Hajgaret pa krypë të Kryeministrit në Kosovë!

0
139

AGRON GJEKMARKAJ/ Të dielën, vende-vende shiu ra me gjyma! Qielli i përzhitur mërzie të ndillte për mos me e qitë kryet në dritare. Pisk do e kenë pasur edhe barinjtë anembanë atyre rrëpirave, ku tushti e era të prekin palcën. Një ditë e denjë për paqe e prehje ku edhe hasmi lihet në punën e tij. Në të drejtë të Zotit, fare mirë mund të pushonte e qetohej ndanë zjarrit edhe ekipi qeveritar!

Mund ta kalonin atë të lume kohë duke pjekur e nxjerrë gështenja me duart e veta, duke fjetur si maçokër mbi postiqe plot shend e gërhimë, duke numëruar të mirat që i kanë bërë vatanit e sidomos ato që do t’i bëjnë mot, e mbi të gjitha, duke medituar mbi madhështinë e liderit pa të cilin do të ishin pakogjë! Qerratenjtë! Por jo, ashtu nuk ndodhi! Të murrëtyer, pa qejf, çehreprishur e hipur mbi një mikrobus, ministrat bënë një ekskursion patriotik në Kosovë. Partia, e cila dikur quante vëllezër kinezet dhe miq kosovarët, tani ndien nevojën e zulmës kombëtariste!

Edi Rama, i cili shquhej për kozmopolitizmin hokatar e demitizues të asaj rinie plot jehe e qesëndi, tanimë i kthehet diskursit nacionalist sa herë i duhet zhurmë në Tiranë dhe vëmendje në Bruksel. Në Tiranë, për 2 km rrugë është dhënë një tender për 40,5 milionë euro. Një turp që s’ka retorikë që mund ta justifikojë. Me qindra shtëpi rrezikojnë të prishen e shumë banorë janë në prag të dëshpërimit. Një police në krye të detyrës humbet një gisht në një skenë rrëqethëse, teksa përballej me fatkeqët, ndërsa një djalosh i pandehur si fajtor ndëshkohet si në Afganistanin e Talebanëve, i thyhet gishti a dora në komisariat nga kolegët e vajzës. Ministri Sandër lleshi ka detyrim ligjor dhe etik të hetojë dhe ndëshkojë “ndëshkuesit” barbarë. Një faj i një individi nuk shpaguhet me fajin më të rëndë e tejet më shqetësues të shtetit. Ai dje, në një fjalim inaugurues foli për drejtësinë, padrejtësinë dhe nderin. Gjenerali ka rastin ta konkretizojë pleudarinë e tij duke mbrojtur lirinë, nderin, dinjitetin edhe të të fajshmit nëse është i tillë. Kjo është hakmarrje banditësh dhe dënim me vdekje i ligjit. Opozita është në llogoren e protestës dhe jashtë Parlamentit. Nga Brukseli vijnë sinjale qortimesh e hetimesh për shumë afera të kësaj qeverie.

Ndaj duhet potere, rrëmujë, nacionalizëm banal si strehë “fisnikësh”. Ballkani si fuçi baruti mbetet ende një realitet në përfytyrimin e politikanëve europianë. Me deklaratat e veta Edi Rama do t’i pickojë e kërcënojë pikërisht me këtë fuçi, të cilën mendon se ka forcë ta torolakë, me fjalët e veta rreke. Pasi e sheh vetën dominues në skenën e teatrit të brendshëm, Edi Rama vuan të krahasuarit me Sali Berishën te shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë. Nuk i kanë hije, i ka pa sharm dhe luk, tingëllon si sforcim i rreshkur nga halli ky vokacion i ri i tij. Me paraardhësin kjo mbetet një betejë e humbur, sado t’ia zatesë Haradinajt duart mbi shkabën kuqezi.

I dhënë me mish e me shpirt pas formës dhe dekorit, shpiku mbledhjet e përbashkëta, produkti i të cilave është pesë me hiç. Veç nëse konsiderohet sukses; taksa e majme mbi “rrugën që nuk të çon asgjëkundi”, siç e thërriste Edi Rama “rrugën e kombit” kur ajo ndërtohej. Tavolina me flamuj të lidhur në një, simbolika të përndezura, duart në formë shqiponje si manekinë, me gjeste stadiumi, firma e poza pranë etërve të Lidhjes së Prizrenit janë shenjat e një epoke folklorike si një bjerrje kohe e tallje cinike me shqiptaret, që po ikin si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, prej korrupsionit, varfërisë, krimit dhe sundimit tribal. Asgjë të madhe përveç ndonjë gabimi nuk mund të bëjnë liderët e Shqipërisë dhe Kosovës për çështjen kombëtare! Edhe atë e bëjnë për llogari personale e jo në mirëbesim apo në kontekst atdhetar. Fatmirësisht, janë të vegjël për t’i konkretizuar gabimet e tyre se turiten me një telefon nga larg dhe bishti iu ngjitet për shalë.

Një fotografi poshtë monumentit të Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit dhe Sulejman Vokshit e shpjegonte më së miri metamorfozën e botes shqiptare ç’ka qenë, ç’është dhe çfarë rrezikon të bëhet. Sulejman Vokshi u vra, Abdyli dhe Ymeri u syrgjynosën e burgosën, ndërsa ata që pozuan poshtë tyre mund të kenë fatin e dy të fundit jo për merita ndaj atdheut, por për abuzimet e mëdha ndaj tij. Cilësia e hajgareve të Edi Rames po bie përditë e më shumë. Atyre u mungon kripa. Ballafaqimi me një person dinjitoz si Tomorr Alizoti në TV ia vuri në pah këtë tkurrje dhe zvetënim të të menduarit. Sa shëmtueshëm u duk i pari i vendit tek mbllaçiste fyerje banale me referencë filmat e kinostudios komuniste.

Hajgaret dhe pikëniqet patriotike me ndezullinë e tyre të kujtojnë Hilë Mosin, i cili pasi u lodh së takuari në zyrë një sërë “patriotesh të ndezur”, i thotë sekretarit të tij Gaqo: “Aman, bëji shurrën ministrisë se mos na digjet nga flakët e patriotizmit!”

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here