Një kërkesë e papërmbushur e Kujtim Koxhës, 51-vjeçarit që vrau tre persona në Mat ka qenë dhe motivi i konfliktit me punonjësit e bashkisë.
Burime nga policia bëjnë të ditur se, Koxha, aktualisht kryeplak i fshatit Shëlli të Matit iu kishte kërkuar punonjësve të bashkisë t’i çonin rrugën deri te shtëpia e tij.
Por punonjësit i janë përgjigjur se kishin një projekt para, të cilin duhet të zbatonin që me sa duket nuk e parashikonte rrugën deri në shtëpinë e kryeplakut.
Ky ka qenë edhe momenti që mes 51-vjeçarit dhe punonjësve të bashkisë ka nisur sherri që solli më pas dhe masakrën. Mësohet se Koxha ka hyrë në lokal më një automatik dhe dy karikatorë. Njërin e kishte në armë dhe tjetrin në xhep.
“Kur ka hyrë një prej personave në lokal sa e ka parë, i ka kapur nga pas automatikun dhe ia ka ngritur lart. Nëse nuk do i kishte kapur armën, asnjë nuk do ishte gjallë. Ai na shpëtoi”, ka thënë një dëshmitar.
Mësohet se në lokal në kohën e ngjarjes ndodheshin gjithsej 7 persona, pjesa më e madhe punonjës të bashkisë së Matit.
Mentor Hoxha, (i vrarë në vend) Erzen Aliaj dhe Hamit Buçi (ndërruan jetë në spital) mbetën viktima të sulmit me armë.
I plagosur është shtetasi Astrit Hani. Policia arrestoi autorin rreth dy orë pas ngjarjes, ndërkohë që familja e tij është marrë në mbrojtje për shkak të frikës nga një hakmarrje e mundshme nga familjet e tre viktimave.