Në malin magjik të Lenies, ku uji bën mrekulli për të sëmurët…

0
262

Natyra shpesh fsheh brenda vetes çudira të rralla. Krahas bukurive, ku të çlodhet syri ajo krijon për njerëzit edhe ato gjëra, që një mjek nuk mundet t’i krijojë asnjëherë. Nga të njohurit e mi kisha dëgjuar për Burimin e Lenies, në një nga zonat më të thella të Gramshit, të përdorur prej shekujsh, duke e konsideruar ndër ujërat e ftohta kuruese në Shqipëri dhe jo vetëm aty..! Burimi ndodhet në lartësinë 1684 m mbi nivelin e detit, në shtrirjen e një akullnaje të vjetër kuaternare, ku ndodhen liqene të vegjël e ku ka me shumicë pisha malore qindravjeçare.

Nga Pëllumb Gorica

Një mëngjes të bukur u nisëm drejt Lenies, që ndodhet 50 kilometra larg Gramshit. Por, për të shkuar deri atje, duhet të ecësh në një rrugë të “mundimshme’’, me zigzage të shumta e shpesh të “pasigurta’’. Nuk ke arsye të ankohesh për rrugën e “keqe’’, nëse do të shijosh të mirat e natyrës, freskinë dhe magjinë e pyjeve të pishave, si një spital natyror, e më kryesorja ujin çudibërës, ku mund të bëhesh mjek i vetvetes që të shërohesh prej sëmundjeve pa ngurruar në kohën e duhur, por edhe të qetësohesh ca ditë larg zhurmës së trevave urbane. Kur e sheh pak me gjakftohtësi këtë guxim sfidues, për të bërë “celebrimin” e ligjshëm ajo ndjenja e furishme përbrenda vetes, të bën të mos ndjesh lodhje. Makina jonë ndoqi rrugën në të majtë të rrjedhës së lumit Devoll, që gjarpëron si një vijë e hollë dhe e kaltër grykave, pyjeve e kurrizeve shkëmbore.

Të kthyer në drejtim të xhamave të dritareve vështronim Bërsnikun, Kodovjatin, Bulçarin dhe Tragjinin, fshatra të vendosur rrëzë kodrave, që shfaqen si njolla shkëndijore në atë qilim të gjelbër të pyjeve. Edhe këtu erozioni ka bërë punën e vet së bashku me dorën lakmitare të njeriut, me pasojë shkatërrimin e ekuilibrit të natyrës, duke masakruar pyjet. Ndërkohë pushtohesh nga një ndjenjë zhgënjimi e arratisë së dhimbshme të fshatrave, si një kambanë alarmi, që do sjellë boshatisjen e tyre nga mungesa e kushteve për të jetuar, më kryesorja rrugës së pashtruar gjithë gropa, pluhur dhe lodhje, e cila prej vitesh nuk ka pasur përkujdesjen e duhur. Në Qafën e Dushkut, si portë natyrore të shfaqet në pëllëmbë të dorës, Kurata, Grabova e Poshtme dhe Shënepremte, me shtëpitë grupe-grupe sa një dorë, të fshehura mes gjelbërimit, si gjithë fshatrat e Gramshit. Më lart Shënepremtes është Grabova e Sipërme e banuar nga vllehët, të vendosur këtu pas djegies dhe shkatërrimit të parë të Voskopojës, që për të siguruar vetëqenien e tyre shkuan drejt vendeve të mbrojtura, me ujë, toka, livadhe e pyje. Qafa e Dushkut ka shërbyer si vijë fronti lufte sa herë janë dyndur ushtritë pushtuese. Historitë tregojnë se në Luftën e dytë Botërore u kthye në arenë luftimesh midis ushtrive italiane dhe greke, ku secila palë me kacafytje dhëmb për dhëmb për jetë a vdekje, të kapnin lartësitë e malit të Lenies. Një histori lufte ”me veten e tyre”, me shumë elementë strategjikë, por deri më sot është “enigmë”.

1 / 1

– Pas përfundimit të luftës, – tregon Bajram Haxhillari nga Grabova e Poshtme, ushtarët italianë nuk kishin bukë për të ngrënë. Ata vinin në shtëpitë tona dhe kërkonin nga prindërit tanë t’u jepnin atyre bukë. I trajtuan si vëllezër se nuk ka faj ushtari, por ata që drejtojnë luftën. Shënepremte e mbledhur në lugun e kodrave, me lagje të shpërndara rrëzë tyre s’kishte se si të mos rrëmbente vështrimin tonë. Masat shkëmbore, i kanë dhënë forma të veçanta peizazhit të saj. Aty kalon një urë metalike, me dy gurë si gardianë besnikë të mureve të kalasë antike, ku gjurmët humbasin mes arave dhe ndërtimeve. Më lart shfaqet një e çarë pingule me dy shkëmbinj të njëjtë rreth 1.5 km ( Shkëmbi i Kopaçit), me mbi 500 metra lartësi shquhet, si një monument që e ka krijuar natyra me aq madhështi. Thuhet se shekuj më parë Shënepremte ishte tepër e populluar, me një kulturë të zhvilluar për kohën, ku endeshin zhurmat, duke jetuar me të mirat dhe të këqijat e saj. E vështirë jeta, por e kapërcyeshme pranë ajrit të pastër, pyjeve dhe maleve përreth. Nga shfletimet e dokumenteve dhe historive të dëgjuara, kanë lënë gjurmë ngjarje të rëndësishme të ndikuara nga faktorë historikë, trashëgimie, ekonomikë e social. Figurat e saj në kohë ishin liridashëse pro kombëtare, të qëndresës ndaj çdo shkelësi të huaj, sepse shpirti i tyre, si vetë natyra, kishte forcuar tek ata tiparet e termit “burrë”, të këngës e muhabetit, besnikërisë, guximit, zemërgjerësisë e sakrificave ndaj vetvetes. Këto vlera të skalitura në shekuj shikoheshin nga partiakët në dy këndvështrime, si në pozitiven dhe negativen e situatave. Të vijnë në mëndje histori rrëqethëse, kur kuadrot partiakë nga Gramshi shtroheshin në darka të mëdha aty dhe të nesërmen e dënonin mikpritësin me burg. Sigurisht janë kohë të tjera dhe ndryshimi në Shqipëri në fillim të viteve ’90, të kalimit nga centralizimi në kapitalizëm edhe këtu krijoi probleme. Pas kësaj gjërat morën dhe një kah të kundërt, sa pati stërmundim për kapërcimin e vështirësive të panjohura. Por zgjidhja erdhi nga lëvizja e pakontrolluar e emigrimit jashtë shtetit dhe drejt qyteteve më shumë se gjysmës së banorëve për një të ardhme më të mirë. Të pamundurit, që nuk janë larguar nga vendlindja kanë investuar aty, duke shfrytëzuar mundësitë që u ka dhuruar natyra.

Mali i Lenies

Rruga kalonte mes për mes shtëpive, të rrethuara nga kopshtije me lloj- lloj frutash, që tregonte se banorët i kanë trajtuar paqësisht e mjeshtërisht ato, me tradita që burojnë nga thellësitë e shekujve. Të mësuar me lëvizjet në këtë periudhë, por të zënë me punët e tyre në arat dhe stanet, me ballafaqimin e vështirësive ata janë të çlirët nga kureshtja e mysafirëve që shkelin aty. Ne, duke u ngjitur nëpër një varg kodrash që ngrenë shpinën në malin e Lenies, në një të përpjetë që sa vinte e bëhej më e vështirë, na bënte të shijonim bukuri të tjera. Emrin mali sipas një legjende e ka marrë nga mbretëresha Lenje, që mbretëronte viset rreth e qark. Me pyjet, gurët, kullotat, bimët medicinale dhe ujin e jashtëzakonshëm ai shfrytëzohet në interes të mirëqenies së banorëve dhe u jep një avantazh të madh për të zhvilluar një turizëm të qëndrueshëm, duke mos u mjaftuar me një muaj. Por nëse do të investohet, së pari rruga me asfalt, duke e lidhur me Gramshin vizitorët do të vinin ndoshta me mijëra e s’do të ishin thjeshtë frekuentues të ujit çudibërës. Por, këtu ato mungojnë dhe shteti nëpërmjet projekteve për një fshat turistik mund ta ringrejë nga gjendja ku ndodhet.

Të njohësh sfidat kuruese të natyrës

Me këto mendime përgjatë rrugës gjarpëronjëse, që sa vinte e bëhej e përpjetë dhe me hendeqe të thella, ku në të rrallë kalonte ndonjë makinë, i afrohemi lartësive të Lenies, që kufizohen me fshatrat malorë të Pogradecit dhe të Korçës. Të binin në sy lëndinat, ku bari kishte marrë ngjyrë okrri e mizëronin tufa delesh, të cilat përtypnin e ripërtypnin atë. Tringëllimat e zile-këmborëve, melodia e fyellit dhe kënga e zogjve të sillnin një kënaqësi shpirtërore.  Ndalesën tjetër e bëjmë pranë një pylli me dru gjithfarësh deri edhe pemë frutore, identike, si në lartësitë e tjera rreth e rrotull, aty- këtu stane e lera uji të cilat lehtësonin punën e barinjve dhe përmirësonin regjimin kullosor të bagëtive. Diku mbrapa malit dëgjohen ca shpërthime. Janë punimet për Hidocentralin e Moglicës, që po konturon digën e tij në rrjedhën e Devollit, pothuajse një orë rrugë më këmbë larg që këtej. Ecim dhe pak derisa derisa mbërrijmë në një shesh të gjerë, të thatë e të mbrojtur nga erërat, në mes dy përrenjve që gurgullonin ujërat drejt Shënepremtes. Ajri dridhej nga zhurmat e makinave, hingëllimat e kuajve dhe zërave njerëzorë, që ashtu siç thuhet s’ke ku të hedhësh kokrrën e mollës. Ne arrijmë, por të tjerë nxitojnë të ikin prej andej, me plot lëvizje e gjallëri. Në mes të tij shfaqej në guackën e vet një godinë e gurtë hijerëndë e të vetmit hotel këtu, me një arkitekturë kubike, të cilën po ta kundroje, të ngjante si një kapanon ushtrie, rrethuar nga dy tre baraka dhe qindra çadra në mënyrë kaotike, të ngritura këtu për një muaj rresht çdo vit. Nuk pret komoditete, por në thjeshtësinë e pajisjeve, ato sigurojnë kushte, ku mund të kalohet nata e freskët. Kjo periudhë aktiviteti ka shpërthime dhe pushime të përkohshme, që nuk zgjat më shumë se, nga fillimi i gushtit deri në mes të shtatorit.

-Ky numër të ardhurish në këtë kohë, nga anë e anës është shumë i madh për Lenien – thotë Bledi Bici, që shkon në më shumë se 300 në ditë, me shpresën për t’u kuruar u lehtëson dhimbjet, largon stresin, kënaq sytë dhe qetëson shpirtin. Me ardhjen e tyre duket se edhe natyra këtu merr pamje tjetër dhe gjithçka gjallërohet. Bledi na sistemon diku në mesin e hapësirës së çadrave. Qemë lodhur pas asaj ngjitje dhe një kafe e shoqëruar me një gotë ujë do e zhbënte atë, por kureshtja të bën t’i afrohesh burimit që gurgullonte nga një lëfyt i vogël.

Pak më poshtë në gjendje natyrale uji i burimit kishte formuar një gropë të rrethuar me gurë, me diametër 3 metra, i cili qarkullonte vazhdueshëm e derdhej në një liqen me sipërfaqe ujore 2.5 ha, si një sy i kaltër. Rrezet e diellit e bënin më shkëlqyese pamjen e tij dhe gjithashtu edhe atë vend me gurë e drurë. Ndërkohë që aty ziente gjallëria, pamja e natyrës ishte aq romantike dhe e thyer sa s’mund ta përshkruash dot, nga shkëmbinjtë me forma interesante dhe pyll i veshur me pisha që krihen e tunden nga era.

Në qiell ndonjë re e bardhë, të ngjante si një dele e shkëputur nga tufa. Mjekë dhe studiues vendas e kanë vëzhguar me përkushtim se ç’fshihet në përbërjen e vetive të këtij burimi që shëron. Ndalesat e tyre në studime shkencore përcaktuan fuqinë kuruese të burimit të freskët të Lenies, i cili shkon në temperaturën 3 gradë gjatë verës së nxehtë.

Përmbajtja e disa kripërave të pasuara me kalcium, magnez, sulfate të natriumit me pH neutral, jo vetëm për t’u pirë, por edhe me banjën ndihmojnë për reumatizmin, sëmundjet bllokuese të gjunjëve, krahëve, tendinëve, paralizave, edhe për ato me anemi, anoreksi, astmë, bronshit, ftohje, edema, gastrit, të sindromës së zorrës së irrituar, hemorroideve, sinozitit, teshtitjeve, por jo për ata me sëmundje të rënda të zemrës dhe mushkërive për të cilat është i domosdoshëm miratimi i mjekut.

Mos ta zemërojmë Natyrën, ajo ka ligjet e veta ndëshkuese!

Por, megjithë frekuentimin e jashtëzakonshëm këtu nuk ka shërbim mjeksor për kontrollin e tyre para hyrjes në ujin e ftohtë e cila mund të jetë fatale. Dhe rastet nuk kanë munguar. Banjat në pus për çdo njeri zgjasin rreth 15 minuta, njëherë në ditë. Çdo frekuentues zhyt trupin në ujë dhe mundohet të durojë temperaturën e ulët. Larja e përditshme në pus e qindra njerëzve kërkonte edhe respektimin e higjienës me sa lejonin kushtet. Edhe pse ishte investuar për grumbullimin e mbetjeve atje përsëri ndotej Natyra. Në një vëzhgim të shkurtër të bënin përshtypje kasapët që thernin qengja dhe mbetjet i hidhnin në grykëderdhjen e burimit, gra të cilat hidhnin mbetjet e tyre higjienike në ujë me besëtytni se do u largoheshin sëmundjet, apo te veprimet e pijanecëve ordinerë, që pasi mbaronin së piri i thyenin shishet me birra ku të mundnin. Natyra ka ligjet e veta të miratuara qysh me krijimin e saj. Ajo mund të na ndëshkojë siç ka bërë me burime të tjera, duke i tharë ose zhdukur ato, ndaj të mos e keqtrajtojmë këtë dhuratë të Natyrës, për t`ua lënë trashëgim brezave të ardhshëm.  Pas banjës, sipas rregullave, kuruesi nuk duhet të qëndrojë në vend, por për disa minuta duhet të bëjë ushtrime dhe ecje për të mos e ndjerë të ftohtin. Ai duhet të shtrihet më pas e të mbulohet me batanije e ndoshta edhe të flejë një orë sa të djersijë. Rregulla të tjera thonë se kuruesit nuk duhet të konsumojnë as mish dhe as alkol. Megjithëse të panjohur shumë shpejt miqësohesh me ata që janë pranë pusit. Bisedat vërtiten rreth vetive kuruese, ku secili tregon diçka të dëgjuar për mrekullitë e ujit, ndonjëherë të ekzagjeruara nga fantazia e shfrenuar e tyre. Tregimet shpesh ishin të veshura me cilësi të veçanta për njerëz që janë shëruar, e s’është e udhës të përmendim grimca dëshmish të përfitimit nga uji çudibërës.

– Që ka vlerë kurues ky ujë është e padiskutueshme – thotë Tahiri nga Dumrea, se ndryshe nuk do të tërhiqnin njerëz të panumërt. Neimi, një banor vendas tregtonte djathë. E pyesim për toponiminë e Ujit të Ftohtë.

-Këtu shuanin etjen barinjtë dhe udhëtarët që kalonin. Dikur një çoban i këtyre anëve kthehet nga meraja dimërore dhe meqë kishte shumë ujë, bashkë me delet qëndronte pranë këtij burimi. Mushkën e tij e pickoi miza dhe vrapin e ndali te pusi, ku u mbyt. Ndaj e quajnë burimi i mushkës. Ai e tregoi aq rrjedhshëm dhe me aq pasion, sa të krijonte përshtypjen sikur kishte qenë dëshmitar i kësaj ngjarje. Është quajtur edhe pusi i grave. Kështu thoshin pleqtë e moçëm. Me energjinë e zhurmshme orët në kampingun pranë burimit të Lenies kalojnë në çaste të këndshme, të vogla në përmbajtje të tyre, por të mëdha nga kuptimi i kënaqësisë. Për të pasur një syshikim të gjerë, të apasionuarit e eksplorimit të natyrës u bien kryq e tërthor pyjeve, livadheve pa mbarim të malit të Valamares aq të dashura për qetësinë dhe freskinë, duke kapërcyer, shkëmbinjtë e trungjet e rrëzuara të pishave, gropa dhe brigje, gurë të copëtuar që thurin e thyejnë peizazhin këtu. Pa dyshim që në rrethana të tilla romantikën e shijon tej mase, rreth zjarreve, ku freskinë nuk e ndjen, por zhurmat ngjajnë me një zgjua blete që s’pushon as natën vonë, me këngët që çiltërsojnë gjendjen, si në një festë të bukur. Bota krijon aty ku s’ka, kurse banorëve të Lenies Natyra ua dhuroi me bujari burimin e ftohtë të Lenies, që është rrallë ta gjesh, si një bekim i saj, ndaj duhet ta njohim, ruajmë e të rritim më tej vlerat kurative e turistike. Sa më shumë që largohemi nga ky burim i ftohtë kurativ aq më shumë e ndjejmë veten të lidhur me ujin e tij të kristaltë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here