Alarmi ekspertëve: Ja si po përgatitet katastrofa financiare

0
276

Përtej një buxheti modest në dukje, me rritje të ulët të ardhurash, shpenzimeve të kontrolluara dhe uljeve të ndjeshme të borxhit, po projektohet ajo që ekspertët e quajnë katastrofa financiare e së ardhmes. Përmes formulës së koncesioneve po fshihet borxhi, ndërsa barra do t’u kalojë jo vetëm qeverive të ardhshme, por të gjithë shqiptarëve që do ta paguajnë nëpërmjet taksave. Ekspertët japin alarmin për standardet e raportimit të borxhit publik dhe besueshmërinë e shifrave zyrtare.

 

Nga Ornela Liperi
Blerina Hoxha

 

Në janar 2014, në programin e parë makroekonomik fiskal të hartuar nga qeveria socialiste pas ardhjes në pushtet, parashikohej që në 2017-n, borxhi publik të zbriste në 65.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Vitet kaluan dhe 2017-a u mbyll me një borxh faktik të raportuar nga Ministria e Financave prej gati 70% të PBB-së, ndërsa sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, nëse llogariten dhe detyrimet e prapambetura, stoku real arrin në 72% të PBB-së.

Sipas të njëjtit program, por të miratuar në vitin 2016, borxhi në 2018-n duhej të kishte zbritur në 62.1% të PBB-së, por financat presin, sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, që ai edhe këtë vit të vijojë të luhatet në rreth 70% të PBB-së. Ashtu si një fëmijë që nuk është i përgjegjshëm për premtimet, edhe qeveria nuk e ka problem që të mos u përmbahet angazhimeve të saj dhe, çdo vit, të relaksojë kriteret që i ka vënë vetes për objektivat e borxhit.

Historia vazhdon të përsëritet, por skenari sa vjen e bëhet më i frikshëm dhe pasojat nuk do të vonojnë të ndihen. Në 2019-n, financat kanë premtuar që të ulin borxhin në rreth 65% të PBB-së, por ndërkohë janë angazhuar për të paktën “një miliard euro” investime përmes kontratave të Partneritetit Publik Privat, teksa janë njoftuar për tu dhënë gjatë vitit që vjen edhe 2 miliardë euro të tjera. Sipas standardeve të raportimit të borxhit nga Ministria e Financave, vlera e kontratës nuk shtohet në borxh, por vetëm pagesat që parashikohen të kryhen sipas viteve, duke qenë në këtë mënyrë, një borxh i fshehur, që pritet të shpërthejë më vonë.

Profesor Arben Malaj, ish-ministër i Financave, është i alarmuar për standardet e raportimit të borxhit publik, pasi sipas tij, për herë të parë gjatë viteve të tranzicionit, Ministria e Financave dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, nuk kanë rënë dakord për nivelin e deficitit buxhetor e për rrjedhojë, borxhit publik. Sipas tij, standardet e raportimit të detyrimeve publike janë cenuar dhe kjo së pari është shkelje e ligjshmërisë së procesit të buxhetimit. Malaj tha se qeveria ka akumuluar detyrime të prapambetura, sidomos në rimbursimin e TVSH, të cilat nuk janë kontabilizuar në borxh, por janë një faturë që duhet të shlyhet. Ish-ministri i Financave sheh vështirësi në shërbimin e borxhit vetëm pak vite më vonë, për shkak të keqkombinimit të faturës së lartë të koncesioneve dhe detyrimeve të prapambetura.

Malaj pohon se analiza e risqeve potenciale në vendin tonë duket se është zgjeruar, ku ndër më kryesoret ai përfshin rritjen me ritme të shpejta të borxheve potenciale, përfshirë edhe detyrimet ndaj PPP-ve në fushën e infrastrukturës fizike si dhe zhvillimet negative demografike po reduktojnë popullsinë aktive për punë. LEXO INTERVISTEN E PLOTE: http://www.monitor.al/malaj-rritja-me-borxhe-eshte-joproduktive-rrezikohet-te-kalojme-situate-te-veshtire-ekonomike-dhe-sociale/

 

Borxhi real, gati 80% e PBB-së?

Gjatë rishikimit rutinë të marrëveshjes me Shqipërinë në fillim të këtij viti, Fondi Monetar Ndërkombëtar, njoftoi në një raport zyrtar se detyrimet e prapambetura të qeverisë shqiptare kishin arritur në 26.7 miliardë lekë në fund të vitit 2017, ku 65% e detyrimit i përkiste qeverisë qendrore dhe 35% pushtetit lokal. Në fund të vitit 2017, totali i borxheve të papaguara ishte 1.7% e PBB-së, e cila nuk u përfshi në llogarinë zyrtare të borxhit publik. Borxhi faktik i certifikuar nga qeveria shqiptare për vitin 2017 ishte 69.9% e PBB, por nëse do të përfshiheshin detyrimet e prapambetura, vlera e detyrimeve do të ishte 71.6%.

Të njëjtën përllogaritje bëri edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili gjeti shkelje të rënda si në përllogaritjen e deficitit buxhetor, ashtu edhe në raportin e borxhit me PBB. KLSH në raportin e buxhetit faktik 2017, gjeti se qeveria ka disbursuar kredi të huaja në vlerën mbi 3.7 miliardë lekë, të cilat nuk i ka përfshirë në llogaritë e deficitit 2017, duke i transferuar në llogaritë e 2018, në shkelje të ligjit organik të buxhetit të shtetit.

Sipas KLSH-së, deficiti buxhetor vjetor faktik më 2017 është -2.3% e PBB-së, teksa Ministria e Financave e ka raportuar -1.99% e PBB. Duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura që, sipas KLSH, për vitin 2017 janë më shumë se 19 miliardë lekë, borxhi publik është shumë më i lartë se 71% e PBB-së.

Më herët FMN ka tërhequr vëmendjen për rreziqet domethënëse fiskale që përmbajnë projekttet e partneritetit publik privat (PPP). Fondi ka kërkuar vazhdimisht që ndikimi i këtyre projekte, ndryshe nga sa veprohet aktualisht, të reflektohet në llogaritë fiskale dhe borxhin publik në mënyrë transparente dhe në linjë me normat ndërkombëtare.

Aktualisht qeveria e reflekton borxhin vetëm si detyrim korrent të vitit kur ndodh, ndërsa standardet ndërkombëtare kërkojnë dhe llogaritjen e pjesës së detyrimit të shtetit në totalin e borxhit publik. FMN e ka shprehur me parë se është e rëndësishme që çdo projekt PPP të bëhet transparent, të ketë një analizë të qartë kosto përfitime dhe një analizë të plotë rreziku.

Në një deklaratë zyrtare të FMN në fund të vitit të kaluar, vlerësohej se borxhi ose detyrimi i mundshëm që vjen nga investimet e financuara nga PPP-të mund të arrijë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Nëse këtë ia shtojmë borxhit aktual prej rreth 72% të PBB-së, atëhere niveli real i tij mund të ngjitej në gati 80% të PBB-së (koment i Monitor).

Ekspertët e Ekonomisë janë të shqetësuar për mungesën e seriozitetit të qeverisë për transparencën mbi raportin e borxhit real. Eksperti Selami Xhepa tha se ndoshta rreziku më serioz që mbetet i fshehtë, por brenda dy-tre viteve të ardhshme do të shfaqet qartazi dhe brutalisht, është implikimi që sjellin kontratat afatgjata koncesionare dhe Partneritetit Publik-Privat në borxhin publik dhe detyrimet e akumuluara. Të projektuara në kufijtë e 2 miliardë eurove nëpërmjet kontratave PPP për tre vitet në vazhdim, efektivisht borxhi real publik do të rritet dhe jo të ulet. “Kur themi ‘të projektuara’, shifrat reale, që do të rezultojnë në përfundim të kontratave të lidhura, do të jenë shumë më të larta se kjo shifër”, pohoi Xhepa. LEXO INTERVISTEN E PLOTE: http://www.monitor.al/xhepa-rreziku-me-i-fshehte-dhe-me-serioz-i-buxhetit-jane-ppp-te/

Llogaritë e deritanishme tregojnë se borxhi real i shtetit shqiptar është më i lartë se raportimet zyrtare të qeverisë, çka e bën pak të vërtetë projeksionin për këtë tregues edhe në vijim.

 

Koncesionet, fatura shkon 3 miliardë euro

Ajo që tashmë shqiptarët e njohin si paketa 1 miliard euro e koncesioneve me Partneritet Publik-Privat, me kontratat e reja që pritet të financohen gjatë vitit 2019, do të arrijë më shumë se 3 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, të azhurnuara në projektbuxhetin e vitit 2019, vlera e kontratave në fuqi, që tashmë financohen dhe që pritet të nënshkruhen gjatë vitit të ardhshëm, është 382 miliardë lekë (3 miliardë euro). Nga kjo shumë, mbi 120 miliardë lekë (947 milionë euro) u takojnë 11 kontratave në zbatim që përfaqësohen nga 3 koncesione në sektorin e shëndetësisë, 4 landfille të mbetjeve, 2 kontrata rrugësh bashkë me koncesionin e skanimit në doganë dhe markimit të karburanteve për të cilat financimet kanë nisur.

Ndërsa vlera e 10 kontratave të programuara për t’u zbatuar me koncesion PPP arrin në 262 miliardë lekë, ose më shumë se 2 miliardë euro. Nga këto, 5 kontrata janë shkruar dhe do të hyjnë në fuqi për financim dhe 5 të tjera janë të reja. Në projektbuxhetin e vitit 2019, qeveria ka programuar të kontraktojë me PPP, 5 akse rrugore, 2 aeroporte, 6 shkolla në Tiranë dhe 1 spital rajonal në Fier. Kontratat në fuqi dhe ato të projektuara për 2019 arrijnë një vlerë sa 21.8% e PBB-së. Kjo shumë nuk është përfshirë në llogaritë e borxhit publik, por qeveria, nëpërmjet buxheteve vjetore, përllogarit pagesat vjetore të cilat nuk duhet të jenë më shumë se 5% të të ardhurave tatimore.

Ministria e Financave ka njoftuar se vlera e parashikuar për financimin e kontratave të koncesioneve për vitin 2019 është 2.7 miliardë lekë dhe përbën vetëm 3% të totalit të të ardhurave tatimore të pritshme të vitit 2018, prej 419.4 miliardë lekësh. Por kur të gjitha kontratat të hyjnë në fuqi, pagesa vjetore pas vitit 2021 rritet në mënyrë të pashmangshëm, duke e bërë nul kufirin 5%. Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, pohon se ruajtja e kufirit 5% do të jetë e pamundur vetëm pak vite më vonë, për shkak të vlerës së madhe të kontrata me PPP. Malaj tha se ulja e borxhit publik këtë vit i dedikohet nënvlerësimit të euros, por nëse në vitet në vijim kthehet normaliteti në tregjet e këmbimit dhe normat e interesit i kthehen rritjes, shërbimi i borxhit do të vështirësohet deri në krijimin e një situate kolapsi.

 

Si u dyfishua kosto e koncesioneve PPP në rrugë në një vit

Qeveria ka nisur të raportojë vlerën e kontratave koncesionare në dokumentet zyrtare që shoqërojnë buxhetet vjetore. Por që nga programi i vitit 2018 dhe në projektbuxhetin e vitit 2019, vlera e kontratave me PPP, sidomos në akset rrugore, rezulton të jetë e dyfishuar.
Sipas të dhënave zyrtare në buxhetin e vitit 2018, kosto e aksit Kashar – Rrogozhinë ishte raportuar 41,5 miliardë lekë, ndërsa në projektbuxhetin 2019, vlera është rritur me 103%, duke arritur në 84,7 miliardë lekë.

Autostrada Tiranë – Durrës pritet të jepet me koncesion, me një vlerë 49 miliardë lekë, teksa një studim fizibiliteti i prezantuar nga Autoriteti Rrugor më 2017 ishte rreth 21 miliardë, vlera është rritur me 134%. Autostrada Thumanë – Vorë, e cila në buxhetin e vitit 2018, ishte përllogaritur me 34 miliardë lekë, në buxhetin e vitit 2019 përllogaritet me 45 miliardë lekë. Kontrata për ndërtimin e këtij aksi është në fazën e negocimit.
Autostrada Orikum – Himarë, në buxhetin e vitit 2018 ishte përllogaritur 17 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e vitit 2019 është parashikuar me 9.4 miliardë lekë, teksa në kontratën me kompaninë që tashmë ka fituar koncesionin, vlera e punimeve është 6.6 miliardë lekë.

Rruga e Arbrit, në buxhetin e vitit 2018 ishte llogaritur me 24 miliardë lekë, ndërsa në buxhetin e 2019 me 33 miliardë, afërisht sa vlera e kontratës e cila është në proces të punimeve. Rruga Milot – Balldren rezulton me një vlerë 39% më të lartë në buxhetin e 2019, ndërsa projekti i shkollave në Tiranë, nga 6.2 miliardë lekë, që ishte programuar të financohej në vitin 2018, më 2019 llogaritet 10.1 miliardë lekë.

Burimet nga Ministria e Infrastrukturës pohuan se superstrada Tiranë-Durrës dhe ajo Kashar-Rrogozhinë do të financohet nga privatët dhe do të shlyhen nga tarifat që do të vihen në këto akse. Të njëjtat burime shpjeguan se shifrat mbi vlerën e projekteve në buxhetet vjetore janë hamendësime, teksa sqaruan se vlera e saktë projektohet në momentin kur nënshkruhet kontrata. Mirëpo rastet e përmbyllura të kontratave koncesionare kanë rezultuar mjaft problematike në drejtim të kostos. Kështu, për shembull, Rruga e Arbrit sipas projektit të fizibilietit të dorëzuar në Autoritetin Rrugor Shqiptar më 2005 ishte programuar të ndërtohej për 150 milionë euro. Qeveria e programoi në buxhetin e vitit 2018 me 24 miliardë lekë. Ndërsa në kontratën koncesionare me kompaninë Gjoka Konstruksion, vlera e punimeve është 34 miliardë lekë, ose rreth 250 milionë euro.

Në dy dekadat e fundit, kosto për një kilometër autostradë është rritur në mënyrë të frikshme, teksa indeksi i çmimeve në ndërtim, inflacioni dhe rritja e pagave nuk i justifikojnë vlerat e larta që po “fluturojnë” pa logjikë vit pas viti.

Në vitin 2009, një kilometër autostradë me katër korsi, me gjerësi 25 metër, me trotuare dhe ndriçim, ka kushtuar 135 milionë lekë, ose 1 milion euro, ndërsa një e tillë me projektin “One Billion” do të kushtojë mesatarisht 10-11 milionë euro, sipas të dhënave që janë publikuar nga Ministria e Financave në raportet vjetore të monitorimit ndaj Ministrisë së Transporteve. Ndërsa sipas INSTAT, indeksi i çmimeve në ndërtim, nga viti 2008 deri më 2017, është rritur me vetëm 4.8%.

Qeveria shqiptare ka në zbatim një strategji sektoriale për transportin rrugor, e cila ka hyrë në fuqi në vitin 2016 dhe do të jetë e vlefshme deri në vitin 2020. Në dokument parashtrohen për financim 10 projekte të infrastrukturës, 3 prej tyre hekurudha të cilat e ndihmojnë Shqipërinë të lidhet me rajonin. Mirëpo projektet e Paketës 1 miliard nuk përputhen me 10 prioritetet e infrastrukturës të miratuara 2 vite më parë, përveç aksit Thumanë-Kashar.

marre nga revista monitor

titulli redaksional

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here