Rëndohet pozita për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Prej më shumë se një viti hetimet ndaj tij janë zvarritur, por pas ultimatumit të pak ditëve më parë të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila kërkoi hetim të plotë, situata duket se ka ndryshuar. Gazeta ka mësuar se prokuroria malazeze i ka kthyer përgjigje Prokurorisë së Krimeve të Rënda lidhur me informacionet e kërkuara për lëvizjet e ish-ministrit Saimir Tahiri në Mal të Zi. Sipas informacioneve, mësohet se autoritetet e drejtësisë së Malit të Zi kanë konfirmuar edhe një herë se Saimir Tahiri së bashku me familjen e tij ka udhëtuar me makinë nga pika e Muriqanit verën e vitit të shkuar në drejtim të Malit të Zi, fakt ky i pranuar edhe më herët nga vetëm ish ministri i Brendshëm. Po ashtu, mësohet se në përgjigjen e mbërritur, janë shënuar me detaje orari i nisjes së jahtit si dhe emrat e personave që shoqëronin Tahirin në udhëtim. Madje, mësohet se emrat e përmendur në shkresë do të merren në pyetje nga grupi hetimor. Prokurorët shqiptarë kanë dyshime se udhëtimi i Tahirit nga Mali i Zi drejt Italisë ka të bëjë me aktivitetin e grupit të vëllezërve Habilaj të akuzuar për trafik droge. Hetimet ndaj Tahirit nisën një vit më parë. Ai akuzohet se ka ndihmuar vëllezërit Habilaj për të kryer trafik droge. Ndërkohë që një muaj më parë, vetë ministri Tahiri njoftoi se autoritetet italiane i pushuan atij çështjen, pasi nuk u gjetën prova që ta implikonin në trafik droge. Ndërsa afati i mbylljen së hetimeve në vendin tonë, përfundon në janar të 2019. Megjithatë, mbetet për t’u par në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.
Ja reagimi i ambasadës së SHBA
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë deklaroi pak ditë më parë se pret një hetim të plotë nga drejtësia shqiptare për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri si dhe Ervis Martinajn, ky i fundit i përfshirë në ngjarjen në ish Bllok në 4 tetor, ku mbeti i vrarë një person. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ambasada e SHBA u shpreh se Gjykata e Krimeve të Rënda dënoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, ndërsa pret që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin dhe Ervis Martinajn. “Gjykata e Krimeve të Rënda të Shqipërisë dënoi Emiljano Shullazin dhe grupin e tij, por presim përparim të vazhdueshëm në rrugën e Shqipërisë drejt sundimit të fortë të ligjit. Dje, Gjykata e Apelit të Tiranës dëgjoi argumentet e prokurorëve lidhur me masën e sigurisë për Ervis Martinaj. Ne presim hetimin e plotë të tij, ashtu siç presim që sundimi i ligjit të zbatohet gjatë hetimit në vazhdim për Saimir Tahirin. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj së ardhmes së Shqipërisë. KushEKaRradhën”, thuhej ndër të tjera në statusin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë pak ditë më parë. Ndërkohë që menjëherë pas deklaratës së ambasadës së SHBA në Tiranë, reagoi edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri duke hedhur akuza të forta ndaj ambasadës, pasi sipas tij, po tejkalonte kompetencat
Rigels SELIMAN