Deputetja demokrate Grida Duma deklaroi sot se djegia e mandateve ose jo do të jetë një vendim i forumeve të Partisë Demokratike.
Nisur nga bojkoti i parlamentit nga opozita që prej shtatorit, në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, Duma tha se nuk e di si procedurë se kur përcaktohen 6 muaj mungesë në parlament por se do jetë një vendim shumice.
“Nuk e di si procedurë. Nuk besojmë se do arrijmë deri atëherë. Nuk e di kur do të fillojë numërimi. Ne s’kemi qenë që në shtator. Mund ta fillojnë nga fillimi i sesionit të ri apo dhe nga korriku”, tha ajo.
Ndërsa gazetarja Nisida Tufa i ka përmendur rastin e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri që u paraqit në parlament në kufijtë kohor, Duma tha se “paraqitja njëherë në 6 muaj është trashëgimi socialiste dhe Nano e bënte këtë. Nuk ka lidhje me ne”.
“Nuk ka lidhje me parashikimin, ka të bëjë me vendimin që i mbetet forumeve të partisë. Është vendim shumice. Është aksion politik jo karrierash dhe ambiciesh.
Do na kthente në parlament reagimi i maxhorancës. Duhet të ulen dhe të diskutohet në mënyrë konstruktive”, deklaroi deputetja e PD.
Ajo theksoi se maxhoranca e çoi vettingun në politikë tek Venecia se do të fitojë kohë. “Reforma në drejtësi për ne është një paketë që po dështon në aplikim jo në teori”, u shpreh Duma.