Këto ditë është shpërndarë në internet një video e realizuar në një prej zyrave shtetërore në Tiranë, në 110 vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës.
Zonja, e cila është filmuar nga persona ende të paidentifikuar, kërkon që të vdesë Nexhmije Hoxha dhe Enveri. Teksa deliron e krijon situata nga më të ndryshmet në kokën e saj, gruaja nuk bindet se Enver Hoxha ka vdekur.
Ndër të tjera ajo dëgjohet të akuzojë Nexhmije Hoxhën se i ka hequr vezoren dhe edhe pse është 51 vjeçe, ende nuk është martuar. Zonja kërkon kokën e Nexhmies, e cila, siç shprehet, i ka ofruar edhe para.
51-vjeçarja shprehet në delir:
“Ener Hoxha, Nexhmije Hoxha dhe Vito Kapo më kanë hyrë në shtëpi, rrinë tek shtëpia. Aty hanë, aty flenë, aty pinë…
Në ’85-ën Enveri ka marrë dashnoren dhe ka ikur në Kanada. Ka 3 vjet që është kthyer. Nexhmia vret e pret e s’i bën asnjë asgjë. Nexhmia ka 7 kopila, të 8 e ka në bark”.
Është e turpshme dhe skandaloze se si disa punonjës të administratës tallen me këtë zonjë të thyer në moshë dhe me probleme mendore, duke përfituar nga paaftësia e saj, në vend që ta ndihmojnë dhe ta orientojnë për problemin që ka.
Por në fund të fundit, kjo është Shqipëria, vendi i çudive ku askujt nuk i bën më përshtypje asnjë gjë./JOQ