Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka qenë sot në krah të banorëve në bregun e lumit në Tiranë, të cilët janë mbledhur për të kërkuar dëmshpërblimet e pronave të prekura nga ndërtimi i Bulevardit të ri.
Duke iu premtuar mbështetje të gjithë banorëve, Tabaku theksoi se kreu i bashkisë, Erion Veliaj së bashku me Ervin Bushatin dhe Sadri Abazin i mashtruan duke iu thënë se prona e tyre do të dëmshpërblehet me 50 mijë lekë të reja për metër katror.
“Erion Veliaj bashkë me Ervin Bushatin dhe Sadri Abazin thanë se do ti dëmshpërblejnë me 50 mijë lekë të reja metrin katror. Sot atë premtim e morën dhe e shkelën me dy këmbë. Nuk ka zgjidhje, sot ose do jemi këtu që të mbrojmë pronën, pavarësisht nëse jemi pronarë të vjetër ose të rinj ose do t’ia lejojmë këtij shtetit që nesër të vij në shtëpitë e gjithsecilit prej nesh. Unë jam këtu për të mbrojtur banorët së bashku me kolegët deputetë të PD. Do të bëjmë një betejë ligjore deri në pikën e fundit për t’i mbrojtur këto banesa”, tha Tabaku.
Për Tabakun, të gjithë qytetarët duhet të dalin sa më parë në protestë për të ndaluar planet që kanë për synim grabitjen e pronës. Sipas saj, një qeveri e cila dhunon djersën e qytetarëve përfundimisht ka rënë dhe është një alarm për të gjithë, madje edhe për procesin e integrimit të vendit drejt BE-së.