I dënuar me 14 vite burg, nuk dorëzohet Emiljano Shullazi…

0
124

Emiljano Shullazi dhe katër miqtë e tij nuk dorëzohen për të kërkuar drejtësi dhe pafajësinë e tyre në dyert e gjykatave, duke e çuar vendimin e dënimit të tyre në Apelin e Krimeve të Rënda. Në 13 nëntor 2018, Shullazi u deklarua fajtor dhe u dënua me 14 vite burg, për kërcënimet dhe gjobëvëniet financiare ndaj biznesmenit Ylvi Beqja.

Në total, pesë të pandehurit Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, morën një dënim prej 55 vite burgim. Por kjo masë dënimi nuk është pranuar aspak nga të pandehurit, të cilët nëpërmjet apelimit të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, kanë kërkuar të deklarohen të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Në fakt, Shullazi arriti të marë tre pafajësi në shkallë të parë, por u dënua me 14 vite burgim vetëm për rastin e konfliktit që ka pasur me biznesmenin Beqja. Pikërisht dëshmia e Ylvi Beqja, ishte ajo që po mbajti në qeli Shullazin, dhe tre anëtarët e tjerë të grupit Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Nëpërmjet apelimit avokatët e të pandehurve kanë ngritur pretendime për një sërë shkelje proceduriale, të bërë gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor, duke kërkuar pafajësi për të pandehurit. Ndër të tjera avokatët kanë argumentuar në Apelim se dëshmia e bashkëpuntorit të drejtësisë Ylvi Beqja, nuk është e vërtetë pasi ka kontradikta në shumë episode.

Amerikanë e Gjermanë monitorues të gjyqit

Në një seancë maratonë të zhvilluar në 13 nëntor 2018 që zgjati gati 8 orë, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari kryesues Fran Prendi, vendosi atëhere të deklarojë fajtor Emiljano Shullazin me 14 vite burgim, krahun e djathtë të tij, Gilmando Danin me 12 vite burgim, Endrit Qyqja me 10 vite burgim,Endrit Zela me 10 vite burgim dhe Blerim Shullazin me 9 vite burgim.

Verdiktin e Gjykatës së Krimeve të Rënda e kanë monitoruar direkt dhe tre përfaqësues të ambasadës amerikane dhe gjermane në Tiranë, të cilët pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe dënimit të 5 të pandehurve, falenderuan dy prokurorët e çështjes Genti Osmani dhe Anton Martini, sapo këta të fundit dolën nga salla e gjyqit. Ndërsa Shullazi dhe katër të pandehurit e tjerë nuk ishin prezent në sallën e gjyqit. Ky nuk është dënimi i parë për Emiljano Shullazin, pasi disa vite më parë ai është dënuar për trafik droge, grup të strukturuar kriminal, “Armëmbajtje pa lejë” dhe vepra të tjera penale.

Shullazi, 3 pafajësi e pësoi nga biznesmeni

Për një periudhë 19 mujore në gjykatën e Krimeve të Rënda janë zhvilluar 53 seanca gjyqësore, ku gjatë kësaj kohe debati mbi provat ka qënë mjaft i tensionuar mes palëve. Kjo pasi avokatët mbrojtës dhe të pandehurit kanë pretenduar në mënyrë permanente se çështja nuk kishte prova konkrete, por ana ana tjetër prokuroria ka gjetur mbështetje tek dëshmia e biznesmenit Ylvi Beqja, i cili në cilësinë e bashkëpuntorit të akuzës, ka treguar të gjitha aktivitetin kriminal që Shullazi dhe anëtarët e grupit të tij kanë kryer ndaj tij, me qëllim tjetërsimin e shumave të mëdha të parave dhe tjetërsimin e ish-hotel Vollga në Durrës.

Pikërisht dëshmia e Ylvi Beqja, ishte ajo që do mbajë në qeli Shullazin për 14 vite në qeli, dhe tre anëtarët e tjerë të grupit Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Kjo pasi për tre akuzat e ngritur nga prokuroria e Krimeve të Rënda si gjobëvënia dhe shkatërimi me eksploziv të pronës ndaj biznesmenit Adriatik Kërçuku, shkatërimi me eksploziv ndaj pronës së Jani Zakës dhe kanosjes së dy profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, Emilajno Shullazi mori pafajësi nga gjykata. Pafajësi morën dhe katër anëtarët e tjerë të këtij grupi kriminal, për tre akuzat e sipërcituara. Gjykata tha se të pandehurit nuk ishin gjetur fajtorë për dy raste të vendosjes së tritolit ndaj subjekteve që ishin kërcënuar, përfshi tritolin në garazhin e biznesmenit Zaka. Po ashtu ata nuk ishin gjetur fajtorë as për kërcënimin e rektorit të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni e ish-rektorit Dhori Kule.

Avokati i Shullazit Vladimir Meçe tha pas seancës se vendimi ishte i padrejtë dhe se do të kërkonin apelimin e tij. Gjatë pjesës së parë të seancës pati përplasje mes prokurorisë dhe avokatëve. Gjatë leximit të mbrojtjes, avokati Denion Bogdani e cilësoi akuzën si “fake news”, ndërsa i akuzoi prokurorët për “thashetheme mejhaneje”. Qëndrimi i avokatit u kontestua nga prokurori Anton Martini, i cili tha se gjuha e përdorur nuk ishte etike, ndërsa gjykata i tërhoqi vëmendje avokatit që të përqendrohej në argumentet juridike.

Dënimet për grupin “Shullazi”
Emiljano Shullazi 14 vite burg
Gilmando Dani 12 vite burg
Endrit Qyja 10 vite burg
Endri Zela 10 vite burg
Blerim Shullazi 9 vite burg
Pretenca për grupin “Shullazi”
Emiljano Shullazi 17 vite burg
Gilmando Dani 15 vite burg
Blerim Shullazi 10 vite burg
Endrit Qyqja 11 vite burg
Endrit Zela 11 vite burg

Dosja që solli përplasjet mes prokurorëve
Procesi gjyqësor kundër të pandehurit Emiljano Shullazi, u kthye gjatë këtyre dy viteve në epiqëndër të debateve politike por jo vetëm. Ndërkohë kjo çështje për shkak të karakterit sensitive u kthye dhe një ndër çështjet më të rëndësishme që kishte në dorë Prokuroria e Krimeve të Rënda. Fillimisht e nisur nga ish-drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Besim Hajdarmataj dhe më pas e marë nga dy prokurorët Elisabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, çështja Shullazi përfundoi në gjykatë me 5 të pandehur.

Por kur procesi gjyqësor arriti në pikën fundore të tij, në gusht 2018, pati një krisje të seriozitetit të prokurorisë së Krimeve të rënda me këtë çështje, pasi prokurorja Elisabeta Imeraj, u largua nga kjo çështje me urdhër të kryeprokurores Arta Marku, duke u komanduar në krye të prokurorisë së Tiranës. Por në fillim të shtatorit 2018, edhe prokurori tjetër Ened Nakuçi, u largua jashtë shtetit duke paraqitur një raport mjekësor, pasi e kishte të nevojshme të realizonte një vizitë mjekësore.Në kushtet kur çështja mbeti e pa përfaqësuar me prokuror në sallën e gjyqit, drejtuesja e prokurorisë Donika Prela, thëriti për të caktuar me short prokurorët e Krimeve të Rënda në këtë çështje.Por pjesa më e madhe e prokurorëve u revoltuan, duke mos pranuar të bëhen pjesë e shortit për tu zgjedhur prokurorë të kësaj çështje, dhe menjëherë kanë braktisur çështjen.

Kaq ka mjaftuar që ndaj tre prokurorëve Olsi Çela, Besim Hajdarmataj dhe Sonila Muhametaj të transferohet në prokuroritë e rretheve Berat, Pogradec dhe Pukë. Ndërkohë që ndaj 10 prokurorëve të tjerë është urdhëruar nisja e procedimit disiplinor.Pas këtsaj situate, çështja u mor në dorë nga 5 prokurorë, që në fakt drejtojnë prokurorinë e Krimeve të Rënda, të cilët dhanë pretencën dhe përfaqësuan në gjyaktë deri në fund akuzën e prokurorisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here