Sot në një takim me drejtues të Ministrise se Brendshme dhe Policise se Shtetit, Fatmir Xhafaj bëri fjalimin e fundit si ministër.
Pas renditjes se rezultateve të arritura nga Policia e Shtetit, Xhafaj tha se po goditen fort të ashtuquajturët “të fortët”.
Xhafaj tha se sukses është arritur në luftën kundër drogës, në uljen e numrit të azilkërkuesve dhe goditjen e grupeve kriminale në kuadër të aksion Forca e Ligjit.
“Përfaqësues të grupeve kriminale që deri dje emrin e tyre nuk guxonte kush t’i përmendte dhe jo më të mendonte për t’i vendosur në bankën e të akuzuarave nga drejtësia, sot gjenden në qeli, ndërsa ata që janë jashtë po e shohin çdo ditë që rrethi po ju ngushtohet, se nuk e kanë më lirinë të zhvillojnë veprimtarinë e tyre kriminale”, tha Xhafaj.
Fjala e Xhafajt
Përshëndetje të gjithëve,
Ju faleminderit që jeni sot të pranishëm në këtë takim të fundit me mua, në cilësinë e ministrit të Brendshëm. Sikurse jeni informuar, Kryeministri Rama ka pranuar dorëheqjen time nga detyra e ministrit të Brendshëm.
Takimi me ju sot, nuk është ndjekja e një rutine sjelljeje të krijuar në raste të tilla. Jam këtu përpara jush për t’ju përshëndetur, e më shumë akoma për t’ju falënderuar dhe për t’ju shprehur mirënjohjen time të thellë e të sinqertë për të gjithë bashkëpunimin dhe mbështetjen e ofruar ndaj meje në këtë periudhë që unë kam qenë në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.
Sot, jam krenar se në këto muaj, në krye të një ekipi shumë profesional, me integritet e përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit të përzgjedhur me shumë kujdes e përgjegjësi prej meje, kemi mundur të bëjmë disa suksese shumë të rëndësishme në forcimin e rendit dhe sigurisë në vend.
Dua ta them që në krye të herës se vlerësimet e larta të qytetarëve, por edhe ato të partnerëve tanë ndërkombëtarë, janë konfirmimi më i mirë i suksesit të arritur në këtë periudhë.
Dëshiroj të vlerësoj dhe të shpreh mirënjohjen time të thellë për qindra mesazhe vlerësuese që kam marrë këto ditë nga qytetarë anë e mbanë vendit, nga punonjës Policie të të gjitha niveleve dhe miq të ndryshëm, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, mesazhe të cilat më së shumti ju takojnë juve dhe punonjësve të Policisë pa asnjë përjashtim. Është plotësisht meritë e punës dhe e angazhimit tuaj, tejet serioz dhe profesional, që gjendja e kriminalitetit sot në vend është ndër më të ulëtat në këto 20 vite dhe standardi i sigurisë publike është ndër më të lartit. Statistikat zyrtare për vitin 2017 dhe 9-mujorin e parë të këtij viti konfirmojnë për sa më sipër. Dhe në disa tregues ato janë të krahasueshme me standardet më të mira evropiane.
Numri i veprave penale dhe në tërësi treguesit e nivelit të kriminalitetit gjatë vitit të kaluar, por dhe gjatë këtij 9-mujori janë në nivelet më të ulëta historike. Përfshi këtu edhe numrin e vrasjeve, vjedhjeve, aksidenteve, etj.
Në një dallim të madh nga e shkuara e afërt dhe e largët për vepra të rënda penale, si vrasje apo grabitje, jo vetëm janë zbuluar në kohë autorët e tyre, por çfarë është më e rëndësishme është bërë ndalimi dhe/ose arrestimi i tyre.
Jam krenar kur shoh në rrugë të mbarë dhe të konkretizuara me rezultate shumë të prekshme një sërë prioritetesh të rëndësishme, të cilat ua premtuam qytetarëve shqiptarë në fillim të mandatit të kësaj qeverie.
1. Lufta kundër kultivimit e trafikimit të kanabisit – ishte një ndër prioritetet tona kryesore dhe ndër të parat premtime publike që ne e kemi përmbushur plotësisht.
Në 27 mars të vitit të kaluar në këtë sallë deklaruam një luftë pa kompromis kundër këtij fenomeni kriminal, të zhvilluar prej 25 vitesh në këtë vend. Dëshiroj t’ju kujtoj të gjithë kritikëve tanë, por edhe skeptikëve të ndryshëm dhe veçanërisht atyre që e kanë harruar ose që me qëllim bëjnë sikur e kanë harruar për të minimizuar suksesin e arritur, që kanabisi kishte shërbyer ndër vite si burimi kryesor i ngritjes dhe fuqizimit financiar të krimit të organizuar në këtë vend dhe që gati po shihej si normalitet i jetës sonë dhe si një pamundësi e shtetit e shoqërisë ta fitonin betejën me të.
Nuk ka qenë një sfidë e thjeshtë lufta kundër tij, por kemi patur gjithë vullnetin dhe aftësinë organizuese që t’i jepnim fund një herë e mirë një prej fenomeneve më kriminale në këtë vend. Dhe e theksoj pa asnjë mbështetje shtesë në burime njerëzore, logjistike e financiare.
Kemi përmbyllur operacionin e madh të anti-kanabisit të këtij viti. Po pres me padurim të shoh rezultatet e certifikuara nga partnerët tanë ndërkombëtarë që asistojnë e monitorojnë këtë operacion, të cilat do të ri-dëshmojnë se si një histori turpi e dështimi në vite të tëra më në fund e kthyem së bashku në një histori suksesi. Tashmë është fakt i pranuar dhe certifikuar prej partnerëve ndërkombëtarë. Shqipëria nuk është më në hartën e vendeve evropiane ku kultivimi i kanabisit është një fenomen.
Ky sukses i jashtëzakonshëm është plotësisht tregues i seriozitetit dhe profesionalizmit të treguar nga ana juaj. Është tregues i ndershmërisë dhe i përkushtimit ndaj interesit të qytetarëve dhe angazhimeve tona ndërkombëtare.
Ju faleminderit të gjithëve e veçanërisht punonjësve të policisë të rolit bazë, që kanë vigjiluar në terren me një angazhim të veçantë!
2. Menaxhimi më i mirë kufijve, me objektiv kryesor frenimin e fenomenit të azil kërkimit dhe migracionit ilegal ishte një tjetër prioritet i rëndësishëm dhe i konsideruar i suksesshëm për ne në këtë vit të parë të këtij mandati.
Është rasti të sjell në kujtesë faktin se, në korrik të vitit të kaluar para marrjes së detyrës prej meje si ministër, vendi ishte nën presionin e shprehur të kthimit të regjimi