Avokati i Popullit njoftoi se pasi ka monitoruar protestën e banorëve tek Unaza e Re dhe sjelljen e policisë ndaj tyre, ka nisur nje hetim ndaj rastit të Daniel Dobrajt, 18-vjeçarit të akuzuar se i këputi gishtat me kapsollë, polices Ina Muku.
Daniel Dobraj ka deklaruar se është dhunuar nga Policia me shqelma, i janë shembur dy gishtat e mesit. Ndaj Avokati i popullit ka vendosur të marrë në pyetje pas tij edhe babanë e tij si dhe policët që kanë ushtruar dhunë. Në këtë hetim janë kërkuar edhe pamjet filmike të asaj skene.
Ja si e përshkruan avokati i Popullit, situatën në raport:
“…Shtetasi D.D. (Daniel Dobraj) i cili ishte ndaluar në datën 23.11.2018, deklaroi se, në datën 22.11.2018 kishte marrë pjesë në protestë sepse edhe familja e tij prekej nga projekti i Unazës së Re.
Pasi ka mbaruar protesta, rreth orës 12:15, në afërsi të Hotel “Plaza” ishte rrethuar nga një grup policësh civilë të cilët e kanë dhunuar atë duke e goditur me shqelma në pjesën e të ndenjurave dhe në gishtat e dorës së djathtë.
Sipas tij, nga goditja e marrë i ishin shembur dy gishta të dorës së djathtë, ai tregues dhe i mesit. Me ndërhyrjen e disa protestuesve ai ka mundur t’u shpëtojë policëve dhe pasi ka hipur në një taksi është larguar dhe është fshehur për 24 orë.
Gjithashtu ai pretendoi se në momentin që ishte kapur nga punonjësit e policisë tek Qendra tregtare “Globe” ishte goditur me shqelm në brinjën e djathtë nga një polic civil.
Sipas tij, edhe gjatë rrugës në makinën e policisë dhe në momentin që e kanë zbritur nga automjeti në oborrin e DVP Tiranë ishte dhunuar nga policiët duke u goditur me grushta dhe shpulla në kokë e në trup, por sipas tij nuk kishte asnjë gjurmë të dukshme për shkak të profesionalizmit të tyre.
Grupi i inspektimit të Avokatit të Popullit ka konstatuar se përveç shenjave të një lëndimi të dukshëm në dorën e të miturit D.D. nuk ka pasur raportim tjetër prej dy të miturve për ndonjë shenjë tjetër të dukshme në trup. Janë verifikuar regjistrat mjekësorë dhe është vërtetuar se vizita mjekësore e të miturve është kryer me një vonesë prej dy orësh.
Në këto kushte, pasi janë përpiluar procesverbalet të cilat janë nënshkruar prej të miturve të ndaluar, është vazhduar me hetimin. Për të bërë një hetim administrativ të plotë, objektiv dhe profesional nga Avokati i Popullit në datën 27.11.2018 i është bërë kërkesë Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë për ekspertimin mjekoligjor të të dy shtetasve P.A. dhe D.D.
Ndërkohë po në datën 27.11.2018 i është bërë një kërkesë DVP Tiranë për dërgimin e një CD-je me pamjet filmike të regjistruara nga sistemi i monitorimit të DVP Tiranë, duke përfshirë edhe filmimet në oborrin dhe korridorin e godinës së këtij organi.
Përveç sa më sipër, nga ekspertët e AP do të pyeten i ati i shtetasit D,D. dhe punonjësit e policisë që kanë bërë shoqërimin e shtetasit D.D. në DVP Tiranë. Dhe pas këqyrjes së CD me pamjet filmike do të identifikohen dhe pyeten edhe punonjësit e policisë që mund të kenë ushtruar dhunë ndaj personave të cituar më sipër.”