Eurobond-i është një instrument për financimin e borxhit dhe debati duhet bërë për borxhin dhe jo për instrumentat e financimit të tij. Por, nëse flitet për sukses apo dështim në emetimin e Eurobondi-it ai ka kuptim për emetimin e pare, dhe Shqipëria e ka arritur këtë sukses në vitin 2010 kur debutoi në tregun e Eurobond-eve, deklaron ish-zëvendësministri i Financave dr. Sherefedin Sehu . Kështu, emetimi i Eurobond-it të tretë nuk mund të quhet as sukses dhe as dështim. Aq më tepër që si instrument financimi ky mund të ishte edhe një “Lekobond” (obligacion në lekë) apo kredi në Euro nga bankat shqiptare.
Po të shikojmë përtej këtij Eurobond-i të pritshëm si mekanizëm financimi, fatkeqësisht ai do të rifinancojë Eurobond-in e vjetër, pra do të zgjasë afatin e tij, dhe do të na shtojë borxhin e ri me 100 milion Euro. Mbas rifinancimit, borxhi i vjetër do të ketë një kosto më të ulët, dhe ky mund të quhet si i vetmi sukses i këtij emetimi. Por, ky nuk mund të quhet sukses i Qeverisë sepse normat e interesit përcaktohen nga një sërë faktorësh që mund të përmblidhen në termin “konjuktura e tregut” dhe e vetmja meritë e Qeverisë është shfrytëzimi i saj.
Përtej kësaj, me emetimin e këtij Eurobondi, Qeveria paraljamëron rritjen e borxhit të fshehur sot nën emrin e “PPP-ve” dhe konfirmon vazhdimin e rritjes së borxhit të marrë më parë si rezultat i investimit në projekte që nuk e paguajnë veten dhe që nuk kanë dhënë efekt në rritjen e ekonomisë. Edhe pse Qeveria po mburret se po merr borxh me kosto më të ulët, në fakt ai është i shtrenjtë. Kostoja e borxhit nuk vlerësohet me normat e interesit të 3 apo 8 viteve më parë, por me kushtet e sotme të tregut. Eurobond-i i pritshëm i Shqipërisë është më i shtrejtë se sa i të gjitha vendeve të rajonit tonë dhe shumë më i shtrenjtë se ai i Maqedonisë i emetuar sëfundi dhe i pakrahasuar me nivelin mesatar të normave të interesit për vendet Europiane.
Por norma e interesit që pritet për këtë Eurobond është edhe më e lartë se ajo sektorit privat në Shqipëri ku ka kompani që kanë marrë borxh në Euro me 3.5% dhe për një afat më të gjatë se 7 vjet. Kostoja e Eurobond-it varet edhe nga vlerësimi i aftësive kredimarrëse të vendit që bëjnë kompanitë ndërkombëtare të specializura. Dhe, fatkeqësisht, Standrad&Poors e ulën vlerësimin kredimarrës të Shqipërisë në Dhjetor 2013 dhe që nga ky vit ai nuk është rritur.
Marrja e borxhit nga Qeveria në tregun e jashtëm krijon më shumë hapësirë për kreditimin e sektorit privat nga tregu i brendshëm. Por, fatkeqësisht ulja e kreditimit të sektorit privat në Shqipëri nuk ka ardhur nga mungesa e ofertës monetare në treg por nga ulja e kërkesës së biznesit për kredi. Kështu emetimi i këtij Eurobond-i nuk pritet që të nxisë kreditimin e brendshëm nëse nuk merren masa për përmirësimin e klimë së biznesit. Megjithatë do të rritet presioni ndaj sistemit bankar për të gjetur alternativa të tjera për investimin e parave të tyre. Në kushtet e mungesës së klimës së përshtatshme për biznes edhe në sistemin bankar ka filluar fenomeni i heqjes dorë të bankave të mëdha Europiane nga zotërimi i filialeve bankare në Shqipëri dhe shitja e tyre tek individë vendas ose pa eksperiencë bankare. Rifinancimi i Eurobondit ekzistues me një Eurobond me afat më të gjatë kontribon në uljen e rrezikut të borxhit publik sepse zgjatet maturimi i tij. Por, rritja e shumës së emetimit e rrit borxhin e huaj dhe për rrjedhojë edhe rrezikun e tij. Sot, borxhi i huaj përbën 46% të totalit të borxhit publik, niveli më i lartë në rajon, dhe rritja e mëtejshme e tij me borxhe tregu, jo-koncesionare, përbën një rrezik të shtuar për të ardhmen.
===
Ku “avullojnë” paratë e ndihmës ekonomike?
Një auditim pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nxjerrë në pah se përfituesit e ndihmës ekonomike që është në varësi të këtij institucioni paguajnë tarifa vërtetimesh që në disa raste janë aq sa masa e përfitimit. Referuar auditimit, Kontolli i Lartë i Shtetit nënvizon se këto vërtetime lidhen me fëmijët që familjet përfituese kanë nëpër shkolla apo vaksina të realizuara kanë kosto që imponohen nga institucionet që i lëshojnë ato. “Nga auditimi i disa dosjeve të përfituesve, rezultoi se përfituesit e ndihmës ekonomike të cilët marrin vërtetim në shkollë për fëmijët e tyre (2 herë në vit) për ndjekjen e arsimit bazë dhe vërtetim për çdo vaksinë të realizuar për fëmijët e tyre, në zbatim të neneve 8 dhe 9 të vendimit nr.955, datë 7.12.2016, të ndryshuar, paguajnë tarifat që kanë vendosur vetë institucionet për kryerjen e këtyre shërbimeve (lëshimin e vërtetimeve), të cilat janë shpesh herë të barabarta me përfitimin e përcaktuar” thuhet në raportin e KLSH.