Dy vajza janë nxjerrë me dhunë nga mbledhja ku kryeministri Edi Rama po fliste me një grup nxënësish ekselentë.
Kjo ka bërë që të reagojë edhe Partia Demokratike.
Përmes një deklarate për mediat PD thekson se dhuna ndaj vajzës u urdhërua nga Rama, pasi këtij të fundit iu prish shfaqja e radhës që ishte organizuar nga vetë ai.
Reagimi i plotë:
Partia Demokratike dënon dhunën e ushtruar me urdhër të Kryeministrit Rama në takimin me nxënësit e ekselencës.
Prishja e shfaqjes dhe skenarit të propagandës me regjizor Ramën e nervozoi atë duke urdhëruar dhunë ndaj vajzave studente.
Urdhri për përdorimin e dhunës ndaj studentëve protestues, arroganca, fyerja, poshtërimet e Kryeministrit ndaj studentëve dhe shqetësimeve të tyre janë të patolerushme dhe të dënueshme.
Shprehim shqetësimin e madh për mënyrën, se si fryma e dhunës po bëhet modeli i promovuar nga Kryeministri në publik dhe në media.
Keqardhje për sjelljen e nënshtruar të auditorit në sallë, dëshmi se më shumë se studentë ekselentë, mesa duket kishte fresh-istë të indoktrinuar. Indiferenca e drejtuesve të Universiteteve Publike dhe pedagogëve ndaj dhunimit të studentëve është një tregues i qartë se universitetet janë vasale të Qeverisë.
Shprehim shqetësimin për censurimin e këtij incidenti nga shumica e mediave, sepse Kryeministri nuk do vononte t’u kujtonte burgun.