Fillimisht kryeministri, te Sokol Balla, dhe më pas Taulant Balla në TVSH deklarojnë se “Sajmir Tahiri është i pafajshëm” dhe “nëse ai do, e presim në PS”.
-Pra duket shumë qartë se po përgatitet rikthimi triumfal i Sajmir Tahirit si hero në PS. Me sa duket Tahiri paska punuar mirë me video si ministër, pasi të gjithë e paskan frikë në qeveri dhe krejt kupola e PS-së. Një ministër që është sot në kabinetin Rama është shprehur se “Tahiri është i frikshëm, se nuk e di asnjeri se çfarë materialesh apo videosh ka për ne. Mund të mos ketë asgjë, por frika është e madhe të ne”.
Ish-ministri i brendshëm Sajmir Tahiri po shkon drejt pafajsisë. Në fillim ish-ministri doli në konferencë shtypi, në hotel Rogner, ku nxori disa shkresa nga prokuroria italiane se është i pafajshëm dhe më pas dolën, si në sinkron, kryeministri Rama dhe Taulant Balla, numri një i grupit parlamentar të PS.
Të enjten në emisionin ‘Real Story’ të gazetarit Sokol Balla, kryeministri Rama tha se ish-ministrit Tahirit duhet t’i kërkohet falje tani që drejtësia italiane i dha pafajësinë. Kryeministri Rama deklaroi:“Nuk kërkoj falje për Saimir Tahirin dhe as për Fatmir Xhafajn jo e jo. Jeni ju që duhet t’i kërkoni falje Tahirit që kërkuat arrestimin mbi llafet e dy kriminelëve. Tani prokuroria italiane, nga më jakobinet në Europë dhe që bëri hetimet më të thella dhe ku gjykata italiane i dha Saimir Tahirit pafajësinë e plotë për atë llum kazani. Si i bie tani që ne nuk lejuam që ai të arrestohej? Tahiri është nën hetim për pjesë të procesit në Shqipëri dhe ne presim. Ju tani duhet ti kërkoni falje Tahirit për akuzat që hodhët për akuzat e prokurorisë së Katanias. Pse? Se dy hajvanë bënin llogje në telefon”.
Këtë e deklaroi kryeministri Rama e jo një zyrtar dosido.
Pas kësaj deklarate publike dhe në mbrojtje të hapur të ish-ministrit të tij, nuk ka prokuror shqiptar që guxon ta shpallë të fajshëm, ish-ministrin. Burime nga prokuroria e krimëve të rënda thonë, nën zë, se nga fundi i vitit do të kërkohet nga prokuroria të shpallet i pafajshëm Sajmir Tahiri.
Dhe si për ta blinduar atë çka tha kryeministri, doli të premten në darkë vonë Taulant Balla, që është sekretar i përgjithshëm i PS dhe numri një në grupin parlamentar. Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, mbrëmjen e së premtes ishte i ftuar në emisionin “Java” në TVSH, ku ndër të tjera komentoi edhe rikthimin e mundshëm të Saimir Tahirit në Partinë Socialiste. Duke mbështetur qëndrimin e kryeministrit Edi Rama, të enjten në ‘Real Story’, Balla theksoi se i takon vetë ish-ministrit të Brendshëm të rikthehet në parti. “Unë e thashë dhe në fillim dhe sot kanë kaluar më shumë se 13 muaj kur prokuroria ngriti akuzat ndaj Tahirit. Të gjithë e dimë që akuzat për të u ngritën në bazë të hetimeve në Itali dhe ai atje doli i pastër. Partia Demokratike duhet t’ i kërkojë falje për baltën ndaj tij, ndërkohë kthimi në Partinë Socialiste është vendimarrje e vetë zotit Tahiri”, pohoi Taulant Balla.
Pra duket shumë qartë se po përgatitet rikthimi triumfal i Sajmir Tahirit si hero në PS. Me sa duket Tahiri paska punuar mirë me videot si ministër, pasi të gjithë e paskan frikë në qeveri dhe krejt kupola e PS-së. Një ministër që është sot në kabinetin Rama është shprehur se “Tahiri është i frikshëm, se nuk e di asnjeri se çfarë materialesh apo videosh ka për ne. Mund të mos ketë asgjë, por frika është e madhe të ne”. E thënë kaq bukur nga ministri X në qeveri, ndaj kjo tregon se gjynahet janë kaq të mëdha në qeveri dhe në mazhorancë, sa edhe duke mos e ditur se çka Sajmir Tahiri për sejcilin, prapë kanë frikë nga vetja. Sepse kanë shkelur ligjin dhe jo vetëm ligjin.
E gjithë kjo fushatë marketingu nga Edi Rama dhe Taulant Balla, ndërkohë që palosën ish-ministrin Fatmir Xhafaj, tregon se rikthimi i ish-ministrit të brendshëm do jetë triumfal në PS. Por jo vetëm në selinë rozë, por surpriza mbetet për publikun se po synohet që ai të emërohet zv/kryeministër në vend të Senida Mesit, zv/kreministres së sotme, pasi ajo do të kandidojë në Shkodër për kryetare bashkie. Djallëzia e kryeministrit Rama nuk është vetëm te propozimi që do bëjë për Sajmir Tahirin sapo të shpallet i pafajshëm nga prokuroria shqiptare (është 100 % e garantuar se kështu do jetë vendimi), por te Presidenti Meta. Fakti që Presidenti do të ndodhet para një propozimi për dekret për ish-ministrin Tahiri, dhe kur Ilir Meta është shprehur hapur kundër kanabizimit të vendit nga ish-ministri, do jetë një spektakël publik i vertetë, duke e vënë në provë. Pala kryeministrore do të argumentojë se asnjëri nuk mund të jetë i fajshëm pa një vendim gjyqësor të formës së prerë, ndaj derisa drejtësia e mbyll dosjen e tij, presidenti duhet ta firmosë dekretin.
Sajmir Tahiri sapo të rikthehet në PS, fuqishëm, dhe në qeveri si numri dy, do të sjellë edhe prishjen e ekuilibrave në PS. Dihet publikisht se Sajmir Tahiri nuk e do aspak kryebashkiakun Erion Veliaj, por pa Veliaj në Tiranë, PS-ja i humbet zgjedhjet në bashkinë kryesore të vendit. Erion Veliaj, duhet pranuar, se po ndryshon Tiranën, duke e kthyer në një qytet europian. Megjithatë siç është shprehur kryeministri, politika është lojë shahu, ndaj na mbetet të shikojmë se si do luhet “shahu” në PS, kur Tahirin ta pranojnë si “hero”.
Interesante, se sa video dhe dosje mban fshehur ky Tahiri për qeverinë me të cilat iu bën presion!
S.P.