Presidenti i Republikës, Ilir Meta mori pjesë sot në përurimin e shtatoreve të udhëheqësve të Lidhjes historike të Prizrenit.
Me rastin e 140-vjetorit, në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u përuruan pasditen e së dielës shtatoret e tre udhëheqësve historikë të saj: Ymer Prizrenit, Abdyl Frashëri dhe Sylejman Vokshit.
Në veprimtarinë që u organizua nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj në kuadër të festimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ishin të pranishëm edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ministrave të kabineteve qeveritare të Kosovës e Shqipërisë, etj.
Në përshëndetjen e tij, Presidenti Meta theksoi: “Për mua është një nder dhe kënaqësi e veçantë që të jem sot në Prizren vetëm pak muaj pasi përuruam fillimin e përpjekjeve për vendosjen e këtyre shtatoreve. Shpreh kënaqësinë që në një kohë kaq të shpejtë është realizuar kjo vepër e jashtëzakonshme dhe e shkëlqyer.
Dua të përshëndes qeverinë e Kosovës, por edhe të gjithë artistët, të cilët kontribuuan që Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi dhe Abdyl Frashëri të “rikthehen” në Prizren dhe me këtë rast, të na bashkojnë të gjithëve për të nderuar atë akt të jashtëzakonshëm që ata kryen 140 vite më parë.
Aq më tepër që jemi mbledhur në një ditë nëntori, në një atmosferë të jashtëzakonshme të festave tona, të cilat lidhen jo vetëm me këtë Vit Mbarëkombëtar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, por njëkohësisht edhe me 110-vjetorin e Alfabetit të njësuar të Gjuhës Shqipe dhe natyrisht, edhe me festën tonë, që na bashkon të gjithë shqiptarëve kudo në gjithë botën, me atë të 28 Nëntorit, Festën e Flamurit Kombëtar.
Faleminderit të gjithëve për këtë angazhim mjaft serioz! Le të përfitojmë nga ky çast për të bërë thirrje të forcimit të bashkëpunimit, dhe të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në interes të prosperitetit të kombit tonë, por njëkohësisht edhe të përpjekjeve të përbashkëta të të gjithë shqiptarëve për forcimin e perspektivës sonë europiane dhe të gjithë popujve të tjerë në këtë rajon!”.