MAS e prerë: Jo celularë në shkollë, masa drastike. A vlen kjo për mësuesit???

0
155

 

Pas urdhrit të parë të ministres së Arsimit, Lindita Nikolla për mospërdorimin e celularëve në shkolla gjatë mësimit, vjen një tjetër pasues. Nikolla është detyruar të bëjë një udhëzim të ri edhe më të rreptë që vjen bashkë me sanksionet në rast shkeljeje nga nxënës e mësues.

Nëse i pari, ndalon përdorimin vetëm gjatë procesit mësimor, udhëzimi nr.34, datë 16.11.2018 i ndalon fëmijët edhe t’i marrin me vete ato (mësuesit jo). “Në mbështetje të nenit 102 të kushtetutës së republikës së Shqipërisë dhe nenit 6 të ligjit, 69/2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar”, udhëzoj: në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare është e ndaluar të disponohet telefon celular nga nxënësit dhe mësuesit”.

 

 

Ata që shkelin urdhrin e ministrisë do të përballen me penalizime që nisin me masë disiplinore për nxënësit dhe sekuestrim të telefonit, i cili përfundon në Policinë e Shtetit. “Në rast të konstatimit të disponimit të telefonit celular nga nxënësit në mjediset e institucioneve arsimore parauniversitare, drejtoria e institucionit sekuestron telefonin celular dhe zbaton masa disiplinore sipas kuadrit ligjor në fuqi. Telefonat e sekuestruar depozitohen pranë institucioneve arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Masat e marra ndaj nxënësit i njoftohen me shkrim prindit ose kujdestarit ligjor të nxënësit”, citohet në udhëzim.

MAS ngarkon me përgjegjësi drejtoritë e shkollave për zbatimin e urdhrit, duke nisur që me përfshirjen e kësaj të fundit në rregulloren e brendshme të shkollës, zhvillimin e takimeve me prindërit për këtë temë si dhe vendosjen e posterave të ndryshëm në ambientet e shkollës. Për zbatimin e nismës, mësuesi kujdestar do të duhet të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët me prindërit ku të bien dakord që fëmijët e tyre të mos kenë celula me vete kur nisen në shkollë. Pyetja e natyrshme që lind pas kësaj: si do të bëhet në raste emergjente?! Për këtë do të kujdeset drejtoria e shkollës. “Drejtoritë e institucioneve arsimore të marrin masa për të vënë në dispozicion numër telefoni të veçantë për komunikimin me prindërit e nxënësve dhe t’ia bëjnë me dije prindit në deklaratën e përbashkët”.

Urdhri për ndalimin e celularëve përfshin dhe mësuesit. Edhe për ta drejtoria e shkollës monitoron e ndëshkon, por vetëm në rast se e përdorin gjatë mësimit, dhe jo në ambientet brenda shkollës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here