Besjan Pesha, aktivist i nismës Thurje, i ftuar në Fax News, ka komentuar vendimin e kryeministrit Rama për reformën ndaj pikave të basteve.
Pesha thotë se ajo që bën qeveria nuk është reformë, por një vendim për të favorizuar një kompani të caktuar duke i kthyer bastet në monopol.
Ai tha se, çdo shërbim qeveritar është duke u shndërruar në monopol, ndërsa shtoi duke iu përgjigjur kryeministrit i cili një ditë më parë tha se ata që duan të shpëtojnë bastet, të jenë të sigurtë se do të mbyllet çdo pikë basti e s’do të ketë monopol, se “nuk duam të shpëtojmë bastet por kryeministrin”.
Sipas aktivistit Pesha, problemi nuk mbaron me krijimin e një monopoli, por shkon edhe më tej, pasi ky ves do të përhapet edhe më shumë, pasi bixhozi do t’i mundësohet çdo qytetari që ka akses në internet, përfshi edhe fëmijët.
“Nuk kemi të bëjmë fare me një reformë, kjo nuk bëhet për të mirën e shqiptarëve, por për të favorizuar një kompani tjetër.
E them këtë sepse bixhozi është ves dhe shteti duhet ta kontrollojë. në çdo vend të zhvilluar, shteti bën rolin e rregullatorit, duke e kontrolluar atë, duke parë se ku janë problematikat më të mëdha.
Realisht sot nuk kemi asnjë përgjigje të saktë, kur kjo të dalë në mënyrë ilegale si do të operohet.
Faktet po tregojnë se qeveria po kujdeset të krijojë një monopol. Ky monopol mesa duket nuk do të jetë më me makineta, por me një ekran të thjeshtë, me një iPad, dhe do të jetë i disponueshëm në çdo bar, siç ndodh në Itali, dhe vesi jo vetëm që nuk do të frenohet por do të përhapet në mënyrë masive.
Ky është shqetësimi ynë, se po merret një vendimmarrje për të favorizuar një kompani të caktuar, dhe më e keqja është se në vend që të frenojë këtë ves të keq, do ta përhapë atë gjithnjë e më shumë”, – tha Pesha.
Ai shtoi se me këtë që po bëhet, çdo qytetar qoftë edhe fëmijë, mund luajë bixhoz, pasi nuk ka kontroll të atij që e luan, mjafton të ketë akses në internet dhe mund të vërë baste e luajë kazino.
Fax News