Xhisiela Maloka, ka dalë sot në intervistën për Eni Vasilin kundër dëshmisë së saj në Prokurori dhe ekspertizës mjeko-ligjore.
Ndërsa Eni Vasili i ka vënë përballë fotot dhe dëshminë e saj, Xhisiela ka mohuar gjithçka edhe shenjat e dhunës së saj në trup.
“Unë nuk e kam lexuar atë ekspertizë, por shenjat në shpatull janë të një aksidenti që kam bërë në Patos. Makina është dërguar në varreza. Unë kam shenjë cigare edhe në vende të tjera sepse sa herë që ziheshim, digjnim veten. Edhe Rexhepin po ta shikonim, ka dhe ai shenja cigaresh. Nga nervat i bëjmë vetë. Absolutisht nuk po e justifikoj Rexhepin, nuk jam nën presion dhe as nën kërcënim. Nuk e kam pranuar mbrojtjen e prokurorisë. E gjithë kjo është bërë vetëm për një zënkë xhelozie. Nuk më ka djegur me cigare dhe nuk më ka kërcënuar me pistoletë. Thjesht më ka goditur me shuplakë. Nuk e di pse ish-oficeri i policisë më ka nxjerrë mua në media dhe po përdor njerëzit e pafajshëm, duke nisur nga babai i Rexhepit, deputeti Rrahman Rraja”, shprehet Xhisiela.