Edi Rama i është përgjigjur me një mendësi prej matrapazi, njërës prej protestave më xhenuine, më inteligjente dhe më të çiltër që prej kohës së armëve kimike. Si një tregtar vogëlsirash, ai ka ngritur pyetjen përpara taksapaguesve: A jeni të gatshëm ju të derdhni paratë për studentët që ngelin në klasë?
Në theb, ai, me këtë gjuhë ka folur për çdo protestë, duke kundërvënë qoftë “zaptuesit e trojeve” tek unaza e re, qoftë kuksianët që kundërshtonin traun në rrugën e kombit, me pjesën tjetër të shqiptarëve.
Alibia e tij ka qenë se askush prej tyre nuk mund të përfitojë nga shuma e parave me të cilën paguhen infermierët, mësuesit apo ushtarakët.
Në fakt, këta skrupuj për kursimin e të ardhurave tona, do të qenë normale për çdo kryeministër të virtytshëm mbi tokë, i cili e përfytyron detyrën me ankthin e atij që vigjëlon mbi pasurinë e përbashkët.
Në emër të këtij shqetësimi, edhe Edi Rama mund të merrte në dorë thuprën e financierit për të ndëshkuar ata studentë që protestonin sot, por që futen pa lexuar asnjë rresht në provime, duke u tallur me atë sistem dhe me ata pedagogë që paguhen me para publike.
Me të njëjtën të drejtë, ai, mund të fshikullonte zaptuesit e dikurshëm të tokave tek Unaza, që nuk do duhej të dëmshpërbleheshin me punën dhe djersën e atyre të tjerëve, që kanë luajtur gjithë jetën rolin e qytetarit të ndershëm.
Pra, po ta dëgjonte një njeri i zbritur nga një planet tjetër, pa dyshim që do i duartrokiste argumentat e kryeministrit tonë.
Por, këtu në Shqipëri, ekuacioni është pak si përmbys. Pasi pretendimi prej kursimtari të vyrtytshëm është vetëm një fabul e rreme.
Ai, që sot përbetohet për kontributet e taksapaguesve, është i njëjti që i derdh çdo vit miliona euro për analiza të pakryera, koncesionit të Check-up.
Eshtë i njëjti që dha 5 milionë euro tek privatët e inceneratorit të Fierit, ndërkohë që ata nuk kishin vënë ende një tullë mbi tokë.
Eshtë i njëjti që, siç do të vërtetohet shumë shpejt, po degdis me miliona euro në parajsat fiskale me kompanitë off shore që ka shpallur fituese tek Unaza e re.
Eshtë i njëjti që ka emëruar investitorë strategjikë, të përjashtuar nga taksat, milionerët më të mëdhenj të këtij vendi.
Eshtë i njëjti që po fal 200 milionë euro me biznesin e ndërtimit në truallin publik pas Teatrit Kombëtar.
E pra, mjaftojnë këta shembuj për të treguar se qëllimi i kryeministrit të të pasurve, nuk është të ruajë paratë tona të përbashkëta. Filozofia e tij është t’i bëjë oligarkët edhe më të kamur dhe të pambrojturit edhe më të shtypur. Prandaj ai nuk mendohet aspak t’u marrë edhe centimin e fundit studentëve, banorëve të Unazës së re, shoferëve të rrugës së kombit, ndërsa e zbras thesin bujarisht për përfituesit e koncesioneve, PPP-ve dhe tenderave që i zhvillon pa garë.
Po të shikohet në këtë prizëm edhe protesta e studentëve, që duhet të paguajnë pasi ngelin në klasë, është po aq e drejtë sa edhe ajo e banorëve që kërkojnë dëmshpërblim megjithëse kanë ndërtuar pa leje.
Sepse ato i bashkon një fill i kuq. Ai i anëtarëve të një komuniteti që po trajtohet gjithnjë e më shumë si i dorës së dytë. Ai i qytetarëve, të cilëve u shtrëngohet përditë laku në fyt, për t’u rrëmbyer edhe qindarkën e fundit, që pastaj shkon në duart e dhjetë oligarkëve.
Në këtë kuptim, të gjitha këto minirevolta lokale, që po shpërthejnë në vatra të ndryshme, nuk janë asgjë tjetër veçse preludi i një lufte që po frymëzon Edi Rama: asaj mes të pasurve dhe të varfërve.
©Lapsi.al