Vetting-u në Drejtësi, Meta: Ky proces do të realizohet ashtu siç u konceptua dhe u dëshirua

0
147

Presidenti Ilir Meta, i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo” foli gjithashtu mbi Vetting-un nw Drejtwsi, ku thotw se wshtw njw element i rwndwsishwm dhe se nuk mund tw themi qw reforma nw drejtwsi wshtw e barabartw me Veting-un. 

A keni një koment për Vetting-un në Drejtësi? Si po shkon si proces?
Vetting-u është një proces shumë i rëndësishëm. Nuk mund të themi që reforma në drejtësi është e barabartë me Vetting. Vetting-u është një element i rëndësishëm i reformës dhe është shumë e rëndësishme që ai gjithashtu të ecë shpejt, por gjithmonë me cilësi dhe besueshmëri, larg çdo hapësire për standarde jo të njëjta apo të dyfishta në raport me individë të caktuar, por padyshim, që ai është vetëm një element i reformës në drejtësi.

Element tjetër, cili mund të jetë?
Elementë të tjerë janë krijimi i të gjitha këtyre institucioneve, të cilat nuk janë krijuar dhe në këtë drejtim besoj se jemi shumë më mbrapa dhe njëkohësisht jemi në kohën e duhur për t’i dhënë një start tjetër kësaj reforme dhe për të mos lejuar cenimin e besueshmërisë së saj në të ardhmen.

Vetting është termi që po bëhet kryefjala e ligjërimit politik, që prej gati 2-3 vitesh, madje po shtrihet edhe deri te strukturat e policisë. A mendoni se po ekzagjerohet duke futur të gjithë Policinë e Shtetit në Vetting, ndërkohë që vetë ministri i Brendshëm është subjekt i ligjit antimafia?
Unë mendoj se duke u hapur në shumë fronte ndoshta mund të biem pak në populizëm edhe mund të krijojmë presione të tepërta ndaj punonjësve të shtetit, të cilët duhet të jenë të angazhuar, t’u kërkohet llogari për të përmbushur funksionet dhe detyrat e tyre. Ne nisëm Vetting-un në Drejtësi dhe mendoj që nëse ky proces do të realizohet ashtu siç u konceptua dhe u dëshirua, si një proces i pastër, me standarde, i besueshëm dhe i suksesshëm, dhe jo vetëm kaq, por edhe institucionet e reja që do të krijohen do të rikthejnë besimin që do të jenë ndryshe nga ato në të shkuarën, mendoj që çdo Vetting tjetër do të ishte i tepërt në kuptimin e ngjashmërisë me këtë proces, pasi cilido që do të rezultonte me probleme të ligjit apo të abuzimit me detyrën, do të kishte të bënte me një drejtësi me integritet, me një drejtësi të besueshme dhe me një drejtësi ndëshkuese.

Ndërkohë opozita, ose më saktë Partia Demokratike ka kërkuar që edhe deputetët, edhe kryetarët e bashkive, edhe ministrat të përfshihen në Vetting, një nismë e cila ka gjetur rezistencë nga shumica qeverisëse, e cila thotë që për këtë duhet të kemi arbitër Komisionin e Venecias. Ju si besoni, duhet të ketë Vetting për klasën politike?
Unë besoj se një përgjigje të përafërt sapo e dhashë, pra, për rastin e Vetting-ut në polici. Çdo lloj Vetting-u, kudo, do të ishte i mirë, por edhe Vetting në çdo gjë do të humbte vëmendjen nga përqendrimi që duhet të kemi për sa i takon ecurisë e reformës në drejtësi, për sa i takon Vetting-ut në drejtësi, për sa i takon krijimit sipas standardeve kushtetuese dhe me integritet të institucioneve të reja të drejtësisë. Nuk do të ndihmonte asnjë proces tjetër për të qenë vërtet i besueshëm por do të krijojë një kakofoni pa fund të fjalës Vetting dhe mund të sillte një inflacion dhe një rënie të besimit në tërësi, te procesi i Vetting-ut.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here