Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, ka kërkuar ditën e sotme që të vazhdojë puna për reformën zgjedhore.
Me një deklaratë për mediat, Soreca thotë se kjo reformë është kyçe për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Deklarata e ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca:
‘Reforma zgjedhore është kyç për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç edhe u theksua në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian qershorin e kaluar.
Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it.
Në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc është bërë një punë shumë e mirë për reformën zgjedhore. Këto përpjekje duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, me ndryshime në ligjin zgjedhor, të miratuara në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019.’