Pas shtatë vendimeve të dhëna me një frymë nga shkalla e dytë e vettingut dhe që janë të gjitha shkarkime, për të tetin Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur të hapë letrat. Gjyqtarët e KPA vendosën të riçelin hetimin administrativ pjesërisht për gjyqtarin e lartë, Edmond Islamaj.
Hetimi i pjesshëm administrativ do të zhvillohet për komponentin e pasurive, mbi një truall në Karpen Kavajë, tre pasuri që zotëron bashkëjetuesja e gjyqtarit dhe mbi të ardhurat e babait të Edmon Islamaj.
Për tokën në Karpën kërkohen prova shtesë për të hedhur dritë se si kaluan 1 mijë metra katrorë truall nga tokë shtetërore nën pronësi të gjyqtarit. Nga ana tjetër, Komisioneri Publik kundërshton edhe se toka në Karpen është blerë me një çmim preferencial.
Njëkohësisht, KPA deklaroi se pasi gjyqtari i lartë ishte konfirmuar nga shkalla e parë. Katër qytetarë kishin dorëzuar denoncime në shkallën e dytë, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të Islamajt.
Çështja Islamaj u ankimua nga Komisioneri Publik që pretendon se shkalla e parë e Vettingut, nuk i ka kryer siç duhet kontrollet e trefishta se nuk ka ndjekur të njëjtin standard si me të tjerët.
Edmond Islamaj është një nga 4 gjyqtarët e lartë që u konfirmuan në detyrë, ndërsa pesë anëtarë të tjerë të Gjykatës Supreme u shkarkuan.
Prej kohësh Gjykata e Lartë vuan nga stoku i dosjeve, një stok që ka shënuar një rekord të ri, prej 30 mijë dosjesh që presin. /tch