Të gjithë bizneset apo familjet që shfrytëzojnë ujërat nëntokësorë me puse do të duhet t’i formalizojnë përmes vetëdeklarimit.
Gjithçka u paralajmërua nga kryeministri, Edi Rama gjatë prezantimit të reformës në sektorin e ujit, ndërkohë që tashmë është miratuar edhe ligji, i cili parashikon që subjektet fizike dhe juridike, të cilat shfrytëzojnë ujërat nëntokësore pa u pajisur leje apo autorizim, detyrohen të vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre pranë zyrave të administrimit të baseneve ujore, brenda 12 muajve nga data e hyrjes në fuqi e këtij ligji.
Drejtoresha e përgjithshme e këtij dikasteri, Gerta Lubonja thotë për Scan se “dokumentacionet që do të dorëzohen do të jenë minimale”.
Sipas saj “grupet e punës ndërinstitucionale do të bëjnë evidentimin në terren pas plotësimit të dokumentacionit dhe do të dërgohen për vendimmarrje për t’i mundësuar përdoruesve pajisjen me leje dhe autorizime”.
Subjektet që vetëdeklarojnë veprimtarinë e tyre brenda afatit të përcaktuar nuk do të ndëshkohen për kundërvajtjen administrative të kryer. Në rast në kundër, ligji parashikon edhe dënime me gjobë, që variojnë nga 500 mijë lekë deri në 2 milion lekë.