Xhani De Biazi mund të drejtojë përsëri futbollistë të përfaqësueses shqiptare, ose të paktën dy prej tyre. Trajneri i cili drejtoi Shqipërinë në EURO 2016, është një prej kandidatëve për të marrë drejtimin e Aris të Selanikut, pasi ky i fundit shkarkoi sot teknikun Pako Errera, si pasojë e një serie prej katër humbjesh radhazi në kampionat.
Pas një fillimi të mirë, skuadra ku luajnë Mërgim Mavraj dhe Migjen Basha pësoi disfata të njëpasnjëshme edhe si pasojë e eksperimenteve të shumta të teknikut, mes të cilëve edhe aktivizimi i Bashës si qendërmbrojtës. Ndaj sot u vendos shkarkimi i tij dhe në mediat greke, një nga emrat e parë që ka qarkulluar në klub është pikërisht ai i De Biazit.
Vetë De Biazi ndërkohë pretendon se nuk ka marrë ende asnjë kontakt direkt, por është gati të dëgjojë ofertën e klubit grek. “Unë e njoh Arisin, ai është një klub historik me shumë mbështetës në Selanik”, tha De Biazi për “gazzetta.gr”.”Dy ish-futbollistë të mi te Shqipëria, Mavraj dhe Basha luajnë atje. Ky është një projekt interesant dhe do ta diskutoja padyshim, por deri tani, askush nga klubi nuk më ka kontaktuar”, u shpreh trajneri rreth kësaj mundësie të re që i është shfaqur në karrierë.