“Wind of Change” fëshfërin sërish në Shqipëri (Shansi i një dhjetori të dytë studentor )

0
398

Nga Gëzim Saliu

“Wind of Change”, kënga e famshme e grupit të mirënjohur gjerman “Scorpions” ishte padyshim pararoja e një ndryshimi të vërtetë politik në Europën Lindore në vitet ‘90. Kënga u shkrua nga vëllezërit Meiner, dy kitaristët e grupit pas një vizite në Moskë në vitin 1989. Subjekti i këngës ishte një muzë mbi shembjen e komunizmit në ish-Bashkimin Sovjetik, dhe më vonë edhe në pothuaj të gjitha vendet e botës. “Wind of Change” ishte po ashtu një jehonë e rënies se Murit të Berlinit, në fund të verës së vitit 1989.  Muri i Berlinit ishte një ikonë e sundimit të tiranisë dhe varfërisë  dhe rënia e tij shënoi fillimin e rënies totale të Perdes së Hekurt në Evropë.

“Wind of Change” nuk la pa fëshfëritur edhe Shqipërinë, megjithëse vendi ynë ishte i fundit që u shkëput nga kthetrat e komunizmit. E megjithatë era e ndryshimit trokiti edhe në vendin tonë në saj të një lëvizje të pashmebullt të studentëve të cilët u ngritën mbi regjimin që për 45 vite me rradhë kishte shtypur cdo zë e kishte zhdukur, në kuptimin e parë të fjalës, cdokënd që tentonte të afrohej sadopak me lirinë e demokracinë.  Më pas historia dihet: valët e tranzicionit të tejzgjatur, viti i mbrapshtë i 97-ës, ecejaket për vite të tëra mes korrupsionit të ngritur në sistem, për të ardhur në ditët aktuale. Padyshim në gjithë këtë itenerar historik nuk mungojnë hapat pozitivë ( lëvizja e lirë, anëtarësimi në NATO, marrja e statusit kandidat në BE etj) por që realisht janë shumë të vegjël krahasuar me katrahurën që gjendet në anë tjetër të medaljes së historisë së këtyre 28 viteve.

Përpos kësaj paranteze, vlen të theksohet se në gjithë këto vite të vështira të tranzicionit, një gjë nuk ishte ndalur pa reshtur: shpirti protestues i shqiptarit. Kundër të gjitha qeverive ( duke mos llogaritur Berisha I ) , të majta e të djathta, qoftë kur ishte kryeministër Meta, qoftë Majko, qoftë Nano e qoftë Berisha II, shpirti protestues ishte aty dhe e tregonte “veten” sa here duhej. Kjo vinte padyshim nga ndërgjegjësimi i qytetarëve për problematikat e caktuara ku duhet të ngrinin zërin por edhë në saj të një faktori tjetër të rëndësishëm: qeverisë në krye. Po po, pikërisht qeverisë. Te gjitha qeveritë e sipërpërmendura nuk e kanë vrarë shpirtin e protestës. Sigurisht janë përballur me to, i kanë akuzuar protestuesit, kanë folur kundër tyre, por gjithnjë këta ekzekutivë i kanë lënë të rrjedhin protestat.

Por cfarë është vënë re në këto 5 vite?!

Krahas një proteste të hatashme të vjeshtës së 2013-ës kundër armëve kimike, sapo Qeveria “Rama1” kishte ardhur në pushtet, shpirti i protestave të qytetarëve në 5 vite dukej i stopuar. Një tulatje popullore që “rrengun” e kishte pikërisht tek Qeveria. Kjo e fundit përmes një skeme malinje, ku përfshihen qeveritarë, oligarkë dhe media, arriti të sfumonte cdo filizë proteste. Këtu nuk po flasim për protestat politike të opozitës, megjithëse edhe nga këto zhgënjimi sa i përket rezultateve ka qenë jo i paktë. Po flasim për protesta qytetare, për atë ndjenjë revolte që sapo ndizej në një lagje, zonë apo qytet, menjëherë shuhej nga “urgani i zi” i propagandas që për hir të së vërtetës do e kishte zili çdo pushtet autoritar. Në fakt arsyet për të protestuar kanë qenë shumë herë më të shumta se sa çdo periudhë tjetër e këtyre 20 vteve të fundit. Mos harrojmë: fenomenin e drogës që pushtoi gjithë vendin e mbarë Evropën dhe pasojat e të cilit i vuajmë ende sot; kriminalizimin e politikës dhe administratës në nivelet më të larta ( gjë që nuk kishte ndodhur kurrë më parë) ; koncensionet e PPP-të si asnjëherë më parë në kurriz të shqiptarëve e në favor të oligarkëve; emigrimin masiv të shqiptarëve në përmasa të tilla sa krahasohemi me Sirinë ( ikjen e të rinjve, vrasjen e të ardhmes); politikat klienteliste në arsim e pafund arsye të tjera. Por sërisht protesta e revolta në këto 5 vite zvenitej shpejt ose në shumë raste as nuk ndizej fare. Tulatja e popullit në këto 5 vite erdhi nga teknikat e neveritshme të përdorura nga pushteti si:  blerja e protestuesve, përdorimi i mediave të mëdha si zjarrëfikëse të protestave apo edhe shoë propagandistik qeveritar për “arritjet imagjinare”. Mjeshtërisht Rilindja arrit ( me ndihmën e mediave të sponsorizuara prej saj) të krijojë një guakcë imagjinare arritjesh që e bënin thuajse të paprekshme.  Por mos harrojmë këtu se një dhuratë të madhe për Rilindjen ishte edhe 17 maji 2017-ës, kur kreu demokrat Basha pas më shumë se 90 dite revolte ne çadrën para Kryeministrisë u dorëzua para Ramës duke u përfshirë në një marrëveshje më mijëra dritëhije. Padyshim zvenitja e një proteste që deri në ditën e marrëveshjes kishte qenë më heroikja në këto 5 vite i dha një goditje të fortë shpirtit opozitar e atij protestues qytetar në tërësi.

E vetmja protestë që ngriti peshë Kryeministrin e Qeverinë që nga arroganca e pushtetit fliste edhe për “protestues që nuk u ngrihej” ishte revolta e kuksianëve për trahun në Rrugën e Kombit. Aty Rama&Co morën dritën e parë të kuqe të një vale revoltash që do kulmonin vetëm pak muaj më pas. Aktet ekstreme të kuksianëve në kundërshtim të padrejtësive i bën të pavfleshme gjithë teknikat e mëparshme të Rilindjes. As mediat e blera nuk mund të ndryshonin rrjedhën e kësaj proteste, ishin të paafta përballë uraganit të kuksianëve. Kjo protestë ishte e para pas asaj të armëve kimike që e bëri Kryeministrin e gjithëpushtetshëm të zbythej fort e të ulte në minimum taksimin për qytetarët e Kukësit. Tirana e gjithë Shqipëria nuk u ndje në atë kohë, heshti. Dhe sic ndodh me Rilindjen në të tilla raste të volitshme, taksimin e mbajtën në kurriz të plotë qytetarët që nuk protestuan, plot 5 euro për kalim.

Por sot Rama po gjendet përballë një uragani protestash që e kanë kthyer Tiranën në një vatër vulkani që mund të shpërthejë nga momenti në moment. U desh vendimi për megavjedhjen e projektit të zgjerimit të Unazës së Re që qindra protestues së zonës së “Astirit” të bllokonin rrugën e të mos pranonin kushtet  e vendosura nga Qeveria për dëmshpërblim qeshraka e qera 3-vjecare. Edhe me këtë protestë Rilindja nis  të përdorë metodat e saj dhe në start dukej sikur po i ecte dhe se përdundimi do ishte i njëjtë me rastet e mëparshme. Shumë prej mediave kombëtare e televizoneve në vend as nuk e pasqyronin protestën e përditshme të banorëve në rrugë, ndërsa kryebashkiaku Veliaj ja rinis “këngës së vjetër” të diversionit, duke na paraqitur banorë të ndërgjegjshëm që e kuptonin vlerën e projektit dhe pranonin qeranë e bashkisë! U desh intensifikimi i protestës nga banorët e Unazës me kulmimin para Parlamentit, që vëmendja e televizoneve ( e padëshirë por e detyruar nga lajmi) të kthehej tek ata.  Protestës së pandalshme të këtyre banorëve i janë bashkuar ditët e fundit edhe banorët e Shkozës dhe Laprakës që preken nga projekti si edhe ata të zonës së Bregut të Lumit që ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet nga Bulevardi i Ri. Mjetet e propagandës së Rilindjes nuk po arrijnë të shuajnë zjarrin e ndezur nga këto protesta që për hir të së vërtetës mbështeten fort tek një parim që zor se mundet me mjete dytësore: MBROJTJA E PRONES!

Por duket se vula e kësaj vale protestash ishte revolta e studentëve. Në dy ditët e fundit mijëra studentë në Tiranë janë ngritur në protestë kundër politikave të Qeverisë për arsimin duke kërkuar uljen e tarifave. Protesta e sotme përballë ministrisë së Arsimit ishte me të vërtetë një leksion mbi atë që cilësohet si revoltë qytetare. E në fakt kryengritja e studentëve, pikërisht në muajin dhjetor, të rikthen në memorie atë lëvizje heroike që solli rrënimin e sistemit komunist në Shqipëri në fillim vitet ’90. Këtë herë Kryeministri ka përse të merakosete në fakt po e bën qartazi këtë në publik: dy reagime për protestën e studentëve brenda ditës! Mos flasim për ministren që në daljen para mediave dukej më shumë si një punonjëse që shfajësohej për situatën duke ja vënë fajin “shefit” që në këtë rast sipas Nikollës ishin vetë, Universitetet. Revolta e studentëvë është një super lajm për vendin, asgjë e keqe nuk vjen kur ngrihen ATA!

E gjithë kjo stinë protestash në vend të rikthen “atmosferën” e asaj revolte popullore të para 28 viteve ,ku arsyet e qëllimet janë sa të ndryshme aq edhe të përafërta. Tanimë vërtet nuk luftohet më për pluralizëm, por revolta po ngrihet si atëherë kundër shkeljes së të drejtave më elemementare të njeriut ( e drejta e pronës). Sot vërtetë nuk luftohet më për të drejtën e fjalës së lirë, por më shumë se kurrë si atëherë ngrihet zëri kundër padrejtësive kolektive. Megjithatë sot ndryshe nga atëherë ( ku kërkohej Shqipëria si gjithë Evropa) studentët synojnë që përmes kundërshtive të politikave klienteliste në arsim të ndalet hemoragjia e të rinjve që ikin nga vendi , ku nuk gjejn prej kohësh shpresë për të ardhmen. Duket sikur po fëshfërin sërish “era e ndryshimit”!

 

Në vend të mbylljes mjafton një nga strofat e këngës “Wind of Change”:

A keni menduar ndonjëherë se mund të ishim kaq të afërt

Si vëllezër

E ardhmja është në ajër

Mund ta ndjej teksa fëshfërin “era e ndryshimit”

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here