministrit, që na thotë se gjoja nuk ishte ‘në dorën e tij’.
Enigma e mosveprimit nga ana e policisë u kuptua qartë se ka vetëm një njeri që komandon gjithçka dhe ky është kryeministri, i cili me ‘të ndëshkuar’ aktin e dhunës, policia u vu në lëvizje dhe bëri ndalimin. Kjo ‘kthesë’ e kryeministrit erdhi pas denoncimit të nënkomisar Nuhut, të cilin prej marazit, se duke bërë detyrën ia plasi ‘bombën’ në shtëpinë e tij politike, e quajti ‘horr’, dhe sidomos prej reagimit frontal të gjithë opozitës, dhe një pjese të medias dhe shoqërisë civile.
Një gjë është e qartë: ky kryeministër do të ndëshkohet vetëm prej të vërtetave dhe kur të gjithë bëhen bashkë në mbrojtje të tyre.