Presidenti Meta promovon librin mbi humanisten austriake, Marianne Graf

0
129

Në një ceremoni solemne të zhvilluar në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, u promovua sot libri i Lindita Sinës kushtuar veprimtares humaniste dhe bamirëses austriake, Marianne Graf me titullin: ‘Marjana – Historia shqiptare e një austriakeje’.

Në këtë ceremoni, ku merrin pjesë Konsullja e Austrisë në vendin tone, Renate Seib, përfaqësues të trupit diplomatik, shkrimtarë e publicistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në fjalën e tij përshëndetëse theksoi se:

‘Jam i nderuar që sot së bashku me ju të marrim pjesë në promovimin e librit ‘Marjana’, një libër që i kushtohet humanistes së njohur dhe mikes së madhe të kombit tonë, znj. Marianne Graf.

Image

Ajo me veprimtarinë e saj humanitare në Shqipëri dhe jo vetëm, të cilën e ka filluar 26 vite më parë, atëherë kur populli shqiptar sapo kishte dalë nga diktatura më e egër e kontinentit dhe kishte nevojë për miq të vërtetë dhe të sinqertë, ka lënë gjurmë të mëdha.

Si çdoherë, në momente të rëndësishme dhe të vështira për kombin tonë, miqtë e mirë dhe ndihma e sinqertë nga Austria dhe populli austriak nuk na ka munguar.

Historikisht, Austria dhe austriakët e kanë treguar me vepra miqësinë për popullin tonë dhe për këtë ju jemi shumë falënderues.

Për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve Marianne së bashku me bashkëshortin e saj z.Willi Graf, themeluan shoqatën, ‘Partneriteti Shqipëri-Austri’ (‘Albanien-Austria- Partnerschaft’).

Image

Përmes kësaj shoqate u afruan edhe më shumë dy kombet dhe vendet tona, u ndje edhe më fortë miqësia e sinqertë e austriakëve ndaj shqiptarëve.

Për shumë austriakë, emri i Shqipërisë lidhet me emrin, Marianne Graf.

Ashtu sikurse për shumë shqiptarë, të cilët e kanë ndjerë dorën e ngrohtë të ndihmës së saj, emri i Austrisë lidhet pazgjidhshëm me emrin e saj.

Për shqiptarët Marianne është shqiptarja austriake.

Për austriakët Marianne është austriakja shqiptare.

Image

Ndihma pa fund humanitare, objekte ndërtimi të panumërta, projekte inovative e me të ardhme në shumë fusha të jetës ekonomike, sociale, kulturore të shqiptarëve në zonat më të thella të vendit janë realizuar përgjatë 26 viteve, falë angazhimit të pandërprerë të Marianne e Will Graf dhe koordinatorit shoqatës së tyre në Shqipëri, zotit Skënder Thaçi.

Të gjitha projektet kanë përfunduar në afatin e caktuar, me sukses, duke u bërë pjesë e një zhvillimi të qëndrueshëm në vend, edhe pse të bazuara pa përjashtim mbi mjete financiare të dhuruara e duke qenë të ekspozuara ndaj vështirësive të papritura.

Puna e Marianne-s, Willi-t e Skënderit dhe ekipit të tyre ka përcjellë shpresë, dashuri, paqe, mirëkuptim dhe buzëqeshje kudo.

Ndaj ne sot po promovojmë me shumë kënaqësi librin ‘Marjana’ të autores Lindita Sina.

Ky libër, do të na afrojë edhe më shumë, me shpirtin e pastër dhe bujar të zonjës Graff.

Ajo me punën dhe veprimtarinë e saj, është dekoruar dhe vlerësuar nga Presidenti i Republikës në të kaluarën, por vlerësimin më të lartë për Marianne-n e kanë dhënë qytetarët shqiptarë për shpirtin e saj bujar dhe human.

Shenjtorja e kombit shqiptar dhe e mbarë botës, Nënë Tereza, ka thënë se: ‘Ndoshta secili prej nesh nuk mund të bëjë gjëra të mëdha në jetë, por secili mund të bëjë gjëra të vogla me dashuri të madhe’.

Në rastin e Marianne-s mund të themi pa frikë se ajo ka bëtë gjëra të mëdha me dashuri të madhe e të pafundme, prandaj edhe mirënjohja jonë është e tillë edhe për të.’, – u shpreh Kreu i Shtetit shqiptar.

Image

Ndërsa në fjalën e saj, zonja Marianne Graf falënderoi Presidentin Meta për vlerësimet si edhe të gjithë bashkëpunëtorët e saj në veprimtarinë e saj të gjatë humanitare në Shqipëri.

‘Ndihem shumë e lumtur dhe e emocionuar njëkohësisht. Dua të falënderoj në veçanti autoren e librit si edhe Presidentin Meta për këtë ceremoni të veçantë, por edhe për fjalët e tij mira për kontributin tim humanitar në ndihmë të shqiptarëve. Dua të falënderoj të gjithë që ato që u bënë pjesë e këtyre udhëtimeve shpesh tepër të vështira që kemi bërë përgjatë gjithë këtyre viteve. Jam e lumtur të shoh që të gjitha përpjekjet e mia vlerësohen’, – tha ndër të tjera zonja Graf.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here