Paketa fiskale, e përgatitur tashmë nga ministra e Financave dhe Ekonomisë, që do të shoqërojë projektbuxhetin e vitit 2019 pritet që të përmbajë 12 ndryshime ligjore në taksa e detyrime të tjera tatimore.
Ndryshimet për TVSH
Sa i përket ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, ndryshimet e reja parashikojnë përjashtimin nga TVSH-ja të lëndëve të para për fabrikat e prodhmit farmacetik, përjashtimin e nënkontraktorëve në industrinë fason, zgjerimin e listës së përjashtimeve për makineritë bujqësore si dhe TVSH në nivelin 10 % për autobuzët elektrikë të transportit publik që do të importohen.
Tatimi mbi të ardhurat
Sa i përket ligjit për tatimin mbi të ardhurat ndryshimi kryesor është ulja e normës së tatimit për dividentin nga 15 në 8 % që është thuajse përgjysmim. Po ashtu, rritja e kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë është një ndryshim tjetër që do të shoqërojë paketën e re fiskale. Po ashtu, paketa pritet të përmbajë edhe një depozitë që eleminon hapësirat e evazionit për fitimet kapitale të jorezidentëve në rastin e shitjes së kuotave të kompanive që ndodhen në Shqipëri.
Ligji për taksat kombëtare
Ndryshimet do të ketë edhe në fushën e taksave fiskale. Paketa e re parashikon kalimin nga taksimi i ambalazheve plastike te taksimi i materialeve plastike duke zgjeruar kështu gamën e taksimit nga qeset te produktet e tjera të plastikës. Ndërkohë, kompanitë që eksportojnë kromit, do të përballen me një rritje të nivelit të rentës minerare nga 6 % në 9 %.
Ligji për akcizat
Duhani i papërpunuar do të përballet me një rritje tjetër të nivelit të akcizës, ashtu sikurse edhe produktet e duhanit si purot. Po ashtu, do të ndryshojë mënyra e përllogaritjes së akcizës për biokarburantet ku vitin tjetër llogaritja do të bëhet në lekë për litër dhe jo në lekë për kilogramë sikurse është aktualisht. Një ndryshim tjetër është futja në grupin e akcizës e zhavorreve bituminoze që përdoren si lëndë djegëse alternative. Ndërsa ligji për procedurat tatimore do të pësojë ndryshime me qëllim shmangien e evazionit.
Ndryshimet që do të përmbajë paketa e re fiskale:
Ligji per tatimin mbi vlerën e shtuar
-Përjashtimi në import i lëndëve të para për fabrikat e prodhimit farmaceutik
-Përjashtimi nga TVSH i furnizimit të nënkontraktorëve për kontraktorët në industrinë fason
-Përjashtimi nga TVSH i importit të makinerive bujqëiosre sipas listës së miratuar me VKM nga çdo importues
-Normë e reduktuar TVSH 10% për importin e autobuzëve elektrikë të transportit publik
Ligji për procedurat tatimore
-Dispozita antishmangie të përgjithshme
Ligji për tatimin mbi të ardhurat
-Ulje e normës mbi dividentin nga 15 në 8 për qind
-Rritja e kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë lekë në 150 mijë lekë
-Dispozitë antishmangie për fitimet kapitale të jorezidentëve në lidhje me shitjet e kuotave të kompanive apo aktivet që ndodhet në Shqipëri
Ligji për taksat nacionale
-Kalimi nga taksimi i ambalazheve plastike te taksimi i materialeve plastike
-Rritje e rentës minerare për eksportin ek romit nga 6 % në 9%
Ligji për akcizat
-Vendosje e akcizës për zhavorrët bituminoze që përdoren si lëndë djegëse alternative
-Rritja e taksës së akcizës për duhanin e përpunuar dhe zëvëndësuesit e tij duhanet me ngrohje, purot
-Llogaritje e akcizës për biokarburantet nga lekë për kilogramë në lekë për liter
======
Rritje skandaloze e numrit të familjeve që nuk kanë kursime, as llogari
Numri i familjeve që nuk kanë pasuri financiare në formën e depozitave bankare dhe instrumente të tjera financiare apo edhe kursime cash ne shtëpi është rritur në 6 mujorin e parë të vitit në raport me fundin e vitit 2017. Banka e Shqipërisë zhvillon një anketë periodike, njëherë në 6-muaj me rreth 1300 familje në të gjithë vendin. Në vrojtimin e fundit që i përket gjashtëmujorit të parë të vitit Banka e Shqipërisë gjeti se 26% e totalit të familjeve të kampionit të vrojtuar (huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 29% e grupit të familjeve huamarrëse, deklarojnë se ‘nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiar. Të të dyja këto pesha janë rritur respektivisht me 7 pikë përqindje 4 pikë përqindje, krahasuar me vrojtimin e kaluar.
Duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (duke përjashtuar rastet që ‘nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare’), rezulton se ‘depozitat dhe/ose llogaritë bankare’ vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të familjeve (74% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (88% e rasteve të raportuara). Krahasuar me 6-mujorin e kaluar, këto pesha kanë shënuar rritje respektivisht me 7 pikë përqindje dhe 8 pikë përqindje.
Të 1140 familjet e pyetura kanë kanë deklaruar se zotërojnë në total 1666 prona të patundshme të llojeve të ndryshme ku: 95% (1079 familje) e tyre zotërojnë ‘1-2 prona të patundshme’, kryesisht të llojit ‘shtëpi banimi’ ose kombinim i një shtëpie banimi dhe një prone tjetër si ‘tokë’, ‘dyqan’, ‘godinë’ etj . BSH raporton se, 3% e të përgjigjurve (ose 37 familje) deklarojnë se zotërojnë ‘më shumë se 2 prona të patundshme’; dhe 2% e të përgjigjurve (24 familje) kanë deklaruar se “nuk zotërojnë asnjë pronë të patundshme”.
Duke e fokusuar analizën vetëm në grupin e familjeve huamarrëse (320 familje), rezulton se familjet e përgjigjura (316 familje) deklarojnë gjithsej 491 prona të patundshme, ku 64% e tyre janë të llojit ‘shtëpi’, 30% të llojit ‘tokë’ dhe pjesa tjetër janë ‘dyqane’, ‘godina’ dhe lloje të tjera pronash. Në shpërndarjen e familjeve huamarrëse sipas numrit të pronave që zotërojnë rezulton se: rreth 93% e tyre (298 familje) zotërojnë ‘1-2 prona të patundshme’ në momentin e intervistimit, dhe kjo peshë ka rënë me 1 pp krahasuar me vrojtimin e kaluar. Në shumicën e rasteve, këto prona janë një shtëpi banimi ose kombinimi i një shtëpie dhe një sipërfaqeje toke. Vetëm 4% e familjeve huamarrëse (14 familje) deklarojnë se zotërojnë ‘më shumë se dy prona’ dhe 1% deklarojnë se ‘nuk kanë asnjë pronë të patundshme’. Këto pesha nuk ka ndryshuar krahasuar me vrojtimin e 6-mujorit të kaluar.