Partia Demokratike ka përmbyllur procesin e zgjedhjes së krerëve lokalë të degëve të saj në të gjithë vendin. Për më shumë se 15 ditë, Kuvendet e degëve të partisë më të madhe në opozitë kanë votuar për drejtuesit e rinj të tyre.
Disa prej degëve në qarqe të mëdha të vendit kanë përmbyllur këtë të diel procesin e zgjedhjes së kryetarëve. Ish-kryetari i Qarkut në Elbasan, Eugen Isai, është zgjedhur në krye të degës së PD-së në këtë qytet. Isai fitoi me 378 vota përballë kandidatit tjetër në garë, Zamir Muzhaqi, i cili mori 88 vota.
Surprizë për zgjedhjet e degës lokale të PD-së në Elbasan ishte tërheqja pak përpara zhvillimit të zgjedhjeve e ish-kryetarit të PD-së dhe ish-deputetit të PD-së, Aurel Bylykbashi. Përmes një fjalimi në Kuvendin e PD-së, Bylykbashi ka falënderuar demokratët e Elbasanit për besimin e dhënë dhe ka theksuar se është koha për një drejtim të ri të partisë.
Burime të “Panoramës” bëjnë me dije se vendi i Bylykbashit lidhet me ambicien e tij për të kandiduar 8 muaj më vonë si kandidat për kryetar në Bashkinë e Elbasanit. Të njëjtat burime bëjnë me dije se prej disa muajsh Bylykbashi po punon me një staf të ngushtë për përgatitjen e fushatës. Zgjedhje gjatë kësaj të diele janë zhvilluar edhe në Kukës dhe Berat, qytete ku demokratët rimandatuan kryetarët aktualë. Kreu i PD-së në Kukës, Arif Regjmati, mori një tjetër mandat 4-vjeçar përballë sekretarit organizativ të degës, Fasli Germizi.
Nënkryetari i PD-së, Edi Paloka, në cilësinë e të deleguarit për zgjedhjet në Kukës kërkoi nga demokratët të mos përçahen dhe të punojnë të gjithë për fitoren e PD-së. “Nuk duhet të jetë e pranueshme nga askush, jo nga ju qe jeni palca e PD-së, por nga asnjë kuksian nuk duhet të jetë e pranueshme që PD-ja të arrijë në një moment dhe të humbi siç ndodhi në 2017. Unë nuk jam këtu të gjej fajtorët. Ajo që duhet të bëjmë të gjithë bashkë, pa u ndarë në palë. Sepse jemi një, PD është një”, tha Paloka. Edhe në qytetin e Beratit, kreu i degës së PD-së u rikonfirmua Gazmend Azizi në garën me Shkëlqim Hysin.
Çollaku fiton në Tiranë, e vetmja grua drejtuese në degët e PD
Zgjedhjet për drejtuesit lokalë të PD-së kanë sjellë edhe gra në krye të degëve. Në degën nr.2 në Tiranë fituese është shpallur Mirlinda Çollaku. Drejtuesja e re e degës 2 në kryeqytet u shpall fituese me 113 vota, ndërkohë që kreu i Departamentit të ish-të Përndjekurve Politikë, Edison Çela, mori 84 vota. Çollaku është e vetmja grua e shpallur fituese në të gjithë degët e PD-së në rrethe.
Në degën 10 në Tiranë u zgjodh në krye të degës Ervin Minarolli, drejtues i Departamentit të Infrastrukturës dhe Transportit në PD. Minarolli fitoi përballë Enka Sallakut. Ishdeputeti i PD-së, Ndriçim Babasi, ka marrë një tjetër mandat katërvjeçar për drejtimin e degës 5 në kryeqytet. Në degën 8, ku në zgjedhje me të drejtë vote ishte kreu i PD-së Lulzim Basha, u zgjodh kryetar Pëllumb Seferi. Në degën 9 u rikonfirmua Saimir Mulgeci, në degën 11 Florjan Lila.