‘Vrasja në bllok’/ Zbulohet roli i Ervis Martinaj dhe kushëriri i Arbër Çekajt (Detaje)

0
437

 

Marrin një tjetër rrjedhë hetimet për zbardhjen e vrasjes së 4 tetorit 2018 në qendër të ish-Bllokut ku siç dihet mbeti i vrarë Fabjan Gaxha dhe u plagosën Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Fillimisht u përfol për një përplasje mes grupit të Martinajt dhe atij të Ervin Matës, të dashurit të këngëtares së njohur Elvana Gjata, por mesa duket çështja qenka edhe më e thellë.

Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që drejton hetimet i thanë se është shpallur në kërkim policor edhe biznesmeni Eldi Dizdari, i njohur edhe me emrin Denis Matoshi. Kamerat e sigurisë në zonë kanë identifikuar se rreth 30 minuta para se të ndodhte përplasja me armë, biznesmeni ishte konfliktuar para lokal “Monopol” me biznesmenin Ervin Mata dhe komandon Mevjol Bilo. Dizdari është shpallur në kërkim policor për të dëshmuar nëse ka dijeni për rrethanat e ngjarjes. Por dyshimet janë se Dizdari është strumbullari fillestar i konfliktit.

Nga informacionet e ardhura në Prokurori nga shërbimet partnere të huaja kanë lindur dyshime se Dizdari dhe Mata janë konfliktuar për çështjen e një borxhi financiar. Referuar të njëjtave burime te prokurorisë mosmarrëveshjet që ata kanë pasur më herët lidheshin me një dërgesë të madhe kokaine. Mata duhet t’i kthente një shumë të madhe parash Dizdarit, të cilat ky i ka kërkuar me ngulm.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë ka rezultuar se Dizdari nuk ka hyrë fare brenda në lokalin “Monopol”. Mata dhe Dizdari janë parë të debatojnë ashpër në trotuar. Në këtë konflikt është përpjekur të hyjë dhe komandoja Merviol Bilo, por nga pamjet filmike rezulton se Bilo është larguar nga Mata. Më pas Eldi Dizdari së bashku me personat e tjerë që ishin me të janë larguar me makinë.

Automjeti i tyre është ndjekur në këmbë nga Mata dhe grupi i tij deri tek zona e “Sky Tower”, por nuk kanë mundur më ta shikojnë dhe janë rikthyer sërish pas, duke u futur në lokal “Monopol”. Pak pas largimit të Dizdarit në lokalin ku ndodhi ngjarja ka mbërritur Ervis Martinaj me Fabiol Gaxhën dhe Eljo Haton.

Prokuroria ka dyshime se Martinaj po ndërhynte për shuarjen e konfliktit. Nga këqyrja që telefonit të tij, rezultoi se pronari i pikave te basteve i kishte kërkuar një mikut të tij të afrohej me armë pranë lokalit. Për këtë Martinaj po mbahet në arrest me burg ndërsa ka nisur edhe një hetim për pastrim parash si dhe organizimin e lotarive të palejuara.

Sipas disa dëshmive, ku përfshihet edhe ajo e pronarit të lokalit Redi Popesku, sapo ka hyrë brenda Ervis Martinaj është takuar me Ervin Matën dhe kanë biseduar veçmas me të. Nuk dihet arsyeja e përplasjes së Fabiol Gaxhës me komandon Merviol Bilo, por sërish janë të shumtë ata që thonë se Gaxha iu drejtua me fjalët: “Po ti çfarë ke që shikon?!” dhe më pas e ka fyer dhe goditur atë. Në sherr janë përfshirë edhe persona të tjerë ndërsa Ervis Martinaj ka bërtitur: “Mos! Mos! Çfarë bëni?!” Besohet se në një moment, komandoja Mevjol Bilo qëlloi me armë duke lënë një të vrarë dhe 2 të plagosur.

Për momentin biznesmeni me origjinë nga Tropoja, Eldi Dizdari është në kërkim policor pasi Prokuroria e Tiranës e kërkon për të dhënë shpjegime. Mësohet gjithashtu se ai është kushëri i afërt me Arbër Çekaj, pronarin e kompanisë së importit të frutave ekzotikë të arrestuar në Gjermani për trafikun e 613 kg kokainë që u sekuestrua para disa muajsh në Durrës.

Një ndër dëshmitarët që duhet të pyetet në këtë çështje është planifikuar të merret dhe rrëfimi i këngëtares Elvana Gjata. Vendndodhja e kësaj të fundit nuk është gjendur nga policia, por prokuroria e Tiranës ka lëshuar një urdhër në të gjitha pikat kufitare që Elvana Gjata sapo të paraqitet në pikat e kalimit kufitar të ndalohet dhe shoqërohet në polici, ku të japë dëshminë. Ajo nuk është një person nën hetim, por që besohet se ka dijeni për të. Në arrati mbetet ende edhe i dashuri i saj Ervin Mata, komandoja Melviol Bilo dhe Fabio Alushi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here