Haxhinasto: Paralajmërimi i komisionerit Avramopulos për rikthimin e vizave, shumë shqetësues

0
157

Deputeti i LSI Edmond Haxhinasto në një takimin me strukturat në Cërrik deklaroi se paralajmërimi i komisionerit Avramopulos për rikthimin e vizave, shumë shqetësues.

Fjala e deputetit të LSI në Qarkun e Elbasanit

Është e vështirë t’i shtosh ndonjë gjë këtyre që sapo tha kryetarja, e cila bëri një përmbledhje të gjithë asaj që po ndodh në vend dhe që ne po e përjetojmë sot. Por, po shtoj edhe unë dy fjalë. Kjo sallë ka qenë gjithmonë plot. Ka qenë gjithmonë me njerëzit e vendosur të Bashkisë së Cërrikut, të cilët kanë qenë një ogur i mirë për rezultatet e shkëlqyera të arritura në zgjedhje. Prezenca juaj këtu tregon se sa i rëndësishëm është ky takim dhe vetë momenti politik. Jam i bindur që ju i jepni rëndësinë e duhur momentit politik që po kalon vendi dhe besoj që si qytetar të lirë, ju nxirrni dhe përgjegjësitë tuaja për ta transformuar këtë situatë. Sepse partitë politike përgatisin platforma për qeverisje, por në fund të fundit janë njerëzit ata që marrin vendimin. Nëse njerëzit nuk marrin vendimin e duhur për të hedhur votën aty ku duhet, partive politike u ngelin propozimet e tyre në letër. Kështu që duhet të dini që ju keni fuqinë, sovranitetin për të transformuar këtë realitet që ne kemi sot.

Realiteti sot në Shqipëri është virtual. Ju që përdorni kompjuterët e dini shumë mirë që çdo të thotë kjo gjë. Virtual do të thotë ajo që sheh nga televizori, nga kompjuteri, nga Facebook-u, ajo që dëgjoni nga radio, etj. Situata nuk është e tillë në fakt në Shqipëri. Situata është ajo që shohim çdo ditë me ikjen masive të shqiptarëve nga vendi. Kjo nuk është thjesht çështje pakënaqësie e të sotmes. Është më shumë se kaq.

Para pak kohe e keni parë që jo vetëm në Qarkun e Elbasanit por në të gjithë Shqipërinë sesi djem të rinj shkonin jashtë. Ca shkonin po themi në Gjermani për një sezon, pastaj ktheheshin dhe shkonin për një sezon bujqësie në Greqi. Por, tani nuk është kështu situata. Tani shkojnë me gjithë familjen, me qëllimin për të mos u kthyer më. Kjo është shumë e rëndë.

E dëgjuat sot besoj edhe komisionerin Avramopulos, i cili kishte ardhur në Tiranë, i cili po flet për rivendosjen e vizave për shqiptarët. Pse? Sepse emigracioni ka kaluar përtej çdolloj limiti. Kemi shumë punë për të bërë në Shqipëri. Kemi nevojë edhe për punëtorin e krahut, edhe për ata të mendjes. A duam të shkojmë në BE? Si do bëhet kjo? Kush do të jenë ata drejtues që me mendjen e tyre do të bëjnë reformat për të shkuar në BE? Aktualisht kemi një mungesë të theksuar të kapaciteteve për të bërë detyrat e caktuara si komb, për të konkurruar si komb. Duhet të jemi si fqinjët tanë. Madje duhet të jemi edhe më të mirë se ata, për t’i bërë më shpejt gjërat, nëse duam të jemi qytetarët evropiane siç janë të tjerët. Jo të jemi qytetarë të dorës së dytë në Evropë, por të jemi të barabartë me qytetarët evropiane. Kemi rënë 156 vende për kapacitetet njerëzore. Kjo është tejet e rëndë. Kjo sepse mendja po ikën, njerëzit e kualifikuar po ikin. Kush do ngelet këtu? Do vijnë emigrantët të punojnë këtu? Jo, duhet të jenë shqiptarët që do ta ndërtojnë këtë vend.

Ky është një realitet që nuk duhet ta pranojmë e që duhet ta ndryshojmë të gjithë bashkë. Ju keni gjithë pjekurinë për ta kuptuar këtë situatë dhe padyshim për t’u pozicionuar për të bërë ndryshimin e madh politik që ka nevojë vendi. Ajo që kërkohet dhe që mungon sot është një ndjeshmëri për jetën e qytetarëve, për hallet e tyre.

Rritet ekonomia thuhet. Dakord, le ta marrim për pak të mirëqenë si fakt. Mirëpo të rritet ekonomia do të thotë që të rriten të mirat që përfiton. Ato që shpërndahen janë më shumë. Po atëherë si bie konsumi me 90 për qind, kur ekonomia rritet? Këtë e thotë INSTAT. Pra, kjo do të thotë që mundësia për të ngrënë dhe për tu veshur më mirë tek 90 për qind e shqiptarëve nuk ekziston. Ekzistuaka vetëm për 10 për qind të shqiptarëve. Kjo është shumë e rëndë të mendosh që Partia Socialiste është parti sociale, e njerëzve, që duhet të mendojë për shumicën e popullsisë. Por, nuk është kështu. Shikoni kush i merr kontratat. Shikoni kush përfiton nga paratë e buxhetit të shtetit.

Edhe dy fjalë përsa i përket koncesioneve. Pse jemi ne kundër kësaj që po ndodh? Koncesionet në mënyrën se si zhvillohen në Shqipëri, janë një metodë e fshehur për të bërë tenderime të drejtpërdrejta. Pse? Sepse me këto ligje që miraton parlamenti që thotë: do t’ia japim këtë kontratë X kompanie. Çfarë është evituar kështu? Është evituar konkurrimi dhe mundësia e kompanive të tjera për të marrë pjesë në atë tender. Shikoni se si kanë shkuar kostot e ndërtimit të veprave të infrastrukturës? Pse? Sepse mungon konkurrenca. Përveç faktit që 1/3-ta e tenderëve në Shqipëri është me prokurim të drejtpërdrejtë. Përveç faktit pastaj që këto janë borxh i shtetit. Sepse buxheti i shtetit planifikon çdo vit shumën që do t’i paguajë çdo vit kompanisë që ka ndërtuar një vepër të caktuar. Çfarë është kjo? Borxh. Një borxh që qytetarët e këtij vendi do ta paguajnë nëpërmjet taksave të tyre. Prandaj LSI ka bërë propozimet e saj ligjore, i kemi çuar në parlament, pavarësisht se nuk merren në konsideratë.

Një tjetër problem është ai i certifikatave të pronësisë. Një problem që duhet të ishte zgjidhur sikurse u tha që në fund të 2014-s. Përse nuk është zgjidhur? Sepse kjo çështje nuk merret seriozisht. Jemi në këtë gjendje të mpirë të tregut të tokës, të bujqësisë, ku pavarësisht të gjithave, ata që janë më të mëdhenjtë ata nxiten, ndërkohë që, shumica e atyre që merrem me bujqësi, janë njerëzit e thjeshtë. Këta janë ata që duhet të përfitojnë nga subvencionet, nga ato pak lekë që shteti i akordon për këtë sektor.

Kur në një vend krijohen situata të tilla si kjo e Shqipërisë, çfarë duhet bërë? Ku duhet të shkojmë? Duhet të shkojmë atje ku fillon demokracia. Pra, tek zgjedhjet, tek sovrani, te njerëzit. Jeni ju që vendosni se kush duhet t’ju qeverisë. Por ju e vendosni kush duhet të qeverisë kur sistemi e bën të mundur një gjë të tillë. Kur jeni sovranë kur e hidhni votën. Kur shkoni pa frikë në kutinë e votimit. Dhe kur të dalin gangsterët përpara në rrugë dhe të kthejnë duke thënë: ti ktheu mbrapsht se ti voton për LSI-në. E dimë shumë mirë këtë gjë, sepse shumë prej jush këtu po tundin kokën.

Prandaj duhet të bëjmë reformën zgjedhore me qëllim që secili prej jush të jetë sovran dhe me të drejtën e tij për të zgjedhur atë që do që t’i qeverisë. Prandaj ne si LSI kërkojmë edhe vettingun politik, që kur t’ju vijnë kandidatët këtu të mos keni dyshime se kush janë këto kandidatë, a janë trafikantë, a janë me emrin e vërtetë, a kanë karrierën e tyre, a janë të shkolluar ose jo, e kështu me radhë. Prandaj duhet vettingu në politikë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here