Dy ish-deputetët e PS-se, Arben Ndoka dhe Arben Çuko, ish kreu i Burgjeve, dalin sot para gjykates per vleresimin e mases se sigurise.
Si mund te shihet edhe ne kete video me poshte, ata janë shoqëruar nga policia nga ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës drejt Gjykatës së Krimeve të Rënda.
Ish-deputetet shihen teksa dalin nga dera me police qe i mbajne per krahu, por te paprangosur.
Arrestimi i Arben Ndokes
Ish-deputeti socialist Arben Ndoka akuzohet për falsifikim të dokumenteve, vulave, stampave ose formularëve, shpërdorimi i tokës në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash në zonën bregdetare në Qarkun e Lezhës. Sipas burimeve nga grupi hetimor, Ndoka së bashku me disa zyrtarë të tjerë në Lezhë kanë ndikuar në tjetërsimin e pronave te “Rana e Hedhun” dhe në Kune nga ranishte në tokë arë dhe më pas i kalonin te të afërmit e tyre, shkruan Panorama.
Ndërkohë që dy ditë më parë, në kuadër të operacionit “Hipoteka” sërish për tjetërsim pronash u arrestuan edhe disa zyrtarë të tjerë në Lezhë.
Burimet thanë se gjatë përgjimeve të një grupi kriminal ka dalë emri i Arben Ndokës, i cili më pas është vendosur në përgjim duke zbuluar aferën që solli arrestimin e tij nga Policia pas urdhrit të Prokurorisë. Ish-deputeti ishte në përgjim prej disa muajsh për këtë çështje. Dosja e tjetërsimit të pronave kishte nisur të hetohej nga prokurori Anton Martini, por pas transferimit të tij kaloi te Besim Hajdarmataj.
Ndërkohë që me transferimin e këtij të fundit në Pogradec, hetimet po i drejton prokurori Vladimir Mara, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Në shtator të vitit 2015, Arben Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit, pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit, sepse kishte një dënim në Itali.
Bashkë me ish-deputetin socialist, forcat speciale RENEA shoqëruan edhe disa të afërm e miq të tij, për të cilët nuk është marrë ndonjë vendim nëse do të ndalohen apo jo. Burimet thanë se ata janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje si persona që kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për persona të tjerë të përfshirë në tjetërsimin e pronave.
Arrestimi i Çukos
Arben Çuko dyshohet se është përfshirë në korrupsion pasiv gjatë kohës që ushtronte detyrën dhe për këtë arsye Gjykata kishte vendosur masën “arrest me burg”. Kjo masë u ekzekutua pasditen e djeshme nga Policia dhe Çuko aktualisht ndodhet i ndaluar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
arben_cuko-433×300
Prej më shumë se një muaji ai ishte shkarkuar nga detyra me kërkesë të ministres së Drejtësisë. Më 3 shtator të këtij viti, Etilda Gjonaj shkarkoi nga detyra Çukon, duke emëruar si drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve në vend të tij, Stefan Çipën, ishzv.ministër i Brendshëm, i cili vazhdon të jetë në këtë detyrë.
Burime nga Prokuroria thanë se Çuko dyshohet se ka marrë një shumë parash dhe një makinë për të transferuar nga një burg në një tjetër të dënuarin Olsi Karagjozi, i dyshuar si vrasës me pagesë. Ndërkohë ka të dhëna edhe për raste të tjera korrupsioni, të cilat janë në verifikim nga organi i akuzës, për leje e transferime të dënuarish.