Pavarësisht kushteve atmosferike jo të përshtatshme, banorët e zonës së Astirit në kryeqytet kanë vijuar protestën e tyre në ditën e 17 të tyre. Banorët janë mbledhur sërish sonte për të protestuar kundër prishjes së banesave të tyre të cilat preken nga projekti i Unazës së Re.
Banorët kanë bllokuar rrugën, ndërsa shprehen se i kanë banesat në proces legalizimi dhe kërkojnë dëmshpërblim me vlerën e tregut. Ata kanë paralajmëruar protesta pa afat, teksa në mbështetje të banorëve janë edhe deputetë të opozitës.
“Kërkojmë që këtyre që u kemi dhënë votën të vijnë të na takojnë. I bëj thirrje politikaneve dhe të vijën të na takojnë se nuk u dhamë votën që të na bëjnë gropën. Presidenti Meta të mendojë për këtë popull. Qeveri hajdute, Turp të kenë hajdutët. Ja ku jam le të vijnë të ma arrestojnë”- thotë një nga banorët.
Ndërkohë një tjetër banor thotë se ARRSH e ka nxjerrë në listën e personave që janë paraqitur për konsultime, por kjo sipas tij nuk është e vërtetë.
“Nxorën emrin e babait tim dhe timin në listën e ARRSH. Afrim Qendro tha se unë jam tërhequr. Janë mashtrime të Qendros dhe Veliajt. Nuk kemi takuar asnjë. Pse të shkojmë ne tek ARRSH, le të vijnë ata këtu. A i kanë vënë kryq shtëpisë këtu, le të vijnë të takohemi me kamera, s’kemi asgjë për të fshehur. Pse të venë banorët atje një nga një, le të vijnë ata këtu. Ne jemi të gjithë për një qëllim. Si mund të shkoj tek ARRSH. Pse ka frikë nga njerëzit. Pse duhet të shkojmë ne tek ARRSH. T’i bëjmë gjërat përballë kamerave dhe hapur”- thotë një tjetër banor.
Në mbështesje të protestuesve janë edhe aktivistë të shoqërisë civile dhe ata që kundërshtojë prishjen e Teatrit Kombëtar.